Videopodcast

Are you a scratched lion too?

Are you a scratched lion too?

Transcribed interview with Primo Shllaku

Mira Kazhani: What is a good interview for you?

Primo Shllaku: A good interview is a rare interview. Which means it's not that interview that happens two days after another interview. So for us to have something to say, that young fruit required in the last interview must be ripened. I think a good interview obliges the journalist, the interviewer for a deeper acquaintance. A large portion of people have reached their information climax and have nothing to say. So the big risk is that they repeat themselves. The day I see that I have nothing to say, I will reject everyone.

Mira Kazhani: Çfarë mendoni ju për rrëfimin? Rrëfimi është i vjetër sa ç`është njeriu në tokë. Në fillim ishte fjala. Pse njerëzit e kanë të nevojshme të rrëfehen? Bota njeh disa rrëfime. Rrëfimet tek prifti. Rrëfimet tek psikoterapisti. Rrëfimi tek nëna, tek shoqja, tek shoku. Tani rrëfehen në mediat sociale, në Facebook, në Instagram, në emisione…

Primo Shllaku: Mendimi im është se njeriu ka gjithmonë diçka për të thënë, sepse njeriut i intereson eksperienca njerëzore dhe rrëfimi është pasqyrimi i një eksperience njerëzore. Por mos të jeni kaq të sigurtë se njerëzit kanë nevojë për t`u rrëfyer. Në botën tonë shqiptare për shembull, por edhe në Siçili, edhe në Francë, por edhe kudo në botë njerëzit kanë shumë më tepër arsye për të mos rrëfyer sesa për t`u rrëfyer. Tek ne që kemi dalë nga një tunel i zi heshtjeje, ideja për me fol nuk është nga më të mirat. Është më mirë me hesht. Ata që kanë vendos me fol janë në krahun e kundërt të atyre që kanë vendos me hesht. Unë jam për rrëfimin.

Mira Kazhani: E di ç`kam vënë re Z.Shllaku që në përgjithësi, historikisht jo vetëm tani, - por unë jam dëshmitare dhe kronikane e kësaj kohe, kurse ju i përkisni disa kohëve, për fatin e mirë dhe të kësaj interviste ku kemi çfarë japim mesazh për ata që nuk i kanë jetuar disa kohë, - ka një asnjëanësi, një heshtje të njerëzve të mençur dhe flasin më shumë ata që nxitohen. Francezët duhet të kenë një thënie, “Sa ta mendojë i zgjuari, budallai e bëri”. Mua më duket sikur tani më shumë po flasin idiotët. Mendjet fine që i thonë “po” rrëfimit janë shumë të pakta. Në një lloj mënyre shoqëria humbet shumë.

Primo Shllaku: Unë nuk e kam parasysh rrëfimin si barcaletë, ose si anekdotë. Rrëfimi është i tillë, kur është me të gjitha shkronjat e mëdha, pra kur është i guximshëm, trimosh. Mendjet e holla, për të cilat po flisni ju, tek ne nuk janë vullnete të guximshme.

Mira Kazhani: Pse?

Primo Shllaku: Ky mosbashkëbanim në të njëjtin person, i mendjes së hollë dhe i vullnetit të guximshëm, kanë sjellë këtë krizë. Kriza është shumë e madhe.

Mira Kazhani: Nga vjen dhe pse? Jemi konformist si shoqëri?

Primo Shllaku: Sepse ne vijmë nga një kulturë heshtje, nga një kulturë ndrydhjeje, nga një kulturë represioni. Dhe meqë ne nuk e kemi larguar atë kulturë dhe atë substrat kulture, por ajo është ndërruar vetë se i mbaroi fryma, atëherë ata vazhdojnë ende me besu se ajo kohë është prapë këtu.

Mira Kazhani: A ka diçka që mund të bëhet? Është dikush, disa apo një organizëm apo një lloj iniciative që mund ta ndryshojë? Se kultura është e vështirë në fakt të ndryshohet. Qoftë edhe të krijohet.

Primo Shllaku: Ju po e shpëlani mendjen njerëzore, në kuptimin e mirë të fjalës. Pra po i lani ato kleçkat që kanë mbetur me intervistat, me kërkimin për vullnete guximtare, për mendje të holla, për të dyja bashkë ku gjendet dhe kjo është një punë shumë e mirë. Po ndërkaq ne po humbin histori të jashtëzakonshme që kanë ndodh për të cilat heshtet për frikë, ose sepse ata njerëz që i dinë kujtojnë se nuk ka ndryshu kalendari, ose për arsyen tjetër më të thjeshtë, edhe më fatkeqe se mendojnë se është imorale me tregu.

Mira Kazhani: Cili është për ju arketipi i intelektualit shqiptar sot?

Primo Shllaku: Intelektualët janë gjithkund njëlloj, por ne kujtojmë se intelektualët janë vetëm njerëzit që merren me punë mendore.

Mira Kazhani: Po, unë kështu e mendoj për shembull.

