Histori Personale

Po sikur të mund të isha bërë...? Joshja e çuditshme për jetët tona të pajetuara

Më poshtë është shkrimi i Joshua Rothman, gazetar i “The New Yorker” që orvatet të shpjegojë joshjen e qenies njerëzore mbi jetën që mund të kishte pasur, duke treguar historinë e jetëve të tij.

Po sikur të mund të isha bërë...? Joshja e çuditshme

Njëherë në një jetë tjetër, unë isha themelues i teknologjisë. Ishte fundi i viteve '90, kur Web-i ishte i ri dhe të gjithë po përpiqeshin të bënin para e të bënin bum me gjetjet e tyre. Në kolegj, dy nga shokët e mi të konviktit dhe unë zbuluam se secili nga ne kishte krijuar një kompani interneti në shkollën e mesme dhe i bashkuam ato për të formuar një kompani të vetme. Për gati 600 dollarë në muaj morëm me qira një hapësirë bodrumi në një ndërtesë të vjetër që e shndërruam në zyrë. Ne krijuam faqe në internet dhe softuer për një shërbim takimesh, një firmë sigurimi dhe një dyqan online ku klientët mund të "bënin Pazar”.

Në vitin 1999 një kompani na punësoi për të ndërtuar një mjedis pune bashkëpunues për klientët e saj. Ishte një projekt i madh, që iu besua disa studentëve kolegji. Ne ishim të tmerruar që kishim marrë përsipër një punë që nuk e dinim nëse mund ta bënim, por gjithashtu ndienim se ishim në rrugën e duhur për të krijuar diçka inovative. Ia dolëm dhe pas prezantimit të parë të draftit, arritëm të punësonim për ndihmë edhe disa miqtë tanë.

Ndryshe nga fëmijët e tjerë që thoshin: Çfarë është socializimi? Unë kisha një kartëvizitë ku shkruhej "Drejtori Kreativ". Punoja shumë, aq shumë sa ndonjëherë flija në zyrë ngaqë shkonte vonë dhe as nuk ia vlente të shkoja për pak orë në shtëpi, kur të nesërmen duhej të nisja shpejt nga puna.

Po më pëlqente e gjithë kjo gjë derisa kompania për të cilën punonim u shit dhe blerësi i ri nuk kishte më nevojë për punën tonë. Dhe kur, kur po mendoja të vazhdoja karrierën edhe jashtë kufijve. Atëherë mezi pagova faturat e shkollës. Gjithsesi vazhdova studimet. Një ditë ndesha në ashensor një vajzë biseduam për pak sekonda, pastaj zbritëm bashkë tek lokali i katit të parë dhe vazhduam bisedën, derisa u diplomuam dhe u martuam. Unë tani jam gazetar, burrë i martuar, babai i një djali, kam një jetë, një botë, një histori.

"Mendimi se mund të isha bërë dikush tjetër është aq dekurajues, saqë ndonjëherë të bën të ndihesh i dobët", shkruan studiuesi i letërsisë Andrew H. Miller.

Ne nuk e jetojmë jetën që duam për disa arsye: sepse bëjmë zgjedhje; sepse shoqëria na detyron të bëjmë zgjedhje; sepse ngjarjet na detyrojnë të veprojmë; mbi të gjitha, sepse ne jemi individë njëjës në fillim, por që bëhemi shumës me kohën. Ndërsa pendohemi për atë që nuk jemi bërë, ne vlerësojmë se kush jemi.

Për disa njerëz, imagjinimi i jetës së pajetuar është torturë, madje edhe një hyrje në vorbullën e krizës. Miller në librin e tij tregon historinë e Spencer Brydon, protagonist i përrallës së Henry James "The Jolly Corner". Si i ri, Brydon u largua nga Amerika për në Evropë, ku "ndoqi shtigje të reja dhe adhuroi perëndi të çuditshme", duke jetuar si një playboy. Tre dekada më vonë, ai kthehet në Nju Jork, ku bën një vlerësim të kolegëve të tij. Shumë prej tyre janë bërë të pasur, të fuqishëm dhe janë shumë të respektuar; ata kanë ndërtuar një jetë. Brydon, i cili është beqar dhe i vetëm, i realizuar sipërfaqësisht, fillon të pyesë veten se si do të kishte qenë nëse do të kishte qëndruar aty. A do të ishte bërë ai një biznesmen i suksesshëm? A do ishte martuar me shoqen e tij Alice? Ai fillon t'i kalojë netët e tij duke shëtitur nëpër korridoret e shtëpisë së fëmijërisë, i bindur se fantazma e njeriut që ai mund të kishte qenë endet atje. Përfundimisht, ai takon një version të vetvetes: një Brydon me një fytyrë me shenja dhe dy gishta të munguar të dorës, me një personalitet të tërbuar, humb ndjenjat. Zgjohet më pas me kokën në prehrin e Alices dhe kupton se e do atë: Kjo jetë qenka më e mirë se ajo që kishte!

Shumica prej nesh nuk ndiqet aq ashpër nga “njeriu që mund të kisha qenë”. Por, ndoshta për një mëngjes ose një ditë të caktuar të gjithë e mendojmë se mund të kishte qenë ndryshe.

Praktikuesit e vetëdijes na tregojnë se duhet të shohim larg, por duke e kthyer shikimin tonë në aktualitet, në këtu dhe tani.

Sërish sipas Miller, me shumë gjasa kapitalizmi me mundësi të pafundme zgjedhjesh që ofron, ka rritur numrin e jetëve tona të pajetuara.

Ngjarjet historike gjenerojnë jetë të pajetuara. Vite më vonë, ne mund të pyesim se ku do të kishim arritur nëse pandemia e koronavirusit nuk do të na kishte prekur.

Novelistët shpesh na kanë treguar përmes librave e historive për njerëz që të bllokuar nga rrethanat, luftojnë për të jetuar jetën e tyre "reale". Në "Anna Karenina" të Tolstoit, Anna, e lidhur pas një martese të mërzitshme, shkatërron jetën e saj në përpjekje për të ndërtuar një më pasionante, më autentike me Kont Vronsky.

Unë në fakt e kam më të lehtë të imagjinoj jetë të ndryshme për të tjerët, sesa për veten. Për shembull të imagjinoj për nënën time. Ajo u rrit në Malajzi, pastaj emigroi në Amerikë, si studente kolegji. Shkoi nëpër koncerte rock-u, ndoqi më vonë juridikun, u bë avokate me një karrierë të shquar, arriti punën që dëshironte shtëpinë e ëndrrave, u martua, por kurrë nuk ishte e lumtur. Ajo dhe babai im u divorcuan, më pas nëna luftoi me depresionin dhe vetminë.

Kur isha adoleshent, ne vizituam Malajzinë të dy së bashku. Unë u habita kur zbulova se ishulli ku ajo kishte kaluar fëmijërinë e saj ishte një parajsë tropikale. Kushërinjtë dhe miqtë e saj të vjetër ishin shumë të lumtur kur e panë. I shkëlqeu fytyra teksa hëngri gatimet e vendit të saj. Kaluam një ditë të tërë me të dashurin e saj të shkollës së mesme, i cili drejtonte një fabrikë të vogël. Globalizimi po e transformonte atë vend. A do të kishte qenë nëna ime më e lumtur nëse nuk do kishte emigruar? Duke menduar se ajo mund të kishte qenë më e lumtur, në fakt nuk u shqetësova se, nëse do të kishte jetuar këtë jetë alternative, unë nuk do të ekzistoja.

Shpesh, këto histori shërbejnë për diçka; ato provokojnë mendime që na lidhin më shumë me jetën tonë. Ato sugjerojnë që ne duhet të jemi mirënjohës për atë që kemi aktualisht, që duhet të zhytemi më thellë në jetën që kemi, në vend që të ëndërrojmë për jetën që nuk kemi. Por nëna ime, duke qenë e pakënaqur dhe e shqetësuar për nga natyra, shpesh mendonte për jetën e pajetuar. Ndonjëherë ajo dukej e humbur në to, ose e mashtruar prej atyre jetëve të pajetuara.

Ne të gjithë jetojmë këtu dhe tani; të gjithë kemi vetveten aktuale, jetën aktuale. Kjo jetë që kemi është gjithmonë në ndryshim. Ne jetojmë në pritje të ndryshimeve dhe gjetjes së kuptimeve. Shumë do ngelen pa thënë, pa parë, pa jetuar.

*Artikulli i The New Yorker u përshtat në shqip nga Tiranapost.al

*Ndalohet ribotimi i artikullit pa burimin Tiranapost.al