YouPost

Korrespondenti i “Times” në Vlorë (1913) : Ja ç’bëri Ismail Qemali për përvjetorin e parë të shpalljes së pavarësisë

Korrespondenti i “Times” në Vlorë (1913) : Ja

Nga Aurenc Bebja, Francë

“La France” ka botuar, të martën e 2 dhjetorit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me festimin e përvjetorit të parë të pavarësisë së Shqipërisë.

Korrespondenti i Times në Ballkan dërgon nga Vlora, më 28 nëntor, këtë shkresë mbi Shqipërinë :

“Përvjetori i parë i shpalljes së pavarësisë shqiptare u festua në të gjithë vendin me shumë gëzim.

Vlora është në festë. Qyteti piktoresk dhe i vjetër është gjallëruar me flamuj të kuq që shfaqin shqiponjën e zezë shqiptare, ndërsa kortezhet që mbajnë flamurin e Skënderbeut kalojnë nëpër rrugët e stolisura me shtyllat veneciane dhe festone.

Këtë mëngjes, Ismail Bej Qemali, Presidenti i Qeverisë së Përkohshme, priti anëtarët e kabinetit të tij, delegatët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, komandantët e anijeve austriake dhe italiane dhe shumë të njohur.

Gjatë pritjes, një demonstratë popullore u zhvillua para shtëpisë. Në mes të këngëve popullore dhe duartrokitjeve, Ismail Bej Qemali u shfaq në ballkonin e rrethuar nga anëtarët e qeverisë dhe gjallëroi turmën që iu përgjigj me entuziazëm.

Shqipëria fatmirësisht e ka duruar vitin e parë të pavarësisë dhe vendi gjatë kësaj periudhe ka qenë më i qetë se sa në gjithë të kaluarën e tij. Madje dhe tërheqja e Esat Pashës nuk solli gjakderdhje. Mosmarrëveshjet e brendshme do të pushojnë, të paktën për një kohë, pas ardhjes së sovranit të ri, e cila pritet nga mesi i janarit.

Çdo rrezik copëtimi nga fqinjët ambiciozë do të zhduket nëse fuqitë vazhdojnë të kenë një interes aktiv për prosperitetin e shtetit të ri.”/ Marrë nga Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”. Linku këtu