Primo Shllaku: Kjo nuk mjafton. Ky është koncept marksist. Intelektuali është njeri i cili krijon. Se përndryshe edhe rojet e shkollave, ose këto të security që janë nëpër parking, edhe ata nuk bëjnë ndonjë punë fizike, absolutisht. Punë mendore e kanë. Lexojnë targat, por nuk intelektualë. Intelektuali krijon. Krijon prej hiçit. Intelektuali është farefis me zotat.

Mira Kazhani: Intelektuali i prin shoqërisë. I prin temave të mëdha. Intelektuali është një ECHO e shpirtit të shoqërisë. E kemi ne këtë në Shqipërinë tonë?

Primo Shllaku: E kemi, është e vërtetë që e kemi. I kemi këto gjeneratorë të mendimit ndryshe, të veprimit ndryshe po deshe ti, të krijimit ndryshe, por janë një minoritet i papërfillshëm. Pra që janë minoritet nuk ka ndonjë të keqe, sepse ato grupime që i prijnë shoqërisë kanë qenë gjithmonë minoritete, por këto janë minoritete të papërfillshme. Domethënë që triblohen lehtë nga maxhoritetet e përfillshme që bëjnë ligjin.

Mira Kazhani: A është kjo Shqipëria e sotme ajo që ju - nuk po them keni ëndërruar - por e keni pritur pak a shumë? E keni ditur gjithmonë që në këto ujëra do të jemi dhe ka një histori që përsëritet që me rilindasit, më pas me diktaturën, më pas me pluralizmin. A e përsërisim ne të njëjtën histori tonën, në forma të ndryshme?

Primo Shllaku: Unë kam le edhe jam bërë 43 vjeç i kam bërë në një serë heshtjeje dhe ardhja e ndryshimit, nuk po e kualifikoj demokraci, ndryshim sistemesh, sepse do shumë diskutim, ka sjellë një të vërtetë shumë të madhe që është liria e fjalës. Unë e shijoj shumë dhe për mua është edhe hapësira e vetme që më ka munguar. Kështu që nuk jam kritik ndaj fatit.

Mira Kazhani: Keni Facebook, Instagram?

Primo Shllaku: Po.

Mira Kazhani: Ku shkruani? Shkruani aty? E përdorni atë si hapësirë të fjalës?

Primo Shllaku: Më shkruajnë edhe u përgjigjem.

Mira Kazhani: A ka gjëra që ju duken mediokre, banale në Facebook. Ju shqetëson ajo liria e fjalës e keqpërdorur?

Primo Shllaku: Patjetër. Ka një tufë sorrash edhe korbësh që janë specializuar për linçim. Por një njeri që i ka dalë zot disa ideve, e ka marrë parasysh edhe rrezikun dhe është i veshur me një fill koracë prej çeliku, e cila i siguron atij të gjitha komoditetet e përgjigjes sipas parimeve.

Mira Kazhani: Po, por ju jeni Primo Shllaku, jo të gjithë e kanë fuqinë për të bashkëjetuar me linçimin që vjen edhe për shkak të lirisë së fjalës, të keqinterpretuar dhe të keqpërdorur nga disa grupe, që ju i quani “sorra” etj, etj. Si e këshilloni një njeri që ndoshta nuk e ka këtë aftësi?

Primo Shllaku: Nuk është problem as i Primos, as i çdo Primoje tjetër. Problemi është këtu: Nëqoftëse ti ke dalë në piacë për të ofruar disa ide, ti duhet të jesh shumë i sigurtë se ato ide janë të mira nëqoftëse nuk iu pëlqejnë të gjithëve. Dhe nëqoftëse ti kujton që idetë e tua janë të mira dhe duhen pëlqyer, ti je gabim. Jepi fund asaj dritareje, mos dil. Hap një dritare tjetër. Është punë sofistikimi këtu.

Mira Kazhani: Është pak punë karakteri?

Primo Shllaku: Po, edhe punë karakteri, por është punë formimi. Karakteri është formim. Është punë formimi. Nëqoftëse ti e di që ajo që ti do thuash është një rrëfim që i ka munguar veshit të shoqërisë, dil e thuaje ashtu si e di. Paçka se dikush edhe mund të hedhë gurë mbi ty.

Mira Kazhani: Jetojmë në epokën e imazhit. Për shembull njerëzit janë shumë të shqetësuar për përshtypjen që lënë tek të tjerët. Gjithmonë çfarë imazhi po krijojnë dhe jo në fakt për të vërtetën. E vërteta duket sikur është bjerrur, e ka humbur peshën dhe sharmin e saj.

Primo Shllaku: Këta njerëz që kanë frikë, ose që ngurrojnë, këta nuk janë njerëz të piacës, pra nuk janë të lidhur kurrkund. Pra duan të vijnë nga hiçi për të fituar të gjitha pikët përnjëherë. Shikoji ata luanët tek Safari ti, të gjithë i ke të gërvishtur. E kanë kokën sa një kazan, por të gërvishtur janë… Fytyra e tyre ka shenja lufte. Pa këtë lloj makijazhi, nuk i rekomandoj kujt me u fut në asnjë lloj mundjeje, në asnjë lloj dyluftimi.

