Histori Personale

Kam një lidhje jashtëmartesore, a duhet ta lë burrin?

Kam një lidhje jashtëmartesore, a duhet ta lë burrin?

Burri im dhe unë kemi një marrëdhënie të gjatë. Kemi një dekadë bashkë, kryesisht duke dashur të njëjtat gjëra. Një vit e gjysmë më parë, unë njoha një klient të ri dhe papritur nisëm një lidhje. I thashë njëherë burrit se nuk isha e sigurt për ndjenjat e mia, për të ardhmen tonë. Isha aq afër të vërtetës, por munda ta menaxhoja situatën pa i treguar. Ai m`u lut që të qëndroja dhe jeta ime e dyfishtë dhe e trishtë nisi nga ky moment.

Ky vit ishte më i vështiri që kam kaluar. Prej izolimit mezi e kam takuar të dashurin, kurse burri pati një fatkeqësi dhe më thotë vazhdimisht që ka shumë nevojë për mua. I dashuri më thotë se e sheh të ardhmen me mua, por nuk po më bën presion. Cila është këshilla juaj?

Përgjigjia e ekspertes së marrëdhënieve Dr. Angharad Rudkin

Nuk është për t'u habitur që jeni duke luftuar. Keni pasur me burrin tuaj, një mirëkuptim dhe një jetë të rehatshme. Por çfarë ju pengon në të vërtetë të largoheni? Ju mendoni se është keqardhja dhe besnikëria ndaj burrit tuaj. Por unë pyes veten nëse dyshimi për të dashurin e ri është ai që ju pengon në të vërtetë.

Pasioni që ndjeni tani është dashuria romantike e fazës së hershme, e përforcuar nga fakti që nuk mund ta shihni njëri-tjetrin rregullisht. Është si të kesh një mëngjes luksoz që të shërbehet në shtrat. Por a është ky një vakt realist në planin afatgjatë? Po i dashuri yt çfarë do vërtet? Mbase nuk ju bën presion se as ai nuk është i sigurt. Si ka mundësi që përshtatet me këtë situatë?

Ti duhet të pyesësh veten a do ta kishe lënë burrin nëse ky zotëri s`do ishte shfaqur në jetën tënde. Do doje më mirë të ishe e martuar apo beqare? Se nuk ka asnjë garanci që i dashuri të martohet me ty. Ndaj mund të qëndrosh vetëm.

Analizo edhe nëse diçka ka ndryshuar mes teje dhe burrit pas asaj bisede. A jeni përpjekur ju për ta mbajtur marrëdhënien?

Le të jemi të qartë, nuk ka asgjë të turpshme që një marrëdhënie të përfundojë. Është pjesë e përvojës njerëzore edhe ndarja. Koha e duhur për ta lënë burrin nuk do vijë asnjëherë. Është e qartë që ai do përpiqet me ç`të mund të të mbajë lidhur pas vetes.

Bëni planin tuaj pasi t`u përgjigjeni gjithë këtyre pyetjeve.

*Artikulli i Metro u përshtat në shqip nga Tiranapost.al