16-vjeçarja vrau veten nga frika e një videoje/ Shoku i gjimnazit e kërcënonte me publikim
Një 16-vjeçare mori aktin ekstrem të vetëflijimit pas kërcënimeve nga një adoleshent se, do t’i publikonte një video që dispononte të saj.
A.Ç. ndërroi jetë dje, dy ditë pasi ishte vetëhelmuar me fostoksinë, ndërsa sot u dërgua për në banesën e fundit. 17-vjeçari që e përndiqte është identifikuar si D.K. dhe mësohet se është arrestuar nga policia.
Adoleshentja mësohet sipas burimeve policore se kërcënohej prej disa ditësh me mesazhe dhe përndiqej nga 17-vjeçari.
Ajo ishte nxënëse në shkollën e mesme profesionale të qytetit të Beratit, në vitin e parë, ku në të njëjtën shkollë ndodhej edhe i arrestuari.
Një ditë para se të ndërmerrte aktin ekstrem, vajza mësohet se u kishte treguar prindërve se ndihej e shqetësuar nga shoku i gjimnazit.
*Shënim: Tiranapost.al vendos të mos publikojë emrin e plotë të viktimës dhe të akuzuarit për shkak të moshës minorene të tyre. / Tiranapost.al