Mira Kazhani: Kalojmë pak tek gegnishtja. Është një nga gjërat që për shkak edhe të origjinës, unë jam matjane, kështu që gegnishtja më kujton gjyshërit, pavarësisht se unë i jam bindur standardizimit të gjuhës shqipe që në Abetare, kështu që në Tiranë, në ato vitet e para si studente më thonin: “Nuk dukesh që je nga Mati”. Sepse kisha gjuhën e standardizuar. Ju jeni një luftëtar i paepur dhe një njeri që keni humbur ndoshta nga fama dhe suksesi juaj, edhe për shkak se i keni besuar gegnishtes. Dua t`ju them diçka. E di ju Z. Shllaku se të rinjtë sot dinë gegnisht nga këngët? Keni dëgjuar për shembull për Elvana Gjatën apo Ledri Vulën? Gegnishtja është shumë e suksesshme dhe shumë e përdorur, gjerësisht në këngë.

Primo Shllaku: Ju po më thoni diçka që kujtoni se i përket vetëm botës tuaj, moshës tuaj. Këto i di. Di edhe repistët e Kosovës, të cilët madje nganjëherë janë subdialektal. Por unë nuk dyshoj se gjuha shqipe nuk mund të ekzistojë më si ai lejleku me një këmbë. Nuk ekziston. Ajo është punë e mbaruar. Nuk e di a do ta arrij unë, a s`do ta arrij. Nuk e di a kam dhënë unë ndonjë kontribut apo jo. Unë e di që rishikimi, revizionimi – po përmend një term të Kostallarit, me të cilin ai përpiqej të intimidonte bashkëpunëtorët e tij- revizionimi i standardit ka 30 vjet që ka ndodhur, po ndodh dhe ne presim vetëm ndërrimin e brezave.

Mira Kazhani: A të ngroh zemrën, qoftë edhe për arsye jo të librave, por të muzikës që ka një tendencë tek brezi i ri? Se të gjitha bashkë ndoshta mund të bëjnë fuqinë.

Primo Shllaku: Janë një seri konkursesh. Pra ne na duhet këtu një sociolinguist, që unë nuk jam.

Mira Kazhani: A kemi ne sociolinguist në Shqipëri?

Primo Shllaku: Nuk kemi asnjë sociolinguist. Madje procesi i normëzimit të gjuhës nuk është udhëhequr nga sociolinguist. Është njësoj si të thërrasësh të bëjë një operacion një mishtar, sepse ai pret mish. Në fakt ti e ke thërritur t`i bëjë operacion dikujt edhe t`i shpëtojë jetën. Pra edhe nga pikëpamja e kompetencave, edhe nga pikëpamja e profesionalizmit, aty nuk ka pasur asnjë profesionist. Duke filluar prej Eqrem Çabejt i cili ishte etimolog. Nëqoftëse duam ta rrokim problemin seriozisht dhe t`i themi. Edhe ai nuk ka qenë. Pavarësisht se thuhet që ai nuk ka qenë dakord, ka rekomanduar ritme të tjera, ka rekomanduar studime dialektologjike të cilat nuk u bënë kurrë, por instituti i atëhershëm u ngut që të kryente proceset etj etj. Pra unë nuk jam sociolinguist. Unë di që gjuha letrare është gjuha e letërsisë. Ne na mbetet të shkruajmë letërsi të bukur. Letërsinë e bukur ne po e shkruajmë, por letërsia e bukur që shkruajmë ne për shkak të ekspresionit geg është e papromovuar. Po presim që të vijnë mendje më të ftohta, mendje më të ndjeshme, të vijnë njerëz më të përgjegjshëm në krye të këtyre punëve se letërsia është ajo që e përcakton.

Mira Kazhani: Mund t`i detyrojmë vlonjatët, tepelenasit, sarandiotët, gjirokastritët të flasin në gegnisht? S`janë në gjendje.

Primo Shllaku: Po pse të kujt ishin ata dukagjinasit, ata kosovarët që po i detyrojnë të flasin toskënisht? Të kujt janë ata? Janë të ndonjë shteti tjetër? Hajde gjejmë mënyrat e asimilimit të ngadalshëm të punëve. Jo të na mbetet gjysma e shqipes përjashta e gjysma e letërsisë shqipe përjashta pse u mbush mendja dy, tre udhëheqësve të cilët janë në listën e zezë. Janë të anatemuar. Popullsia gegë është 2/3, është 60%, 70% e shqiptarëve. Për çfarë duhet t`u qaj hallin unë përmetarëve edhe tepelenasve. Shqiptarë janë. Hajde të ulemi dhe të përcaktojmë diçka që t`ua përkëdhelë veshin të gjithëve.

Mira Kazhani: Unë kam lexuar që ju keni një shtëpi në Vuno, që është në fakt shtëpia e gruas, dhe shkoni shpesh jetoni atje.

Primo Shllaku: Po.

Mira Kazhani: Kuptohesh mirë me ata besoj kur flet?

