Aktualitet

Evoluimi i Blockchain, a mund të funksionojë në vendin tonë?

Evoluimi i Blockchain, a mund të funksionojë në vendin tonë?

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë kanë bërë studimin e parë rreth evoluimit të Blockchain dhe faktet që mund të ketë në ambientin monetar në periudhë afatgjatë në vendin tonë

Bankat qendrore në të gjithë botën e kanë rritur vëmendjen dhe po monitorojnë zhvillimet në ekspansionin e monedhave virtuale dhe ndikimin që ato do të kenë në politikat klasike monetare të vendeve. Edhe Banka e Shqipërisë është në ndjekje të këtyre zhvillimeve. Eksperti Bledar Hoda nga Departamenti i Kërkimeve bëri studimin e parë rreth evoluimit të Blockchain dhe faktet që mund të ketë në ambientin monetar në periudhë afatgjatë në vendin tonë.

Hoda argumenton se në Shqipëri, monedhat virtuale nuk kanë përhapje. Zhvendosja e kursimeve në blockchain në periudhë afatgjatë mund të sjellë reduktim të ofertës monetare. Zoti Hoda shpjegoi më tej si funksionojnë sistemet e blockchain dhe specifikat, Bitcoin si monedha më përfaqësuese.

Çfarë janë monedhat virtuale dhe si operojnë

Kriptomonedhat ose monedhat virtuale janë monedha dixhitale të emetuara nga individë privatë, të cilat nuk kanë vlerë ligjore të garantuar nga një shtet sovran apo institucion ndërkombëtar. Vlera e tyre e tregut luhatet si rezultat i kërkesës së individëve për transaksione ose i pritshmërive të tyre mbi rritjen e mundshme të çmimit të tregut në të ardhmen. Media elektronike përdor një mori terminologjish për t’iu referuar monedhave virtuale.

Infrastruktura e një kriptomonedhe është një sistem elektronik pagesash i decentralizuar, i disponueshëm për publikun dhe i rregulluar nga një protokoll elektronik i hartuar privatisht. Pranimi i protokollit rregullator elektronik nga ana e agjentëve që operojnë infrastrukturën rregullohet nga motive financiare (incentivat) që garanton vetë protokolli për përdoruesit. Këto motive konsistojnë në: (i) të ardhurat financiare për agjentët operues të sistemit dhe (ii) dobishmërinë e përdorimit të këtij sistemi pagesash për individët. Protokolli elektronik kryen rolin që ndërmjetësit garantues të pagesave kryejnë në sistemet tradicionale të pagesave, sikurse bankat qendrore, autoritetet rregullatore apo sipërmarrësit privatë Visa dhe Mastercard.

Monedhat virtuale operojnë pa pasur nevojën e një ndërmjetësi të tretë garantues të këtyre transaksioneve. Gjithashtu, krijimi i parasë realizohet nga i njëjti protokoll elektronik që mundëson kryerjen e pagesave. Në këtë mënyrë, krijimi i parasë virtuale realizohet sipas një ritmi të parashikueshëm të përcaktuar nga protokolli elektronik operues. Si shembull për vlerësimet e dhëna në këtë material është marrë monedha virtuale Bitcoin, si më e përhapura ndër to dhe për të cilën gjenden më lehtësisht dhe vlerësime sasiore.

Autori anonim i kriptomonedhës Bitcoin, Satoshi Nakamoto, publikoi dokumentimin e protokollit elektronik të Bitcoin dhe krijoi monedhën e parë Bitcoin prej 50 njësi më 3 janar 2009 (Nakamoto, 2008). Paraja elektronike nuk është një risi për literaturën ekonomike. Ajo

ka qenë e pranishme të paktën që në vitet ’90, me përhapjen masive të kartave elektronike të kreditit dhe debitit, ose në formën M-pesa (Kaminska, 2015). Megjithatë, Bitcoin i referohet edhe risisë teknologjike që autori i saj ka propozuar për kryerjen e transaksioneve me këtë monedhë. Në këtë material, në varësi të kontekstit, termi Bitcoin do të ketë kuptimin e parasë, të teknologjisë që kjo monedhë përfaqëson ose të të dyjave.

