Histori Personale

Gabimi narcisist që bëra me shoqen time kur sapo kishte humbur babain

Gabimi narcisist që bëra me shoqen time kur sapo kishte humbur babain

Një shoqja ime e mirë humbi babain e saj disa vite më parë. E gjeta të ulur vetëm, në një stol jashtë punës tonë. Nuk po lëvizte, por vetëm vështronte drejt horizontit. Ishte shumë e shqetësuar dhe nuk dija çfarë t’i thosha. Është kaq e lehtë t’i thuash diçka të gabuar dikujt që është i pikëlluar. Fillova t`i tregoj se si jam rritur pa baba. I thashë se babai im ishte mbytur në një nëndetëse kur isha vetëm 9 muajsh dhe unë përherë kisha mbajtur zi për humbjen e tij, edhe pse nuk e kisha njohur kurrë. Unë thjesht doja që ajo të kuptonte se nuk ishte vetëm, se unë kisha kaluar diçka të ngjashme dhe mund ta kuptoja se si ndihej.

Por pasi i tregova këtë histori m`u përgjigj: “Mirë, ti fiton. Ti kurrë nuk ke pasur një baba, kurse unë e kisha për 30 vjet. E jotja është më keq. E kam gabim që jam e mërzitur sepse babai im sapo ka vdekur”.

U trondita dhe u shtanga. Vazhdova t`i sqaroja se doja t`i tregoja që e di sesi ndihet, por sërish m`u përgjigj: Jo, ti nuk e di sesi ndihem.

Ajo u largua dhe unë qëndrova aty pafuqishëm, duke e parë atë të shkonte dhe duke u ndjerë keq. Kisha dështuar plotësisht. Në vend që ta ngushëlloja e bëra të ndihej më keq. Në atë moment mendova se ajo ndihej keq dhe se më keqkuptoi, por e vërteta është se ajo nuk më keqkuptoi fare. Ajo e kuptoi atë që po ndodhte ndoshta më mirë se unë. Kur ajo filloi të ndante emocionet e saj të papërpunuara me mua, u ndjeva jorehat. Kështu që unë vendosa të flas për veten time.

Ajo që bëra ishte heqja e fokusit nga ankthi i saj dhe kthimi i vëmendjes tek unë. Ajo donte të më fliste për babanë e saj, të më tregonte për atë lloj burri që ai ishte. Në vend të kësaj, i kërkova që të ndalej për një moment dhe të dëgjonte historinë time për vdekjen tragjike të babait tim.

Që nga ajo ditë e tutje, fillova të vërej se sa shpesh iu përgjigja historive të humbjes se dikujt me historitë e mia. Djali im më tregonte për një sherr në shkollë, unë e ndërprisja dhe i tregoja për një zënkë me një vajzë në kolegj. Kur një koleg e hoqën nga puna, unë nisa t`i tregoja historinë time kur kisha ngelur pa punë një periudhë. Vura re që këta njerëz nuk kishin nevojë për historitë e mia, por të dëgjoja dhe kuptoja e pranoja atë që ata po kalonin.

Sociologu Charles Derber e përshkruan këtë tendencë për të futur veten si protagoniste në një bisedë si 'narcizëm bashkëbisedues'. Është dëshira për marrë drejtimin e një bisede dhe për të folur pastaj për veten. Shpesh bëhet pa vetëdije. Derber shkruan se narcizmi bashkëbisedues ndodh në biseda joformale midis miqve, familjes dhe bashkëpunëtorëve. Derber përshkruan dy lloje të përgjigjeve në biseda: E para e kthen vëmendjen te vetja, e dyta mbështet komentin e personit tjetër. Këtu është një ilustrim i thjeshtë:

Kur kthehet vëmendja tek vetja:

A: Jam shumë e ngarkuar sot.

B: Edhe unë jam shumë e ngarkuar. Kam 100 punë për të mbyllur.

Përgjigjja mbështetëse:

A: Jam shumë e ngarkuar sot.

B: Pse? Çfarë duhet të mbyllësh patjetër sot?