Primo Shllaku: (qesh). Kjo është një nga gënjeshtrat e mëdha të atij regjimi se ne s`kuptohemi njëri me tjetrin. Unë i kam pyetur disa herë, edhe këtë e kam thënë, por po më detyron ta përsëris, që të dal në shteg. Atë pavarësinë më 28 nëntor kush e bëri? A nuk e bënë gegët dhe toskët? Si u morën vesh ata? Se ishte punë e madhe, nuk ishte puna çfarë po hamë. A po hamë grosh apo po hamë makarona. Ishte puna të nxirrnim një shtet të ri, t`i mbushnim mendjen kancelarive botërore. Si janë marrë vesh ata njëri me tjetrin kur s`e kishim gjuhën? E kupton? Janë alibi që kanë rënë ato. Janë qesharake. Nuk merrem unë me to.

Mira Kazhani: Cilat janë vendet e huaja mike të Shqipërisë, sipas jush? Vendet që na kanë dashur gjithmonë pa kushte.

Primo Shllaku: Miqësia midis shteteve nuk është krushqi, që unë e dua se janë nipërit e mi këtu. Mik ke atë që i intereson. Miqtë janë ata që ne nuk i interesojmë. Pastaj këtu fillon edhe dallimi i miqve të afërt dhe i miqve të largët. Sa më shumë që t`i interesosh dikujt, aq më mik i mirë je, por sa më shumë t`i interesosh edhe sa më shumë që ai ta shikon hatrin, aq më i dashur je për të. Këtu pra kemi një gamë të gjerë marrëdhëniesh, lidhjesh. Sot për sot ne jemi miq me amerikanët. Ata nxorën Kosovën. Menjëherë e rrëmbyen Shqipërinë. Ia nxorën prej goje komunizmit dhe sistemit botëror. Ata e mbrojtën Enver Hoxhën dhe e udhëzuan të nxirrte jashtë sovjetikët nga baza e Vlorës. Ata ishin. S`dilte Rusi prej atje si i tha Enver Hoxha. Ne na përlante për 5 orë rusi në ’60-ën. I tha Amerika: ik tani se s`dua më. I tha Rusi Amerikës: Ti mos hy. Unë nuk hyj, i tha. Dhe në një intervistë, një nga udhëheqëset e këtij vendi tha që ne deshëm të lidheshim me Amerikën. Amerika na tha “Jo, vazhdoni” dhe ne u lidhëm me Kinën. Përputhen krejt.

Mira Kazhani: Tani për shembull po të të jap disa emra: Italia, Turqia, Greqia, Gjermania, cilat janë vendet që do veçoje që ne duhet t`i kemi miq se s`bën? Ne duhet t`i kemi miq të gjithë se nuk na vjen asgjë e keqe nga fqinjësia e mirë po

Primo Shllaku: Unë nuk kam studiuar për diplomaci, por kam nuhatje se kam shumë kohë në këtë pazar dhe e di çfarë kam arritur të marrë vesh. Ne për shembull mik natyral kemi Austrinë, sepse at ana bënë shtet. Mirëpo Austria mbas Luftës së Parë Botërore u shpërbë dhe është një shtet i vogël. Por lidhjet e dashurisë, miqësisë dhe të kujdestarisë, i ka të forta. Italia që ishte bashkënun me të në historinë e Pavarësisë bëri gafën e madhe na pushtoi, na prishi shtëpinë dhe solli komunizmin. Dëboi mbretin, krijoi boshllëk të pushtetit edhe erdhën prej malit këta e gjetën vendin bosh. Tak u futën brenda. Gjetën ‘vuoto di potere’, domethënë ‘boshllëk të pushtetit’. Na prishën shtëpinë italianët. Italianët na prishën shtëpinë. I kishim punët mirë ne. Do evoluonim. Sikurse kemi evoluuar megjithë korrupsionin, megjithë reaksionin e madh që i bëhet shtetit edhe punëve publike, ne kemi evoluuar, të mos flasim marrëzira tani. Çështja është me kë ke qejf të rrish dhe sa do t`i japësh atij. Se ai tjetri vjen dhe ka interes.

Turqia për shembull ka interes të ringrejë një hartë perandorake. Jo të vijë të të pushtojë, por sa ta ringrejë. Mirëpo nëqoftëse ti i jep atij gjuhën nëpër shkolla, ai do të të sjellë mësues aty. Ai do të paguajë paratë e dynjasë që turqishtja të mësohet në masë të madhe. Anglezët as nuk na kanë sjellë neve mësues të anglishtes. As e vrasin mendjen fare. Pra ne duhet të kemi shumë kujdes të ruajmë orientimet tona. Të ruajmë orientimet tona drejt pranimit sepse jemi një popull shumë sensitiv, me shumë fe, me shumë orientime. Njëri sy e kemi nga Lindja, tjetrin e kemi nga Perëndimi. Sfidat janë të mëdha se Lindja nuk është më e varfër si ka qenë dikur. Lindja nuk është më pushtuese si ka qenë dikur. Ne të konsolidojmë njëherë psikosintezën tonë, të marrim një profil të plotë, të bashkohen vijat dhe pikat, marrim një profil, pastaj ne bëhemi…