Ndonëse fillimisht, interesi publik për Bitcoin ishte i vakët, numri i transaksioneve elektronike të kryera në monedhën dixhitale Bitcoin u rrit me ritëm eksponencial. Përhapja e përdorimit të monedhës Bitcoin ka qenë në përmasa të paneglizhueshme për industrinë financiare, publikun dhe autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në fund të vitit 2011, numri i transfertave të konfirmuara nuk ishte më tepër se 5-6 mijë transaksione në ditë. Gjatë periudhës (tetor 2017 – shkurt 2018), numri i transfertave të kryera nëpërmjet Bitcoin është luhatur në 200-400 mijë transaksione në ditë. Gjatë së njëjtës periudhë, vlera e këtyre transfertave të kryera arriti në rreth 1 – 4 miliardë USD në ditë. Vlera e të ardhurave që përfitojnë agjentët privatë që mirëmbajnë infrastrukturën e Bitcoin nga kryerja e këtyre transfertave arrin në rreth 20-40 milionë USD në ditë. Përmasat e këtyre transfertave kanë nxitur aktorë të tjerë të propozojnë monedha të tjera dixhitale që funksionojnë mbi një infrastrukturë të ngjashme. Në momentin e shkrimit të këtij materiali, numri i monedhave virtuale që operojnë në rrjetet kompjuterike të decentralizuara shkon në mbi 1000.

Infrastruktura e kriptomonedhave

Vëmendja e industrisë financiare dhe e aktorëve akademikë është fokusuar tek infrastruktura e Bitcoin. Risia teknologjike e implementuar në infrastrukturën e kryerjes së transaksioneve të Bitcoin, referohet me termin “blockchain” në gjuhën angleze. “Distributed ledger technology” (më tej DLT) është një term më i përgjithshëm i teknologjisë së “blockchain”, që përfshin versione të modifikuara të infrastrukturës për nevojat e industrive të ndryshme.

Infrastruktura e Bitcoin përbëhet nga regjistri elektronik i transaksioneve dhe nga njësi kompjuterike të fuqishme, të operuara nga agjentë privatë të motivuar financiarisht nga një protokoll elektronik. Agjentët privatë mund të hyjnë ose të dalin nga ky treg i mirëmbajtjes së infrastrukturës, sipas motiveve financiare të tyre.

Regjistri është i decentralizuar, ngaqë agjentët privatë që mirëmbajnë sistemin regjistrojnë transaksionet në të vetmen kopje publike të regjistrit, duke lënë gjurmë vetëm në këtë regjistër unik dhe jo në regjistra privatë të secilit agjent mirëmbajtës.

Besueshmëria e tij garantohet nga implementimi në protokollin elektronik (a) të elementeve kriptografike të sigurisë dhe (b) të shpërblimit financiar që motivon agjentët që të mirëmbajnë infrastrukturën (e decentralizuar) të sistemit.

Shpërblimi financiar i agjentëve konsiston në formën e (i) komisioneve të transaksioneve, dhe të (ii) subvencionimit që protokolli elektronik mundëson me krijimin e monedhave të reja (senjorazh). Krijimi i monedhave të reja Bitcoin realizohet duke shpërblyer agjentët për çdo finalizim të një blloku transaksionesh. Regjistri konsiderohet i pamanipulueshëm pa konsensusin e agjentëve që mirëmbajnë infrastrukturën e sistemit. Përmasat e shpërblimit financiar të parashikuar në protokoll diktojnë që konsensusi të arrihet në funksionimin normal të infrastrukturës.

Përparësitë blockchain

Siguria kriptografike dhe decentralizimi i infrastrukturës e bëjnë të panevojshme praninë e një rregullatori apo autoriteti që të garantojë besueshmërinë e transaksioneve ose të sistemit.

Në sajë të këtyre cilësive të parashikuara në protokollin elektronik, risia kompjuterike “blockchain” u mundëson individëve disa avantazhe në kryerjen e pagesave kundrejt infrastrukturës aktuale të monitoruar ose rregulluar nga autoritetet mbikëqyrëse kombëtare apo ndërkombëtare.

Së pari, elementet kriptografike të protokollit mundësojnë anonimitetin e paguesit dhe përfituesit të pagesës. Kjo nuk pengon regjistrin elektronik të decentralizuar të transaksioneve të mundësojë regjistrimin apo gjurmimin e transaksioneve, ose të çdo ndërrimi pronësie të monedhave Bitcoin.

Së dyti, kryerja e transaksioneve nëpërmjet kësaj teknologjie (regjistri) nuk kërkon ndërmjetësimin e një autoriteti apo të një rregullatori që të garantojë besueshmërinë e transaksioneve. “Blockchain” lejon që procesimi dhe finalizimi i kryerjes së një transaksioni të unifikohet në një hap të vetëm. Finalizimi i shpejtë i transaksioneve lejon uljen e kohës së kryerjes së një transferte dhe minimizimin e rrezikut të kundërpartisë.

