Filozofia Urbane

Spektakli i rikthimit në teatrin post covid

Një shënim i shkurtër mbi shfaqjen “Ferma e kafshëve”, një produksion i Teatrit Kombëtar në Tiranë. Nën regjin e Driada Dervishit në skenë shkëlqyen Neritan Liçaj, Hervin Culi, Erjona Kakeli, Florian Agalliu, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi, Dori Caushi , Xhuliano Brisku dhe Urim Aliaj.

Spektakli i rikthimit në teatrin post covid

Nga Albatros Rexhaj/ “Ferma e kafshëve” nga Driada Dervishi jo vetëm e rikthen teatrin në Tiranën e lodhur nga trauma e Covid-19, por njëherësh e rikthen edhe të gjithë emocionin që publiku e pret te një shfaqje. Një shfaqje që pretendon të kapë elementet e spektaklit duhet që brenda vetes t’i ketë të gjitha ato për të cilat ka etje një skenë, ndërkaq, aktorët e Driadës, amfiteatrit të liqenit të Tiranës i dhanë aktrimin dhe këngën si dhe pothuajse çdo cep të skenës e mbushën me kërcime dhe luftëra skenike. Brenda narracionit të përgjithshëm, këto elemente të ndryshme skenike herë sinkronizoheshin e herë i lëshonin rrugë njëra-tjetrës, gjithnjë me kujdes që asnjë element të mos i bëjë hije tjetrit. Prandaj, në total, ferma e Driadës nuk mund të përjetohet ndryshe pos si një spektakël skenik.

Përdorimi i elementeve që fatkeqësisht publiku shqiptar është mësuar t’i shohë më tepër vetëm në spektakle televizive, e bën të mundur kalimin e fokusit të vëmendjes nga intriga e fabulës te vetë personazhet. Edhe pse një aktor mund të luante disa personazhe njëkohësisht, në këtë rast edhe t’i mveshin vetes tipare kafshësh të caktuara, ndërlidhja me elementet e shout të tipit të lartpërmendur, por edhe të formulave që mund të hasen te filmat e Disney Production, e neutralizonte tërësisht identitetin prej kafshe të personazheve dhe kjo e lejonte ndjesinë e empatisë me fatin e personazhit.

Ky kompozicion i dha hir të veçantë skenik një vepre që i takon frymës së teatrit epik, që duke qenë i fokusuar te idetë dhe mesazhi që synon të përçojë, di të jetë edhe i lodhshëm. Në vend se të vinte si një dush i ftohtë intelektual, të cilin edhe mund ta refuzojmë, “Ferma e kafshëve” e Teatrit Kombëtar në Tiranë erdhi si një freski argëtuese, që e bënte më të lehtë përthithjen e mesazhit anti-totalitar që përçon vepra e Orvellit. Dhe kjo, sipas meje, është meritë e aktorëve që u përkushtuan te shfaqja dhe jo te tendenca për të mbizotëruar njëri-tjetrin. Në ekipin e Driadës nuk kishte një Ronaldo apo Messi që përpiqet ta rrëmbejë vëmendjen, por e gjithë trupa vepronte si një e vetme e fokusuar në qëllim të përbashkët. Pa këtë lojë ekipore shfaqja do të vuante padyshim nga një zbrazje nga brenda. Aktorët, njësoj si futbollistët, dinë të jenë qenie paksa egoiste, prandaj ky përkushtim drejt kolektives e meriton një BRAVO. Dhe jam i sigurt që këtë impresion timin e ndien pothuajse çdo shikues në fund të shfaqjes dhe, në mendimin tim, kjo shkon përtej linjave të asaj që i takon një përjetimi subjektiv.