E di si është puna? Vendi më mik i Perandorisë Osmane ka qenë Franca. Që në kohën e Charles-it të I ata kanë pasur ambasadë dhe kanë lidhur e zgjidhur së bashku. Nuk e gjeti gjë Francën. Po Franca ishte Francë veç. Franca në atë kohë ishte Francë. Kurse ne në atë kohë nuk ishim Shqipëri ishim Arbëri, Albani. Dua të them që politikanët shqiptarë nuk mund t`i lënë këto çështje si dele pa zot. Pra ata duhet të marrin përgjegjësi të mëdha kur hapin vrima të tilla në murin e vetëdijes dhe të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e cila tashmë është shumë shoshë, shumë poroz, me shumë vrima. Dhe nëqoftëse ne mendojmë të shkojmë tek Evropa, ndoshta jo tek ky institucion ndërkombëtar që quhet EU, por tek Europa si mitër kulturore e jona e dëshmuar prej Balshajve e këtej atëherë ne duhet të kemi shumë shumë kujdes, sepse ka interes. Ka shumë shumë interes. Aa, që të hapet një fakultet i turqishtes jam dakord. Pse? Sepse unë dua të shkoj të studio turqisht. Ke sa të duash. Nëpër Francë e nëpër Gjermani ke universitete, por të vijë të mësojë fëmija im me dëshirë ose jo… Se pastaj vjen fëmija dhe i thonë, shiko nëse do ne të japim një bursë mëso e merre atje…

Mira Kazhani: Cili është prototipi sipas jush i politikanit dhe në përgjithësi i udhëheqësve shqiptarë? Diçka që ndoshta e kanë të përbashkët. Jemi ne krenarë? Jemi konformistë? Jemi servilë? Jemi inferiorë? Unë po hamendësoj, por jam kurioze të di përcaktimin tuaj.

Primo Shllaku: Ne shqiptarët e kemi një arketip. Arketipi është Albin Kurti, i cili nuk është më pak shqiptar se unë e ti. Paravësisht se ti je tek trekëndëshi i formimit të Kombit Shqiptar, Mat-Kurbin-Krujë, pra je në zemrën, në bërthamën e saj. Kështu thonë të paktën. Unë nuk vuaj nga inferioriteti i shqiptarizmit, por ti si matjane e ke të specifikuar këtë.

Mira Kazhani: Faleminderit, edhe unë sot e mësova! Duhet ta kisha ditur shumë kohë më parë. Do kisha qenë më krenare.

Primo Shllaku: Nuk ka gjë e dimë ne, ne që s`jemi prej andej. Problemi është ky që ne e kemi një kryeministër. Ai kryeministër, ose ai politikan shqiptar i cili ka ardhur në pushtet me parime, me ide për ta çuar përpara të gjitha problemet që janë rrugës, të papërfunduara, duhet të marrë parasysh që duhet të rezistojë. Këta të huajt të bien kokës bam, bam, bam pastaj të thonë: Po hajde na trego si ta bëjmë.

Mira Kazhani: Cili është shqiptari juaj i preferuar historikisht? Ndoshta nuk jeton më. Me siguri nuk jeton më.

Primo Shllaku: Jo mo jo. Shqiptarët janë popull shumë simpatik, i paaftë për të kooperuar, për të bashkëvepruar, por kjo është një sëmundje kombëtare. Ne nuk e kemi këtë punë. Nuk e ka shkolla shqiptare. Kur e ka pas e ka pas me hope dhe nuk është kthyer kurrë në kulturë. Pastaj radhat historike, minimet që na kanë bërë të huajt, kanë qenë pikërisht për të mos lënë shqiptarët për t`u drejtuar të gjithë në një drejtim si luledielli, të gjithë me fytyrë nga dielli.

Mira Kazhani: Si shpjegohet Z.Shllaku që si individ vetëm jashtë apo në Shqipëri, është i suksesshëm shqiptari. Çfarë ndodh me ne si shoqëri? Pse e kemi atë paaftësinë që thoni, të kooperimit?

Primo Shllaku: Ne nuk e kemi kooperimin ose e kemi të shpërndarë në mënyrë jo të barabartë, në gjithë territorin. Për shembull jugu është më kooperues. Edhe po t`i shikosh fshatrat e jugut janë shpinë më shpinë njëra me tjetrën, pra kanë ruajtur njëri-tjetrin se po u dogj e imja, kalon nga çatia jote tek unë. Kullat e Malësisë janë një këtu, një atje, këtu jam unë. Kur ka dash të flasë me dikë i ka lëshuar një zë. Edhe për çfarë? Kur vdiste dikush. Për pjesën tjetër ata s`kanë komunikuar.

Mira Kazhani: Pse?

Primo Shllaku: Sepse kanë qenë kushtet e tilla. Kanë qenë më të pasur ata. Më autonom.

Mira Kazhani: Më të pasur veriorët?

