Evente

Pas Budapestit, Veliaj dhe në Pragë për Sheshin 'Skënderbej'

Pas Budapestit, Veliaj dhe në Pragë për Sheshin

Pas atij të Budapestit, edhe një shesh në Çeki, në Pragë, do të mbajë emrin e heroit shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, “Skënderbej”.

Kryebashkiaku Veliaj ka vizituar Pragën, pas vendimit më të fundit të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryebashkiaku Veliaj pas takimit me kryetarin e Bashkisë së Pragës Zdenek Hrib.

“Është gjithmonë kënaqësi takimi me kryetarin e Pragës, mikun tim Zdenek Hrib. Si shumë kryeqytete të botës edhe Praga do të ketë një shesh me emrin “Skënderbej”, në nderim të heroit tonë kombëtar! Mirënjohje Zdenek dhe Këshillit Bashkiak të Pragës për nismën,” shkruan Veliaj.

Tre muaj më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përuroi në Budapest së bashku me homologun e tij, Gergely Karácsony, bustin e heroit Skënderbeut në Parkun Qendror të kryeqytetit hungarez. Busti, dhuratë nga Bashkia e Tiranës për qytetin e Budapestit, u vendos përballë memorialit të bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadi.