Pa diplomë universiteti, i mbijetuar i kancerit dhe burgut. Kush është Lula da Silva që rikthehet për të tretën herë president i Brazilit
Lula rikthehet në Presidencë
Luiz Inácio Lula da Silva (Lula da Silva) do të bëhet presidenti i 39-të i Brazilit më 1 janar 2023. Ai rikthehet në Presidencë, pasi shërbeu si presidenti i 35-të i vendit nga viti 2003 deri në vitin 2010, për dy mandate.
Nga Burgu, në Presidencë
Lula ishte kandidat gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2018-ës derisa një dënim për korrupsion dhe pastrim parash kufizoi aspiratat e tij politike. Ai u burgos dhe Bolsonaro, një ish kapiten i ushtrisë, fitoi presidencën.
Në vitin 2019, Lula u lirua nga burgu pasi Gjykata e Lartë i dha të drejtë duke e shpallur të pafajshëm. Kjo i hapi rrugën për të kandiduar sërish për postin. Vetëm se kur të vinin zgjedhjet e tjera. Dhe ja ku jemi! Fitoi me 50.9% të votave, përballë Bolsonaro-s.
Rritja në mes të varfërisë
Lula lindi më 27 tetor 1945 në Pernambuco, Brazil. Ai ishte i shtati nga tetë fëmijët e familjes dhe u rrit në varfëri. Dy javë pas lindjes së tij, babai shkoi Sao Paulo për të emigruar. Në dhjetor të vitit 1952, Kur Lula ishte 7 vjeç, nëna e tij vendosi të ndjekë pas bashkëshortin, bashkë me fëmijët e saj.
Deri 10 vjeç nuk dinte të lexonte
Deri në moshën 10-vjeçare, Lula nuk dinte të lexonte. E la shkollën që të ndihmonte familjen për të siguruar jetesën. E nisi punën si lustraxhi dhe pastaj si shitës në moshën 12 vjeç.
Humbja e njërit gisht
Në moshë 14 vjeç filloi të punojë në një fabrikë. Ishte 19 vjeç kur humbi gishtin e vogël në një aksident duke punuar. Pasi e humbi gishtin, iu desh të merrte trajtime mjekësore të vazhdueshme.
Nuk i përfundoi kurrë studimet
Lula vazhdoi të punonte gjatë gjithë kohës dhe nuk i përfundoi kurrë studimet.
Punoi si metalpunues dhe më vonë nisi të njohej si lider sindikatash -- duke organizuar greva në shkallë të gjerë kundër diktaturës ushtarake në pushtet që qeverisi Brazilin nga 1964-1985.
Hyrja në politikë dhe rrugëtimi
Më pas hyri në botën e politikës, duke themeluar Partinë e Punëtorëve të majtë (PT) në 1980-ën.
Ndërsa vazhdoi ngjitjen e tij politike, ai u mund në tre gara presidenciale përpara se të arrinte sukses në tetor të 2002-shit, duke u bërë presidenti i parë i klasës punëtore të Brazilit.
Gjatë kohës së tij në detyrë, Lula mori lëvdata ndërkombëtare për angazhimin me botën përmes politikës së jashtme të Brazilit dhe krijoi lidhje të ngushta me liderë të tjerë të krahut të majtë rajonal gjatë epokës së ashtuquajtur 'batica rozë' - një periudhë ku shumë vende të Amerikës Latine u kthyen në të majta.
Politikat e tij të brendshme si programi i mirëqenies Bolsa Familia ndihmuan në uljen e varfërisë ekstreme dhe nxitjen e mundësive ekonomike. Nëpërmjet programit të mirëqenies, familjet me të ardhura të ulëta merrnin një pagë mujore, me kusht që fëmijët e tyre të shkonin në shkollë dhe të bënin kontrolle të rregullta shëndetësore.
Gjatë mandatit të Lulës midis 2003-2010, Brazili kishte nivele të ulëta të papunësisë dhe analfabetizmit, pasi një bum i mallrave ndihmoi që 20 milionë qytetarë të dilnin nga varfëria.
Në këtë kohë të rritjes së fortë ekonomike, monedha braziliane u forcua kundrejt dollarit amerikan.
Gjithashtu gjatë kohës së Lulës në detyrë, autoritetet shtypën me forcë shpyllëzimin në Amazon.
Megjithatë, Lula u dënua ashpër nga ambientalistët pasi zhvendosi 40,000 njerëz për ndërtimin e digës hidroelektrike Belo Monte në Para. Ndërtimi thau pjesë të lumit lokal Xingu, duke ndikuar në komunitetet indigjene dhe të tjera lokale që mbështeteshin në të për ushqim.
Në vitin 2010, Lula u largua nga detyra me vlerësime të larta, por një skandal korrupsioni gjatë mandatit të tij bëri që opinioni publik sot për politikanin e majtë të jetë i ndarë.
Mposhtja e kancerit
Në vitin 2012 Lula da Silva mposhti kancerin e laringut. Kjo është një foto ku tregon bashkëshorten duke u kujdesur për të.
Dy herë i ve dhe martesa e tretë
Lula është martuar tre herë. Për herë të parë në vitin 1969, ai u martua me Maria de Lourdes, e cila vdiq nga hepatiti në vitin 1971.
Në vitin 1974, Lula u martua me Marisën, gruan e tij të dytë. Ata kanë bashkë tre djem. Marisa u nda nga jeta në vitin 2017, pas një hemoragjie cerebrale.
Për herë të tretë Lula u martua në maj të këtij viti, në një ceremoni publike me 200 të ftuar. Ai dhe sociologia Rosangela e njohur si Janja, kurorëzuan dashurinë 5-vjeçare.