Primo Shllaku: Po patjetër. Kur je i pasur s`ke nevojë të kërkosh kripë tek ai tjetri. Për çfarë do shkosh ti? Kot, për hir të marrëdhënieve? Nuk shkohet. Atëherë çfarë bëhet? Ti je i vetëmjaftueshëm. Mirëpo kur erdhën kohët e pavarësisë, kombi nuk mund të sillet më si tastierë që shkelin një tast e bie një notë, kombi është akord. Bam, bam, pra do shkelësh shumë për të dalë një notë. Edhe ajo nota është e ndryshme prej të gjithave një nga një. Është një geshtalt tjetër. Kështu që jugu nuk i ka dhënë pak këtij vendi. I ka dhënë idenë e bashkëveprimit.

Mira Kazhani: Një gjë që më ka bërë përshtypje dhe që të them të drejtën sa herë e kam dëgjuar dhe për njerëz të tjerë të jep një ndjenjë krenarie, sepse ju e thatë shumë bukur, sepse kombi është akord dhe këto temat e kombit të gjithëve na insipirojnë, në momentin e daljes nga diktatura shumë intelektualë kanë emigruar në Greqi. Shumë prej tyre i kanë rrëfyer edhe publikisht që kanë bërë punë të rënda për të mbajtur familjet dhe fëmijët e tyre. Ju keni qenë njëri prej tyre, por ju u keni dhënë mësime frëngjishteje të rinjve grekë. Me thënë të drejtën, mësues më të mirë frëngjishteje të rinjtë grekë s`do të kishin dhe nuk e di. E dinin këtë? Ju adhuronin? Kishin këtë sensin që një mësues, jo në nivelin e gjithë mësuesve, po u jepte atyre frëngjisht?

Primo Shllaku: Adhurimi i shqiptarëve në Greqi është si të kërkosh akullnaja në Sahara.

Mira Kazhani: Vërtet? Edhe për ju?

Primo Shllaku: Po patjetër. Patjetër.

Unë isha thirrur për të nxjerrë nga balta disa nxënës kokëngjeshur që s`kishte pas pedagog t`i merrte në dorë. Dhe për këtë arsye kam kërkuar lekë shumë.

Mira Kazhani: Sa mirë ke bërë!

Primo Shllaku: Po çfarë kujtove? U kam thënë, keni përdor këtë metodë, këtë metodë dhe këtë metodë? Po, i kemi përdorur. U kam thënë: Atëherë nuk bën ajo punë. U kam dhënë metodën time e cila është metoda e pedagogjisë shqiptare. Jam ngërdhuc, që do të thotë të kërcënohesh me fytyrë. Ai nuk më ka dashur, edhe unë i kam thënë prindërve: Unë jam i fundit. Mbas meje s`ka më. Ata më kanë thënë, ne ta kemi lënë në dorë ty këtë punë dhe çuditërisht nxënësi ka kaluar nga katra tek pesë, ndonjëherë edhe tek gjashta, por jo më shumë. Pse? Si ishin bubuna. Ishin kokëngjitur, ishin t`i bije murit. Pra nuk ka vend, është histori e dhimbshme kjo, por unë po e rrëfej sepse ka më lavdi kështu për mua, sesa të më adhuronin.

Mira Kazhani: Si janë nxënësit shqiptarë? Mos jemi më inteligjentë ne?

Primo Shllaku: Ne jemi shumë inteligjentë. Pra si makina jemi shumë më inteligjentë. Jemi shumë smart. Por kur vjen puna për të mbaruar shkollën, të gjithë atë inteligjencë që kemi e kthejmë në dinakëri. Këtu kultura shqiptare ka dështuar me sukses. Pra ne nuk u mësojmë njerëzve inteligjentë kënaqësinë e sakrificës. Atyre u mësojmë joshjen e përfitimit dhe ata bëhen dinakë.

Mira Kazhani: Kjo ndoshta është fatkeqësia jonë.

Primo Shllaku: Jo ndoshta, kjo është fatkeqësia jonë.

Mira Kazhani: Ju besoj! Ju dini gjermanisht. Frëngjishten e keni mësuar vetë, autodidakt apo një pjesë të mirë të gjuhëve…?

Primo Shllaku: Po gjuhët mësohen vetë. O shkohet në vend atje dhe mësohet, dhe prapë e ke mësuar vetë se s`ta ka mësuar kush. Ke sa të duash fshatarë nga jugu apo nga veriu që kanë mësuar greqishten për shembull, gjermanishten, italishten edhe të mahnisin. Vetë e kanë mësuar. Unë i kam mësuar gjuhët në kohën kur ne nuk kishim mundësi të kishim kontakt, kështu që ajo autodidaksia është një lloj udhëtimi që bën njeriu në botën e jashtme pa lëviz. Kjo është edhe dhuntia e madhe e mendjes njerëzore dhe Atij që ia ka krijuar kështu se ne arratisemi prej ku jemi edhe pse këmbët i kemi të gozhduara prej dyshemeje.

Mira Kazhani: Tani do t`i numërojmë pak gjuhët: gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, tjetër?

