Evente

Veliaj i jep Çelësin e Tiranës Prokurorit të Antimafias Francesco Mandoi

Veliaj i jep Çelësin e Tiranës Prokurorit të Antimafias

Francesco Mandoi, një prej figurave historike të luftës kundër krimit të organizuar në Itali dhe së fundmi edhe në Shqipëri, ka marrë ditën e sotme nga kryebashkiaku Erion Veliaj Çelësin e Tiranës. Përmes një ceremonie të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj ka vlerësuar kontributin e ish-zv/kryeprokurorit të Prokurorisë Kombëtare të Antimafias italiane, Francesco Mandoi, i cili gjatë 3 viteve të fundit shërbeu edhe si prokuror ndërlidhës mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Francesco ka bërë pafund miq, ka lënë një hapësirë të çmuar në vendin tonë, ka qenë një prezencë konstante maturie, pjekurie, këshillimi dhe mentorimi për të gjithë ata që kanë punuar me të në institucionet e drejtësisë, apo të qeverisë. Ndaj jam shumë i lumtur që jemi sot këtu për të respektuar mikun tonë të vyer teksa përfundon një fazë të karrierës së vet për të marrë stafetën e një faze tjetër të misionit të tij si një njeri i drejtësisë dhe të së drejtës,” u shpreh ndër të tjera Veliaj.

Kreu i Bashkisë e ka quajtur Mandoin një hero të ditëve të sotme në luftën e paepur me të keqen dhe padrejtësinë. “Në betejën e përditshme të të mirës dhe të keqes, të mafies dhe antimafies, të të ligës dhe të urtës ne na duhet që gjithmonë të lartësojmë heronjtë tanë, heronjtë e të mirës, heronjtë e të drejtës, heronjtë e të urtës. Ndaj dhe sot është një ceremoni për të lartësuar një hero të shteteve tona të përbashkëta, Italisë dhe Shqipërisë, një hero që kaloi 30 vitet e fundit duke kontribuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e kudo ku është thirrur në mision për të shërbyer,” tha ai.

Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci e vuri theksin te kontributi i vyer i Mandoit në Reformën në Drejtësi në vendin tonë. “Italia dhe Shqipëria bashkëndajnë një fat të përbashkët. Jemi vende speciale njëri për tjetrin. Mes shumë të tjerash qëndron mbështetja për Reformën në Drejtësi, një reformë thelbësore, sidomos në një fazë kur në muajt e ardhshëm do fillojnë më në fund negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Fakti që BE më në fund i ka dhënë rrugë të lirë Shqipërisë dëshmon pikërisht këtë aksion të madh të zhvilluar nga Shqipëria së bashku me Italinë. Kemi bërë hapa të mëdha përpara, kemi shënuar dhe mjaft suksese dhe këto falë edhe rolit që ka luajtur Francesko Mandoi në këto vite,” u shpreh Bucci.

Ndërsa ish numri dy i Antimafias italiane Francesco Mandoi, tregoi mësimin më të madh të marrë nga simboli i luftëtarit pakompromis kundër mafies. “Një nga gjërat që Giovanni Falcone na mësoi ne prokurorëve, - unë pata rastin ta njoh personalisht edhe në cilësinë e dekanit të Shkollës së Prokurorisë, - ishte: Mafia luftohet me kultin e ligjshmërisë dhe këtu ka të drejtë edhe kryebashkiaku Veliaj, kulti i ligjshmërisë është një detyrë e komuniteteve, bashkive, shkollave dhe të gjithëve ne që të bëjmë të mundur që një shoqëri të ketë mundësi të rritet me vlera,” u shpreh Mandoi.
Ai ka nënvizuar edhe faktin se këto vlera i ka gjetur të ngulitura në Shqipëri.

“Ndër shumë gjëra që ky vend më ka mësuar është që të mos besoj tek stereotipet. Ky është një vend që të ndryshon, të ndryshon perspektivën, stereotipet. Është një vend tek i cili nëse vjen me disa paragjykime, më pas do kuptosh se nuk ke pasur të drejtë. Pikërisht këtë krenari të veçantë, që nuk është vetëm krenaria e të qenit shqiptar, por dhe krenaria e faktit që i përket një kulture antike tek e cila disa vlera janë absolute dhe të panegociueshme më ka mësuar Shqipëria. Ndaj ka qenë e lehtë të përshtatem me të parin prej këtyre mësimeve të Giovanni Falcones,” shtoi ai.

Në fund, teksa po i dorëzonte celësin simbolik të kryeqytetit shqiptar, Tiranës, Veliaj zbuloi se pas përfundimit të misionit 3-vjecar në Shqipëri, Mandoi do të vijojë të jetë aktiv dhe prezent në jetën politike shqiptare. “Miku ynë Francesco Mandoi ka pasur një propozim nga kryeministri Edi Rama për të qenë këshilltar i tij për çështjet e krimit të organizuar,” tha Veliaj.

Në prill të këtij viti, magjistratit Francesco Mandoi iu dha nderi “Akademik Papnor” në “Pontificia Accademia Mariana Internationalis”, një nga shtatë akademitë pontifikale të koordinuara nga Këshilli i Vatikanit për Kulturën.