Histori Personale

Edhe nëse nuk do shkosh gjëkundi, të flasësh për pushimet të bën mirë

Edhe nëse nuk do shkosh gjëkundi, të flasësh për

Ishte fundi i vitit të kaluar kur humba punën. Nisa të qaja në telefon kur ma komunikuan, por papunësia ime zgjati pak orë. Të nesërmen mora një tjetër telefonatë dhe një ofertë për punë që e pranova.

Mund të kisha bërë disa pushime, por ja që s`munda. Partneri im më pyeti se kur ishte hera e fundit që kisha pushuar dhe iu përgjigja se që në gusht, që kishim qenë bashkë në pushimet e verës.

Kisha filluar të konsumohesha profesionalisht. Flija shumë gjumë, por nuk ndihesha sikur të isha qetësuar. Pastaj hyja në rrjete sociale dhe shikoja që njerëzit ishin shumë mirë, të lumtur, të qetë.

Një kërkim i shpejtë në Google më tregoi se nuk isha vetëm unë në këtë gjendje. Sipas një hulumtimi, punëtori mesatar në Mbretërinë e Bashkuar kishte 14 ditë pushime të papërdorura në vitin 2020. Nuk është se unë jam njeri i fiksuar pas punës. Unë i dua pushimet, kohën për veten dhe përgjithësisht të lirohem nga streset kumulative.

Mora një vendim dhe e vura në zbatim. Mbylla rrjetet sociale, rregullova orarin e punës dhe fillova me një plan udhëtimi.

Nuk është sekret që pushimi i mirë është një përforcues i rëndësishëm i humorit. Por një shkëputje nga konkurrenca e pamëshirshme e jetës së përditshme, veçanërisht në internet, më ndihmoi të ndjehesha edhe më e fortë në një kohë kur kaq shumë forca konkurruese po shkatërrojnë rezervat tona të vetëvlerësimit dhe besimit tek vetja. E di që për momentin nuk kam ku të shkoj askund. Por me rëndësi është që po planifikoj diçka. Ditë për ditë po përgatis se ku do shkoj, çfarë do bëj, sa do qëndroj. Entuziazmi qëndron më shumë tek ngjitja e malit, sesa tek qëndrimi në majë.

Shpresoj që shifrat të ulen, masat të lirohet dhe unë e kam gati planin e udhëtimit.

*Letra personale e një gazetareje përshtatur në shqip nga Tiranapost.al