Primo Shllaku: Mos i numëro!

Mira Kazhani: Hoqa dorë.

Cila është gjuha juaj e preferuar, ose që mendoni kjo është gjuha më e bukur në botë?

Primo Shllaku: Gjuha më e bukur në botë është gjuha e nënave.

Mira Kazhani: E di, po pas shqipes e kisha fjalën (qesh).

Primo Shllaku: Nuk kam tjetër. Ato i kam njerka të gjitha unë.

Mira Kazhani: Kë preferon pas shqipes?

Primo Shllaku: Janë gratë e babës ato. Nuk më duhet gjë ajo punë. (qesh) Nuk merrem me klasifikime kot për hatër të numrave. Unë them më e bukura është shqipja. Më e varfra është shqipja, por unë e dua sepse ajo është hiseja ime e diellit.

Mira Kazhani: Po një gjuhë e huaj që e preferoni? Që mendoni se është gjuhë e fortë?

Primo Shllaku: Gjuhë e bukur është nga ana e strukturave, kur mbaron njeriu për Gjuhë-Letërsi, kur përkthen, kur fillon e kupton për shembull se nuk është Skoda si Mercedesi. Gjermanishtja.

Mira Kazhani: Meqë dolëm tek makinat, unë kam zbuluar që ju jeni një pasionant i makinave. I jepni makinës shpejt madje në autostradë. Ju pëlqen. Më trego pak për këtë pasion.

Primo Shllaku: Nëse ky emision destinohet për publik, kam frikë se po denoncoj veten edhe kur të them ma hiqni gjobën, ose ma jepni patentën, po më thonë e ke deklaruar vetë tek Kazhani.

Mira Kazhani: S`ka gjë se do thuash që mediat nuk thonë të vërtetat asnjëherë. Do ta gjesh mënyrën.

Primo Shllaku: Jo, unë kam frikë të vërtetën time, jo të mediave.

Unë e kam pasion të madh automobilizmin, madje edhe avionët. Të gjitha ato që vihen në lëvizje me motora me djegie të brendshme. Jam rrit në një ambient motoristësh tek dajat e mi dhe njerëzish që më dukej sikur bënin mrekulli kur i montonin ata. Me një të tërhequr të litarit mbushej një oborr plot me tym edhe zhurmë. Për syrin e një fëmije ishte më shumë se cirk.

Makinën e dua shumë. Është një nga dashnitë e mia të përjetshme. Dikur kur makinë kishte vetëm sekretari i parë i partisë, unë gjeja mënyrën për të ecur dalëngadalë afër një Benzi që ishte 20 vjeç, i vjetër, edhe i hidhja sytë kështu, edhe i shihja marshat, timonin, ndonjë komfort që kishte brenda salloni, etj etj. Kjo ishte fëmijëria ime, paçka që isha 40 vjeç kur e shihja. Tani na është dhënë mundësia në njëfarë mase për të zgjedhur. Unë dua makina të shpejta, të lehta, që shpenzojnë pak, edhe këto veti më duket se na i plotësojnë makinat japoneze, të cilat janë të projektuara për gjithfarë lloj fuqie ekonomike dhe gjithfarë lloj pasionesh motorike. Unë në këtë moment që po flas jam në klubin e Toyota-s. Më kanë thënë, vetëm mos e harro pa vaj dhe unë atë bëj. Kuptohet që nuk është ndonjë makinë shumë e mirë, sepse i kam hedh ujë një ditë në vend të naftës, edhe nuk u ndez. (qesh).

Mira Kazhani: Deri ku e ke shkelur?

Primo Shllaku: Sa nxjerr. Kick Down, i thonë anglezët.

Mira Kazhani: Çfarë muzike dëgjon?

Primo Shllaku: Dëgjoj gjithfarë muzike, por në këtë periudhë po më pëlqejnë këta të latineve. Muzikë harmonike. Kam Bluetooth-in aty dhe i hedh nga celulari, kështu që Toyota ime është një sallë koncertesh e lëvizshme.

Mira Kazhani: Gruaja jote çfarë thotë kur e nget makinën shpejt?

Primo Shllaku: Gruaja ime ka frikë se vdes ajo dhe shpëtoj unë.

Mira Kazhani: E dashuroni si ditën e parë gruan tuaj?

Primo Shllaku: Kë? (qesh)

Mira Kazhani: Gruan tuaj!

Primo Shllaku: Jo. Jo, s`është muhabet ky. Po të ishte ashtu njerëzit nuk do shkonin kurrë nëpër gjyqe. Një pjese të madhe u shteron dashuria kaq fort edhe kaq shpejt, sa detyrohen të shkojnë në gjyq, edhe hedhin një zar tjetër. Dashuria është një send që konsumohet fatkeqësisht.

Mira Kazhani: Ka një kohë, si makina?