Së treti, mungesa e një ndërmjetësi rregullator, finalizimi i shpejtë i një transaksioni dhe subvencionimi që protokolli elektronik parashikon për agjentët privatë mundëson uljen e kostos financiare të një transferte. Këto avantazhe kanë nxitur një ritëm të shpejtë të përhapjes së përdorimit të Bitcoin në kryerjen e pagesave, sikurse vihet re në numrin e lartë të transaksioneve ditore me Bitcoin. infrastruktura kompjuterike “blockchain” përbën një risi që mund t’i japë një impuls pozitiv produktivitetit të njësive sipërmarrëse private apo publike, në pothuajse të gjitha fushat. Praktikisht, çdo transaksion, veprim ose objekt që ka vlerë, mund të regjistrohet dhe gjurmohet në një regjistër të tillë, duke minimizuar rrezikun e kundërpartisë dhe kostot financiare apo kohore të lidhura me mirëmbajtjen e sistemeve aktuale.

Numri i lartë i monedhave të tjera virtuale jo të rregulluara nga autoritetet bazohet në teknologji të ngjashme. Gjithashtu, industria financiare dhe ajo informatike po tregojnë interes në implementimin e kësaj teknologjie në një valë të re produktesh financiare. Në këtë drejtim, modifikimi i protokollit elektronik bën të mundur formatimin e teknologjisë “blockchain” sipas nevojave të autoriteteve rregullatore publike apo të sipërmarrësve privatë.

Impakti potencial i Bitcoin dhe i infrastrukturës teknologjike

Përhapja aktuale e Bitcoin motivohet nga nxitja e individëve për fitime të shpejta, nga anonimiteti i palëve që kryejnë transferta me volum të madh, nga kostoja e ulët e transaksioneve dhe koha e shkurtër e finalizimit të tyre. Teknologjia e decentralizuar e kryerjes së pagesave dhe regjistrimi elektronik (zinxhir) i transaksioneve e bën të vështirë monitorimin e ligjshmërisë së veprimeve financiare të kryera me Bitcoin. Masat parandaluese të fenomenit në formën e mbikëqyrjes së transaksioneve janë të vështira, në sajë të anonimitetit që mundëson kryerja e transfertave me Bitcoin.

Në shumicën e vendeve të zhvilluara, autoritetet rregullatore dhe ligjore nuk kanë ngutje për të ndërmarrë masa kufizuese ndaj kryerjes së veprimeve me monedha virtuale. Në sajë të prirjeve konservatore dhe të arsyeshme të individëve dhe rrezikut të lartë që ka mbajtja e mjeteve monetare në monedha virtuale, Bitcoin apo të tjera, nuk pritet një përhapje masive hipotetike e tyre. Hipoteza e përhapjes masive të tyre nuk gjen mbështetje në asnjë nga rrethet akademike apo institucionale. Po kështu, luhatjet e larta të çmimit të Bitcoin e bëjnë atë një mjet monetar spekulativ.

Autoritetet monetare të vendeve të ndryshme kanë treguar kujdes në komunikimet publike, në mënyrë që të mos stimulojnë përdorimin e këtyre monedhave. Gjithashtu, ato kanë komunikuar publikisht një qëndrim të rezervuar në drejtim të emetimit të versionit dixhital të monedhave kombëtare.

Megjithatë, vende si Suedia, Kina dhe një numër i vogël vendesh në zhvillim, kanë shqyrtuar mundësinë e emetimit të një monedhe kombëtare elektronike që të plotësojnë nevojat e shtetasve përkatës për kryerjen e pagesave elektronike. Një përqasje e tillë ofron siguri më të lartë për shtetasit në këmbim të anonimitetit. Synimi për të emetuar një monedhë kombëtare elektronike në këto vende lidhet kryesisht me specifikat e veçanta të ekonomive të tyre. Aktualisht, emetimi i monedhave elektronike kombëtare nuk konsiderohet një alternativë me interes nga shumica e vendeve të zhvilluara. Megjithatë, monedha virtuale Bitcoin konsiderohet një risi, infrastruktura teknologjike e së cilës ka shërbyer për nxitjen e diskutimeve mbi mundësinë e përmirësimit të sistemit ndërkombëtar të pagesave mes aktorëve financiarë ndërkombëtarë.

Vëmendja e autoriteteve është përqendruar në potencialin e infrastrukturës teknologjike të regjistrit elektronik të transaksioneve (blockchain) për përmirësimin e sistemit aktual të pagesave. Implementimi i infrastrukturës teknologjike në funksion të përmirësimit të sistemit ekzistues të pagesave është në vëmendje të autoriteteve të shumë vendeve të zhvilluara, në një horizont kohor afatgjatë. Implementimi i teknologjisë gjykohet se do të ndikojë në: (i) ulje të kostove kohore dhe financiare të pagesave dhe (ii) në minimizim të rrezikut të likuiditetit dhe të kreditit. Gjithashtu, disa nga autoritetet monetare po shikojnë mundësinë e promovimit të teknologjisë financiare tek sektori privat i ekonomive përkatëse./ Monitor/ Tiranapost.al.