Shije

Filozofi që adhuron të shkruajë në Twitter, Edgar Morin: Demokracia zhduket nëse nuk ka konkurrencë idesh

“Nën diktaturat totalitare gjithmonë ëndërrohet për demokracinë, e cila e humbet gjithë magjinë sapo arrihet. Demokracia mund të mbijetojë vetëm në sajë të konkurrencës së ideve, por kjo konkurrencë thuajse është zhdukur tashmë.”
Filozofi që adhuron të shkruajë në Twitter, Edgar Morin:

Edgar Nahoum, i lindur në Paris më 1921, mori emrin “Edgar Morin” në moshën 21 vjeçare kur u bë pjesë e Rezistencës. Libri i parë ishte “Viti zero i Gjermanisë nga pikëpamja e një francezi”, që tregonte eksperiencën e tij si ushtar në Berlin pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në fillimin e viteve ‘70 jetoi ca kohë në Kaliforni, për t’u rikthyer në Francë ku u bë një ndër pjesëtarët kryesorë të lëvizjes ekologjiste. Sot jeton në Motpellier dhe është ndër zërat më autoritarë të filozofisë bashkëkohore.

Zoti Morin, në moshën 97 vjeçare ju jeni çdo ditë aktiv në Twitter, diçka jo e zakontë për një filozof të brezit tuaj. Si vallë?

Kohë më parë, një mik më kërkoi të shkruaja në Twitter idetë e mia për reformën e shkollës në Francë. Prej asaj kohe, nisa të “tweetoj” për gjithçka që më vinte ndër mend: mendime, vargje, citime, komente politike, pra gjithçka që përbënte universin tim. Zbulova se koncepte shumë komplekse mund të sintetizohen duke përdorur paradoksin e shkurtimit. Argëtohem duke mbledhur mendime që fliten rreth e rrotull dhe Twitteri të jep mundësinë që të formosh maksima dhe aforizma, fiks siç bënte Rochefoucauld.

Për ju Twitteri përfaqëson një mjet që zëvendëson format e tjera të shkrimit?

Jo. Këto ditë po përfundoj së shkruari një libër kujtimesh. Shpesh herë kam folur për evolucionin tim intelektual, por shumë më rrallë për marrëdhëniet e mia, miqësitë apo ndjenjat. Kam treguar Rezistencën, por më shumë në kontekstin politik dhe historik, ndërsa tani preferoj të flas për njerëzit. Kështu që vazhdoj të shkruaj, siç kam bërë gjithmonë.

Shumë shpejt do të mbushni një shekull jetë. Cila është sipas jush periudha më e mirë?

Pas luftës pati një fazë të shkurtër euforie. Liria, vëllazëria... Më pas me Luftën e Ftohtë gjërat ndryshuan tërësisht. Por kam pasur fatin të jetoj kohë të mrekullueshme, si për shembull më 1969 në Kaliforni apo më pas në Toskanë ku punova për veprën time të parë, “Metoda”. Ka periudha që i kam quajtur “ekstaza të historisë”: çlirimi i Parisit ishte pa dyshim një prej këtyre momenteve. Kam jetuar edhe në Lisbonë gjatë fundit të diktaturës, siç edhe fillimi i Majit 1968 ishte i mrekullueshëm. Por momentet poetike festohen në mënyrë kolektive. Për shembull, fitorja e Kombëtares Franceze në Kampionatin Botëror na dhuroi një natë të mrekullueshme. Shkrova në Tëitter se ai 15 korrik ishte një festë e vërtetë kombëtare, e një France të bashkuar, republikane dhe multikulturore. Isha në Paris dhe pashë se flamuri valëvitej nga grupe zezakësh, afrikanësh, algjerianësh...të gjithë në festë. Ishte një moment ekstaze. Mëngjesin e së nesërmes mbaroi gjithçka, por ato momente unë i adhuroj.

A është më e vështirë me kalimin e viteve që të uleni në tavolinë dhe të punoni?