Spektakli i rikthimit në teatrin post covid

Gjithsesi, si kolegë të fushës së teatrit, nuk do të ishim të sinqertë dhe as të drejtë nëse njëri-tjetrit nuk ia themi ato detaje që mund të shërbejnë si pika reflektimi për produksionet e radhës, por edhe si pika debati në mes kolegësh. Teatri, si çdo ndërmarrësi tjetër, është një tip laboratori që ka nevojë për rifreskim dhe diskutim të vazhdueshëm. Në këtë shënim timin përshtypjesh nga kjo shfaqje, do të fokusohem në dy elemente që i konsideroj të rëndësishme për debatin e përgjithshëm rreth shfaqjes.
Gjatë studimeve në shkollën e dramaturgjisë, profesori insistonte në atë që një artist teatri duhet vazhdimisht ta shtrojë pyetjen, çfarë dobie ka publiku nga kjo histori? Pra, çfarë synojnë autorët e shfaqjes? Ta argëtojnë publikun, ta vetëdijësojnë, t’ia tërheqin vëmendjen për diçka, ta edukojnë në funksion të një qëllimi(...)? Në pjesën e dytë të shfaqjes, këtë pyetja e bëra edhe unë, pasi që e gjeta veten duke ndier dy lloj reagimesh nga ana e publikut. Brezi më i vjetër, pra ata që e kishin përjetuar totalitarizmin e regjimit monist, te figura e Napoleonit jo vetëm që e shihnin qartë figurën e Enver Hoxhës por edhe e ri-ndienin kthetrat e regjimit të tij, me anë të së cilave ai imanipulonte dhe kontrollonte shqiptarët. Në anën tjetër, brezi i ri, që nuk e ka jetuar regjimin e Enverit, kishte reagime të tjera. Për ta, ajo që ndodhte në skenë ishte diçka absurde por njëherësh edhe komike. Pas shfaqjes, bisedova me disa prej tyre dhe mu konfirmua kjo përshtypje e imja (parafrazoj komentin): kemi dëgjuar nga prindërit për kohën e Enverit, por nuk e imagjinojmë dot si realitet, ndërkaq ajo që pamë në skenë na dukej argëtuese. Kjo, për mua, përbën një problem.

Përderisa është e vërtetë që “Ferma e kafshëve” është një reagim letrar ndaj përmbysjes së vlerave të revolucionit bolshevik, pra përvetësimit dhe manipulimit që Stalini i kishte bërë luftës për barazi klasash, vepra po ashtu është universale dhe gjen aplikim në të gjitha situatat ku një person synon ta përvetësojë sistemin. Diktatorët si Stalini dhe Enveri sot janë zëvendësuar me autokratë të ndryshëm (të hapur dhe të fshehur) që synojnë ta përmbysin demokracinë dhe lirinë. Nëse Driada dhe Teatri Kombëtar kanë vlerësuar që shfaqja duhet të jetë vetëm në funksion të rikujtimit të marrëzisë së komunizmit dhe të mos prekë mbi autokratët e sotshëm, atëherë, diku atje prapa perdeve, e paskemi të fshehur një Napoleon të ri, ndërkaq ne, publiku, qenkemi brenda një ferme masive.

Spektakli i rikthimit në teatrin post covid

Pak guxim! Sipas meje, kjo është ajo që i mungon këtij produksioni.
Si element të dytë, më duhet të flas për Bojken Lakon dhe funksionin e tij në skenë. Bojkeni dhe ekipi i tij ka bërë një punë të jashtëzakonshme në muzikën e shfaqjes si dhe në elementet skenike që lidheshin me këngën dhe kërcimin. Ajo që më dëgjuan veshët dhe pashë kur këndonin dhe kërcenin aktorët ishte e nivelit të denjë për Broudvej, por nuk e kuptova cili ishte funksioni i Bojkenit në skenë. Në formën aktuale, pra si narrator, Bojkeni nuk ka ndonjë funksion real në skenë, për më tepër, kohë pas kohe, është edhe burim shpërqendrimi dhe një mish i egër brenda kompozicionit të shfaqjes.

Si përfundim: një shfaqje (por edhe një film) nuk përbën një sukses, nëse nuk të nxitë të mendosh për atë që të ka shijuar, atë që do e marrësh me vete si material për biseda me miq, por edhe për atë që secili e vlerëson se do të mund të bëhej ndryshe (jo domosdoshmërish më mirë). Dhe shfaqja “Ferma e kafshëve” e Driada Dërvishit, produksion i Teatrit Kombëtar në Tiranë, i ka të gjitha. Një spektakël skenik që të argëton, por edhe të bën të mendosh për të shkuarën që fare lehtë mund të në përsëritet.

(Autori është shkrimtar dhe dramaturg)