Sonela, edhe Tiranapost-it do t'i mungosh
Sot është ndarë nga jeta një mjeke dhe grua e fortë si Sonela Kavaja Xinxo. Ishte 49 vjeç. Kaq e re!
Pse dua të shkruaj 5 fjalë për Sonelën?
Fillimisht e kam njohur vetëm nga adresa e saj në Instagram. Emri 'Sonela_X' bënte like në shumë postime të Tiranapost. Fabiola, kolegia ime më thoshte, kjo duhet të jetë fansja jonë më besnike!!! Më vonë, rastësisht jemi takuar në Tiranë dhe mësova që 'Sonela_X' ishte një nga mjeket e mira që kishim dhe një grua e thelluar. I pëlqente të lexonte median dhe shumë libra.
I fundit që i sugjerova në javët fundit të luftës me sëmundjen, ishte Elif Shafak "40 rregullat e Dashurisë". Nuk fola më pas atij libri, por jam e bindur që bota e saj e madhe megjithë dhimbjet fizike ka gjetur plot përgjigje aty.
Sonela luftoi me sëmundjen. Deshi shumë ta fitonte betejën më të madhe që mund të ketë një njeri në emër të jetës, me vdekjen. Në një mënyrë ia doli, sepse nuk foli për të. Nuk iu dorëzua asaj dhe vazhdoi të merrte kënaqësi nga çdo gjë e vogël e jetës, të cilën duhet të kemi të gjithë sy ta shohim kur jemi mirë me shëndet.
Në tre vite të përballjes me tumorin, në inbox e Instagram kam komunikime dhe emoji sikur të ishte një njeri i lumtur, e me shëndet të plotë, matanë telefonit.
E dija përmes palësh të treta, që mjekes nuk i pëlqente të fliste për sëmundjen.
Më vjen sot pak keq që nuk pata kurajën ta pyes nëse do kishte dashur të linte një rrëfim për betejën e saj. Nuk jam e sigurt që e ka dashur. Por këtë shënim sot, jam e bindur që po.
E dashur Sonela, sot qielli ka një yll më shumë. Faleminderit për mbështetjen dhe për shembullin që le pas! Do të kujtojmë gjithmonë si një grua të fortë.
Dhe do të jesh e munguar në inboxin tonë:)
*Nga Mira Kazhani