Primo Shllaku: Ka njerëz që vdesin të dehur. Unë kam njohur dhe njoh shumë njerëz. Po ka një krizë martese që vjen nga fakti se martesa është një kontratë e përjetshme, me një send që konsumohet, si të gjitha sendet e tjera. Kjo duhet rregulluar. E rregulluar është, por shoqëria duhet të tregojë një lloj tolerance se kjo punë mbaroi, ose u ftoh dhe s`ka pse unë të vazhdoj të jetoj e ta nxeh. Këtë dëgjoj nga njerëzit.

Mira Kazhani: Çfarë do të na këshilloje mua dhe grupit të xhirimit që pak a shumë jemi rreth një moshe, ata pak më të rinj si unë.

Primo Shllaku: Për çfarë?

Mira Kazhani: Për jetën, për dashurinë, për martesën.

Primo Shllaku: Për dashurinë do t`ju thosha që dashuria është një shkak për të cilin ia vlen të lindësh, të vish në këtë botë. Madje është edhe shkak që ia vlen edhe të vdesësh. Ne e dimë që shumë njerëz kanë vdekur për shkak të dashurisë. Unë ju them që mos u ngutni të martoheni. Bëni karrierë. Mos u martoni me shumë alkool në kokë. Pra të jeni shumë esëll. Nëqoftëse ai do të jetë rasti ideal, ju do ta kuptoni më mirë kur të jeni esëll.

Mira Kazhani: Është e rëndësishme të bëjmë punën që duam, por për shembull, mendoni që kanë shumë rëndësi në kohën që jetojmë, financat. Duhet të mendojmë që të pasurohemi?

Primo Shllaku: Po patjetër. Ku shkohet pa dhjam? Je në vete? Ne jemi vend që kemi dimrin tre-katër muaj.

Mira Kazhani: Është e rëndësishme paraja? Çfarë është paraja?

Primo Shllaku: Është shumë e rëndësishme paraja. Shumë e rëndësishme. Paraja të jep mundësinë të jesh i dinjitetshëm.

Mira Kazhani: Po a i shtrembëron disa njerëz?

Primo Shllaku: I shtrembëron ata që nuk kanë shtyllë kurrizore. Unë s`po flas për ata. Po flas për ata që kanë një sistem skeletor, moral konsistent, pra të mjaftueshëm. Paraja të jep dinjitet. Të jep mundësi të jetosh lirshëm edhe të sugjeron edhe të krijosh. Pse? Sepse ne për shembull luftojmë për bukën e gojës. Buka e gojës mund të jetë edhe levrek edhe dental. Por janë bukë goje. Në martesë njeriu ka edhe fëmijë dhe ka detyrime. Erdhi koha e motorizimit dhe makina është bërë rob shtëpie që do para, ka dhe ajo shpenzime. Zhvendosja e njeriut është fat i madh. Fakti që ti mund të zhvendosesh dhe ta shikosh botën më në detaj, është një pasuri shumë e madhe që zëvendëson në njëfare mase edhe studimin. Kështu që nëpërmjet parasë të fituar me dinjitet, ne fitojmë më tepër dinjitet edhe si krijues, edhe si njerëz që njohim planetin në të cilin jetojmë.

Mira Kazhani: Sa doni të jetoni?

Primo Shllaku: Po nja dy-tre mijë vjet. A ka? Njeriu nuk ngopet me jetë. Por për sa kohë është i pangopur, ai mund dhe duhet të jetojë. Vjen një moment që njeriut i ikin shokët, i ikën ambienti, i ikën ajri dhe ai e sheh jetën pastaj si barrë. Nuk rekomandoj vetëvrasje, por ajo pjesë e jetës kur ti ke humbur interesat dhe nuk ke më interlokutorë, bashkëbisedues, me siguri që do të jetë një shtesë e bezdisshme.

Mira Kazhani: Faleminderit! Unë them që meqë është pak vakt dreke, t`ju ftoj për një ravioli? Këtu afër është një cep i këndshëm. Të pëlqejnë raviolit?

Primo Shllaku: Dakord. Unë nuk iu iki sherreve.

Mira Kazhani: Faleminderit! Ishte intervistë siç e parandjeva. Një rrëfim jo i mirë, por i jashtëzakonshëm dhe i vlefshëm. Çunat kanë qeshur gjatë gjithë kohës. Nuk e di për cilën pjesë më shumë. Ishte mes së vërtetës, humorit të mirë edhe mesazhe sinqerisht të nevojshme. Unë shpresoj ta dëgjojnë sa më shumë njerëz intervistën tuaj.

Primo Shllaku: Këta çunat këtu i kanë vënë vetes qëllim që të bëhen profesionistë. Prandaj kanë qeshur. Unë punoj me disa çuna, të cilët as e marrin vesh çfarë them. As më dëgjojnë hiç. Kjo është mbase ajo që i dallon ata me këta. Këta kanë qenë shumë të pranishëm, edhe unë u jam drejtuar disa herë madje.

Mira Kazhani: Faleminderit!

Primo Shllaku: Edhe unë ju falenderoj!

Lexo "25 rreshtat e Mirës" për intervistën me Primo Shllakun

Autori Mira Kazhani

This podcast was supported by Abi Bank

* The right to repost is prohibited without the permission of the editor

Any distortion of online facts will be prosecuted