Deri më tani gjithmonë kam shkruar për shkak të një impulsi të brendshëm. Nuk e di nëse do të jetë më kështu pasi të kem mbaruar kujtimet e mia. Si vepër pasardhëse kam në mendje diçka shumë të shkurtër. Ajo që me të vërtetë më trondit është mungesa e mendimit politik. Prej disa kohësh mbaj konferenca me tema shkencore dhe filozofike. Në të shkuarën kam punuar mbi fusha të ndryshme të dijes dhe është ajo që quaj “mendim kompleks”. Asgjë nuk kam shpikur, vetëm kam bashkuar gjërat mes tyre. Sot shkenca nuk ka më të njëjtën vlerë vendimtare si në shekullin XIX. Njeriu është në të njëjtën kohë homo faber, homo economicus dhe homo ludens dhe është një qenie komplekse. Për të kuptuar historinë duhet të bashkojmë Shekspirin me Marksin.

Prej dekadash përpiqeni të shpjegoni se si mendimi po bëhet gjithmonë e më shumë kompleks. Ju nervozon fakti se si shumë politikanë kërkojnë të injorojnë kompleksitetin e botës në sytë e zgjedhësve të tyre?

Mendimi kompleks duhet të bëjë hapa përpara. Jemi dëshmitarë të reduktimit të dijes, një ngjarje e dominuar nga forca e shifrave. Sa më shumë rritet kompleksiteti i botës, aq më pak të vlefshme duken mendimet e përhapura sot. Përfaqësojnë një vizion të verbër dhe kjo gjë më shqetëson shumë. Por e di fort mirë se më kuptojnë vetëm ata që kanë të njëjtat mendime, pra po predikoj në shkretëtirë. Ama është një gjë që nuk më shqetëson, për sa kohë unë i besoj ato që them.

Ju shqetëson e ardhmja e demokracisë?

Problemi është se demokracia nuk përfaqëson një të vërtetë. Partive u lihet një periudhë kohe për të realizuar vizionet e tyre. Në të kundërt, regjimet totalitare thonë se e zotërojnë të vërtetën. Pasoja është se nën diktaturat totalitare gjithmonë ëndërrohet për demokracinë, e cila e humbet gjithë magjinë sapo arrihet. Demokracia mund të mbijetojë vetëm në sajë të konkurrencës së ideve, por kjo konkurrencë thuajse është zhdukur tashmë.

Cili është vizioni juaj për të ardhmen?

Siç thashë rreziqet janë të shumta. Për më shumë, progresi teknologjik po prodhon krijesat e para transnjerëzore. Do të kemi individë që do të jetojnë shumë më gjatë falë përdorimit të teknologjive që lidhin inteligjencën artificiale me atë njerëzore. Kështu krijohen kushtet për krijimin e një shoqërie homogjene nga algoritmet. Por homogjeniteti vret kreativitetin. Mund të ndodhë edhe që përdorimi i metodave trannjerëzore të shpjerë në krijimin e një kaste “supernjerëzish”, të izoluar nga një hapësirë e mbrojtur, ndërsa shumicës do t’i duhet të mbijetojë në mjerim. Nuk dimë asgjë dhe vështirë se mund të parashikojmë. Gjithçka po ndryshon shumë shpejt.

Çfarë ju nevrikos?

Jetojmë në një periudhë të trishtë, shqetësuese, por në të njëjtën kohë magjepse. Prandaj më nevrikos vetëm ideja se nuk kam më kohë të jem pjesë e ngjarjeve të jashtëzakonshme që do të ndodhin në të ardhmen e afërt.

Paksa melankolik?

Eh, po./ Edgar Morin, sot 97 vjeç, është ndër filozofët dhe sociologët më të njohur francezë, mbi të gjitha për konceptin e “mendimit kompleks”. Punimet e tij të fundit janë fokusuar në çështjet e edukimit, ndërsa numëron mbi 40 libra të botuar e të përkthyer në mbi 30 gjuhë. Në shqip gjendet libri “Shtatë dijet e nevojshme për edukimin e së ardhmes”. Artikulli origjinal është botuar nga “Die Ëelt” dhe u shqipërua nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al