Histori Personale

Bëra 22 vite terapi se kisha frikë nga vdekja, derisa vëllai im u sëmur me kancer

Bëra 22 vite terapi se kisha frikë nga vdekja, derisa vëllai im u

Ataku i parë i panikut ndodhi kur isha 7 vjeç. Po shikoja 'The Langoliers' të Stephen King-ut, i cili ndjek 10 pasagjerë në një fluturim, të cilët zgjohen dhe zbulojnë se avioni i tyre është zhdukur dhe ata janë krejtësisht vetëm në një aeroport bosh. Nuk e di pse, po teksa shikoja këtë film, krijova idenë që kur vdes, trupi yt largohet, por shpirti yt vazhdon të jetojë. Është sikur shpirti të ketë mbetur i vetëm, në një aeroport bosh, përgjithmonë e përgjithmonë.

Vrapova në korridor, u rrëzova në një top dhe zvarritesha derisa gjunjtë m`u gjakosën. I shkula flokët nga rrënjët derisa dora m'u mbush plot. Vëllai im, Dave, m'i mbajti kyçet e duarve për të më penguar që të dëmtoja veten më shumë. Ai dhe prindërit i më përqafuan, më bënë një banjë të nxehtë dhe bënë çmos për të më qetësuar. Ata më thanë se historia që e kisha bindur veten se ishte e vërtetë ... nuk ishte. Unë thjesht kisha parë një film dhe kaq.

Këto lloj sulmesh paniku vazhduan për më shumë se një dekadë. Por të gjithë në familjen time dhe unë besuam se me ndihmën e terapistëve, këto frikëra do të shuheshin me kalimin e kohës. Mendonim se ishte frikë fëmijërie. Dhe nuk ishim të vetmit që menduam kështu - mbaj mend që një psikoterapist kur isha 10 vjeç në seancën tonë të tretë më tha: “Kur të jesh 17 vjeç, këto mendime do të largohen. Kështu që mos mendo më për to deri atëherë.” Nuk e kisha idenë se si dhe pse e caktoi atë moshë, por për vite me radhë prita. Mendova se në mëngjesin e ditëlindjes sime të 17-të, do të zgjohesha dhe frika do të ishte zhdukur.

Ai e kishte gabim. Në fakt, jo shumë kohë pasi mbusha 17 vjeç, filluam një lëndë astronomie në klasën e shkencës. Diçka në lidhje me pafundësinë e universit, së bashku me idenë e të qenit vetëm si një shpirt lundrues më bëri edhe më keq. Sulmet e panikut, të cilat i kishin lënë vendin çrregullimit obsesiv-kompulsiv dhe depresionit, u bënë aq të këqija saqë u detyrova të bëj një pushim nga shkolla.

Kjo ishte kur shtova dozën e laçeve të mia dhe fillova seancat me një terapist të sjelljes njohëse. Për të më ekspozuar frikën time nga vdekja, terapisti më kërkoi të lexoja ese për vdekjen - shumë ese për vdekjen. Unë madje shkrova një këngë për të - më udhëzuan ta regjistroja këngën dhe ta vendosja në sfond teksa laja dhëmbët çdo natë.

Pikërisht në atë kohë fillova të krijoj idenë e një skenari filmi të quajtur 'Vdekje, fantazma dhe gjëra të tjera'. Çuditërisht, skenari kishte të bënte me veten time adoleshente që përpiqej të pajtohej me vdekjen e një shoku. Ideja për të shkruar skenarin ishte e imja, por terapisti im e miratoi.

Me kalimin e kohës, vazhdova të vizitoja disa mjekë - terapistin tim, psikiatër - dhe përfundimisht, fillova të përmirësohem. Ushtrimet e ekspozimit, të kombinuara me tre ilaçet e ndryshme që po merrja, po funksiononin. Vazhdova të punoja me skenarin tim dhe madje u regjistrova në një kurs virtual për ta përfunduar atë. U diplomova në Uashington, D.C. dhe po e shijoja jetën time.

Por si të gjitha gjërat e mira, nuk zgjati.

Tre muaj më parë, vëllai im Dave u diagnostikua me një formë agresive të limfoma Burkitt. Dhe për herë të parë ndonjëherë, u detyrova të pajtohesha me faktin se e kisha pranë vdekjen e se personi më i afërt me mua mund të vdiste.

Limfoma Burkitt është e rrallë në vendet perëndimore dhe përbën vetëm 1% të limfomave të të rriturve, sipas Fondacionit të Leukemisë. Burkitt konsiderohet një limfomë 'shumë agresive' sepse përhapet shpejt, shpesh në palcën e eshtrave, gjak dhe sistemin nervor qendror.

Në një farë mënyre, diagnostikimi i Dejvit me këtë formë kanceri ka qenë një terapi ekspozimi në vetvete. Shumë më shumë me peshë sesa terapia që kam bërë gjithë jetën.

Ditën kur mësova se Dave ishte i sëmurë, pata sulmin tim të pare pas kaq kohësh të panikut. Ishte një përgjigje intuitive ndaj lajmit dhe dukej sikur vitet e terapisë që kisha bërë dolën jashtë dritares. Nisa ilaçe që kisha 5 vite që i kisha lënë dhe rinisa seancat.

Pastaj, gjatë raundit të dytë të kimioterapisë së Dave, ndodhi diçka interesante: Filluam të flasim për vdekjen. Dejvi dhe unë folëm drejtpërdrejt me atë që ai po përballej. Pa ekzagjerime. Pa eufemizëm.

Duke folur për vdekjen dhe duke folur me Dave për të, vdekja humbi fuqinë e saj. E humbi kontrollin që kishte mbi mua.

Që nga java e kaluar, Dave është në gjysmë të rrugës së trajtimit të tij kimio. Jam e lumtur të them se i gjithë kanceri është zhdukur, përveç një grimce në femurin e tij të majtë. Mjekët shpresojnë se tre raundet e fundit të kimioterapisë do ta çrrënjosin atë dhe nuk do t`i duhet të bëjë më terapi.

Pavarësisht reagimit tim fillestar ndaj lajmit për sëmundjen e Dave, vëllai im është duke përjetuar potencialisht atë që kisha frikë për kaq shumë vite. Kjo nuk do të thotë se jam 'OK'. Nuk do të thotë që po eci me një buzëqeshje në fytyrë. Kalova vite duke u përpjekur ta kapërcej këtë frikë pikërisht në kohën që vëllai im të përballej me të. Pra, ndoshta në një mënyrë të çuditshme, të shtrembëruar dhe të errët, gjithçka ishte e thënë të ndodhte.

Javën e kaluar, me ndihmën e vëllait tim, shkrova një fund të ri për skenarin tim. Ai përfshin një personazh të quajtur Charley. Bëhet fjalë për të kuptuar se e nesërmja nuk është një gjë e sigurt dhe e pasnesërmja aq më pak.