Histori Personale

E mbajta sekret kancerin e gjirit për 28 vjet, por ja pse ndryshova mendje

E mbajta sekret kancerin e gjirit për 28 vjet, por ja pse ndryshova mendje

Historia e mëposhtme vjen si një frymëzim për t`u ndërgjegjësuar për shëndetin dhe për t`u sensibilizuar ndaj kancerit të gjirit dhe rrezikut të diagnostikimit vonë. Merr rëndësi sidomos në tetor, në muajin e ndërgjegjësimit ndaj kësaj sëmundjeje.

Nga Yvonne Liu/ “Burri im dhe unë ishim në shtrat pas një darke romantike të përvjetorit tonë. Një vështrim i çuditshëm përshkoi papritur fytyrën e tij. “çfarë ke”, e pyeta.

“Sapo ndjeva një gjëndër të vogël në gjoksin tënd”, më tha. Me kaq mbeti ajo bisedë për atë natë. Të nesërmen burri më sugjeroi të shkoja tek mjeku dhe më porositi edhe përpara se të shkonte në punë. E telefonova doktorin dhe u diagnostikova me kancer. Jam gjallë 32 vjet më vonë. Fatmirësisht nuk u bëra statistikë.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve raportoi në vitin 2017 se kanceri është shkaku kryesor i vdekjes në mesin e amerikanëve me prejardhje aziatike ose të ishujve të Paqësorit. Ka një shkallë të ulët të diagnostikimit të hershëm. Është një problem i ndërlikuar, me rrënjë të ndërlikuara tek kultura, si turpi dhe frika që burojnë nga besimet tradicionale mijëravjeçare të Azisë Lindore. Disa besojnë se sëmundja vjen nga karma ose zgjedhjet e këqija. Pra e shohin si një mallkim. Studimet tregojnë se njerëzit në kulturën tonë e shohin kancerin si ndëshkim dhe e stigmatizojnë veten.

Sigurisht që edhe unë e ndjeva atë presion. Për 28 vjet, e mbaja sekret kancerin e gjirit. Unë jetoja me frikën se miqtë e mi do të mësonin se ç`po kaloja apo ç`kisha kaluar, do më shmangnin.

Ka edhe më keq. Më keq janë historitë e njerëzve që më kanë thënë se kjo frikë i ka ndaluar të kurohen. Katër vjet më parë, një mikja ime më tha se nuk kishte bërë kurrë mamografi. Një tjetër më tha se do të preferonte të vdiste më mirë se sa të bënte mamografi. Këto histori më bindën se duhej të flisja. Hipa një ditë në podium dhe fola në kishë para 300 grave aziatiko-amerikane. Kisha folur dhe herë të tjera, por kësaj radhe ishte ndryshe.

Pak minuta para se të flisja, iu luta vetes të mos qaja. E bëra gjithsesi. Sapo po tregoja atë që për 28 vite e fshihja. Pashë lot në faqet e fëmijëve të mi adoleshentë.

Stigma për kancerin më shtyu ta mbaja të fshehur sëmundjen time. Më vinte turp të isha e sëmurë. Turpi im buronte nga besimet e Azisë Lindore se unë ose paraardhësit e mi bëmë diçka për të sjellë këtë fatkeqësi. Disa madje mund të besojnë ende se kanceri është ngjitës.

Ju mund të mendoni se kjo lloj stigme është e ekzagjeruar. Cili e beson një marrëzi të tillë? Fqinja ime nuk i foli mikes së saj kur zbuloi se vuante nga kanceri.

Kur burri im më kërkoi të kontrolloja gjëndrën, nuk u mendova shumë. Mjeku përdori një gjilpërë për të nxjerrë lëngun prej gjëndrës. Unë nuk pata frikë se isha e re. Isha vetëm 29 vjeç dhe nuk mendoja që do ishte kancer. Dy ditë më vonë, pas diagnozës, të qarat më mbytën. Mendoja se isha e vetmja, se askush nuk kishte kancer e sidomos të rejat, jo. Isha e shokuar.

Mjekët arritën të shpëtonin gjoksin tim, por gjithsesi regjimi i kimioterapisë ishte rraskapitës. Gjashtë javë rrezatimi dhe më pas muaj të tërë kimioterapi. Me medikamentet e reja, pacientët përjetojnë më pak të përziera dhe efekte të tjera anësore pas kimioterapisë. Gjithsesi mbetet e vështirë.

Megjithatë, në vend që të kërkoja mbështetjen e miqve dhe shokëve të kishës, vuajta në heshtje. Isha e vendosur të dukesha e fortë, e përsosur. Dhe kjo sjellje nuk ishte vetëm dëmtuese emocionalisht, por mund të më shkaktonte edhe një dëm fizik.

Kur mbarova kimioterapinë time të fundit, bërtita: “Mbarova!”.

Shpresoja të mos vizitoja më kurrë një qendër infuzioni. Unë dhe burri im pritëm për dy vjet, derisa ishim të sigurt që isha mirë, që nuk kisha më asnjë qelizë kanceroze në trup dhe më pas, në moshën 32-vjeçare, linda një vajzë të shëndetshme. Pastaj sollëm në jetë edhe një tjetër vajzë dhe një djalë. Vazhdova jetën time. Punën, rrita fëmijët dhe nuk fola kurrë për atë që kisha kaluar, me askënd. Derisa një ditë po drekoja me një mike dhe përmenda që duhet të bëja mamografinë rutinë. Siç e bëj çdo vit. Ajo më tha: “Unë kurrë nuk e bëj kurrë. Kam frikë ta zbuloj”.

Ndalova, mora frymë dhe i tregova për sëmundjen time.

Por çfarë ndodh me gratë e tjera që mund të kenë shumë frikë të lëë një takim mamografie? E dija që vjehrra ime ishte një prej tyre. Iu luta derisa më në fund e bëri për herë të parë në moshën 60-vjeçare. Mjekët gjetën në trupin e saj një gjendër malinje, por ajo u kap herët. E rrethuar nga fëmijët dhe nipërit e saj, ajo festoi ditëlindjen e 91-të muajin e kaluar.

Ndaj fola atë ditë në kishë për sëmundjen time, për të inkurajuar gratë e tjera që të marrin përgjegjësinë për shëndetin e tyre.”