Evente

Maratona e Tiranës nuk do jetë vetëm garë, por edhe festë. 7 minikoncerte janë organizuar për atë ditë

Maratona e Tiranës nuk do jetë vetëm garë, por edhe

Federata Ndërkombëtare e Atletikës ka certifikuar për herë të parë Tiranën si organizatore profesioniste të maratonës së 17 Tetorit, duke e licencuar edhe për itinerarin e plotë të garës prej 42 kilometrash. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, gjatë lançimit zyrtar të Maratonës së Tiranës, ku pritet të garojnë mijëra sportistë dhe qytetarë të apasionuar pas garave sportive, vendas dhe të huaj.

Duke u bërë thirrje dhe njëherë të gjithëve për t’iu bashkuar ngjarjes më të madhe sportive të vitit, Veliaj ka kërkuar dhe mirëkuptimin e qytetarëve të tjerë, për shkak se dita e dielë e maratonës do të jetë edhe një ditë pa makina në kryeqytet.

“Pas dy viteve shkëputjeje prej pandemisë këtë vit kemi edicionin më special të maratonës, sepse është hera e parë që ne jemi licencuar për një maratonë të plotë, prej 42 kilometrash. Do t’i mbajmë edhe edicionet e tjera, 21 km, 10 km, apo atë për personat me aftësi speciale dhe krosin që bëjmë paraprakisht të shtunën, por për herë të parë ne do të kemi këtë dimension. Kjo do të thotë që edhe kohëzgjatja e maratonës do të jetë pak më e madhe, ndaj mbi të gjitha na duhet mirëkuptim nga qytetarët. Sigurisht Policia do bëjë punën e vet, komunikimin me median do ta kemi konstant, por na duhet shumë durim atë ditë sepse nuk duam të rrezikojmë të mos certifikohemi si organizatorë profesionistë,” u shpreh Veliaj, nisur nga fakti se në një pjesë të madhe të akseve kryesore rrugore do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në varësi të itinerarit të maratonës.

Kreu i Bashkisë e ka quajtur edhe ditë festive 17 Tetorin, madje tha se janë organizuar në funksion të saj dhe disa koncerte dhe aktivitete të tjera.

“Ne kemi planifikuar jo vetëm pjesën sportive, që sigurisht është pjesa më e rëndësishme, prandaj dhe jemi certifikuar për maratonën që të zhvillojmë një garë sportive të denjë me kryeqytetet e tjera të botës, por edhe pjesën festive. Kemi organizuar rreth 7 pika me muzikë dhe me minikoncerte, pasi duam që qyteti ta përjetojë si një festë të madhe,” tha ai.

Kryebashkiaku ka nënvizuar faktin se kjo ditë do shërbejë edhe për vetë ekonominë lokale, pasi janë regjistruar deri tani mbi 1000 atletë që do vijnë nga jashtë Tiranës, apo dhe jashtë vendit, ndërsa e ka konsideruar edhe një sprovë për evente të përmasave të tilla.

“Teksa Tirana përgatitet për një fluks shumë të madh aktivitetesh vitin tjetër që është Kryeqyteti Europian i Rinisë, ne këtë ditë e shohim dhe si një provë gjenerale sa i takon aftësisë tonë për të organizuar megaevente, por edhe për ta trajtuar si një festë të komunitetit. Kështu që në 7 pika ne do të kemi organizime të kësaj natyre që sa më shumë lagje të Tiranës ta përjetojnë harenë që sjell maratona,” tha kryetari i Bashkisë.

Veliaj zbuloi gjithashtu se ndryshe nga maratonat e shkuara, itinerari këtë herë nuk është vetëm Tirana urbane, por edhe parqet e qytetit, një tjetër promovim për Tiranën turistike.

“Do të përshkohet edhe pjesa urbane edhe pjesa e parqeve. Është një mënyrë që edhe ata që e vizitojnë si vrapues të kenë mundësi të shohin Tiranën urbane, por nëpërmjet vrapit të shohin edhe pak Tiranën e gjelbër, Parkun e Liqenit, një zonë fantastike tani që është dyfishuar sidomos pas pastrimit që bëmë në mandatin tonë të parë dhe rivitalizimit e mbjelljes së pemëve. Është kjo një mundësi fantastike për të treguar edhe atë kartolinë të Tiranës, si bashkëjeton natyra me një qytet që urbanizohet dita-ditës,” tha Veliaj.