FACT CHECK

Do e padis për videon! Drejtori i Policisë Ardi Veliu: Fjala ime u nxorr nga konteksti, çfarë ka thënë ai konkretisht?

Do e padis për videon! Drejtori i Policisë Ardi Veliu: Fjala ime u

Drejtori i Policisë Ardi Veliu shfaqi një video sot të nënës së 15 vjeçarit, Sarandi Çobo, ku shihej me pistoletë në dorë.

Zaida Çobo reagoi duke thënë se do e padisë drejtorin e policisë duke pretenduar se ajo video është pjesë e xhirimeve të një filmi.

Do e padis për videon! Drejtori i Policisë Ardi Veliu: Fjala ime u

Djali i saj 15 vjeç u dhunua disa ditë më parë nga një polic pranë liqenit se kishte dalë pa leje dhe videoja që qarkulloi në media e rrjete sociale u komentua gjerësisht.

Pas nënës së 15 vjeçarit ka reaguar sërish Drejtori i policisë së shtetit, Ardi Veliu, i cili thotë se fjala e tij po nxirret nga konteksti dhe thekson sërish se polici është pezulluar. ai kërkon ndjesë nëse ka krijuar keqkuptim.

Do e padis për videon! Drejtori i Policisë Ardi Veliu: Fjala ime u

Por a është nxjerrë nga konteksti fjala e Ardi Veliut në Komisionin e Sigurisë?

Tiranapost.al bën zbardhjen e plotë të fjalës së tij.

Ardi Veliu: Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë. Punonjësit e policisë në një rast të caktuar kanë një kapërcim të kompetencës dhe punonjësi i policisë i cili ka konsumuar këtë veprim është pezulluar, ka filluar hetimi disiplinor, njëkohësisht ka filluar dhe një hetim penal nga SHÇBA. Por më besoni, në qoftë se do ta shikojmë nga fillimi në fund çfarë përfaqëson ky djali, a është me të vërtetë ky djali që i është bindur të gjitha veprimeve, thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja e tij, e cila ishte ndier shumë e fyer. Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë.

Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë.

Postimi i plotë i Veliut si më poshtë:

Deklaratë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu:

Jam i keqardhur që Policia e Shtetit bëhet rregullisht shënjestra e atyre që kurrë nuk e thanë një fjalë motivuese për të dhe sot përsëri e njëjta gjë.

Ndërkohë që ne jemi organizata më rigoroze në goditjen e fenomeneve brenda vetes, mjafton që një punonjës i yni të bëjë një gabim dhe megjithëse ndëshkohet në radhë të parë prej nesh, prapëseprapë goditja vijon ndaj Policisë së Shtetit.

Sot unë jam vënë personalisht në shënjestër dhe më vjen keq për deformimin që po i bëhet realitetit të ngjarjes për të cilën fola dhe vetë qasjes sime ndaj saj.

Së pari, fjala ime nuk mund të nxirret nga konteksti, siç po bëhet.

Së dyti, kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate.

Së treti, kam sqaruar se punonjësi në fjalë është pezulluar dhe ka nisur hetimi disiplinor dhe penal për të.

Së katërti, unë po komunikoja hapur me deputetët, një shqetësim që është i mbarë punonjësve tanë, për demonizimin që i bëhet figurës së Policit të Shtetit dhe nuk doja të thosha më shumë se kaq.

Por në fund dëshiroj t'u them të gjithë atyre që po e gjykojnë me ngut këtë "krim" të radhës, se nëse nuk kam arritur dot ta sqaroj si duhet atë ç’ka kisha qëllim, kjo nuk mjafton për të më gjykuar me qëllim.

Këtë detyrë e kam mbajtur dhe do ta mbaj deri në fund me nder dhe puna ka folur e do të flasë për mua dhe Policinë e Shtetit më mirë se sa fjalët tona.

Ndjesë nëse kam krijuar një keqkuptim me komentin tim dhe besoj se kushdo që do të gjykojë pa paramendim dhe pa e menduar edhe këtë si rastin e radhës për të baltosur Policinë e Shtetit, do të gjejë arsye për ta pranuar ndjesën time!