Ekonomia

Vaksina, një biznes shumëmiliardësh

Vaksina, një biznes shumëmiliardësh

Në fillim të pandemisë, kompanitë e mëdha farmaceutike qëndruan në heshtje, duke menduar për historinë e gjatë të përgjigjeve ndaj sëmundjeve infektive që kishin rezultuar të padobishme.  Rastet e para të covid-19 datojnë në dhjetor 2019, por vetëm në mes të marsit 2020, disa kompani njoftuan qëllimin e tyre për të prodhuar një vaksinë.  

“Një ndërmarrje e konsideruar shumë e rrezikshme, duke qenë se duhej kryer shpejt, me sytë e botës mbi to dhe me mundësinë e mos nxjerrjes së fitimeve”, shkruan Financial Times.  Megjithatë sot ka 202 kompani që zhvillojnë vaksina, 47 prej të cilave tashmë janë në fazën klinike dhe mbi të gjitha, vëren gazeta financiare Britanike, ka mundësi reale për të fituar para, të favorizuara nga shkalla e pandemisë dhe nivelet e paprecedenta të fondeve të alokuara nga qeveritë.

“Shumë ekspertë janë të bindur se covid-19 do të qarkullojë për vite me radhë. Kjo do të thotë që tregu i vaksinave do të jetë shumë fitimprurës. Për kompani si Pfizer dhe Biontech, analistët presin të ardhura prej 3.5 miliardë dollarësh në 2021. Tregu global për vaksinat covid-19 mund të jetë me vlerë 9.5 miliardë dollarë vitin e ardhshëm”.  

Kërkimi i vaksinave u inkurajua gjithashtu nga financime bujare publike. “AstraZeneca mori 1.2 miliardë dollarë, Johnson & Johnson 1.5 miliardë, Moderna 2 miliardë, Novavax 1.6 miliardë, Pfizer 1.95 miliardë dhe Sanofi / Gsk 2 miliardë përmes  Operacionit “Warp Speed”, projekti i nisur nga qeveria e Shteteve të Bashkuara”. 

Kompanitë farmaceutike, përfundon Financial Times, gjithashtu kanë mundësinë të përmirësojnë imazhin e tyre, i cili shpesh turbullohet nga skandalet. Ndërkohë, megjithatë, shkruan Mediapart, “Albert Bourla, shefi ekzekutiv i Pfizer, ishte i pari që përfitoi nga rritja në tregun e aksioneve pas njoftimit me të cilin kompania farmaceutike amerikane dhe aleatja e saj gjermane Biontech njoftuan efektivitetin e vaksinës së tyre kundër covid-19.  Aksionet e Pfizer u rritën më 9 nëntor dhe Bourla shiti më shumë se 130,000 aksione në zotërim, për një shumë prej 5,5 milion dollarësh. “Ky pasurim personal ishte i paramenduar: Bourla kishte autorizuar shitjen e aksioneve më 19 gusht ‘me kusht që ato të arrinin një nivel të caktuar çmimi””.

Megjithatë, tani, problemi më i ngutshëm është të sigurohet që vaksina është me të vërtetë e arritshme për të gjithë. Siç shpjegon Le Monde, “në shtator, OJQ britanike Oxfam vlerësoi se vendet e pasura, të cilat përfaqësojnë 13 përqind të popullsisë botërore, kishin siguruar tashmë 51 përqind të dozave të vaksinave kryesore”.  

Kompanitë farmaceutike kontraktohen drejtpërdrejt nga qeveritë, dhe disa ekspertë spekulojnë çmime të larta, shton gazeta franceze. “Shuma e diskutuar nga Pfizer-Biontech me qeverinë amerikane përcaktohet në 16,50 € për dozë. Moderna ka vendosur nivele të ndryshme çmimesh, të cilat variojnë midis $ 10,5 dhe $ 15,5, bazuar në numrin e dozave të porositura. Nga ana tjetër, AstraZeneca është zotuar të shesë vaksinën e saj për rreth 2.50 € për dozë”. 

Në fakt, disa kompani janë zotuar të mos nxjerrin fitime nga vaksinat gjatë pandemisë. Ky është rasti i AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Sidoqoftë, këto premtime kanë nevojë për disa sqarime, shkruan Financial Times.  

“Johnson & Johnson nuk ka shpjeguar në detaje se çfarë do të thotë me “mos nxjerrje të fitimeve” dhe, në çdo rast, kur urgjenca mbaron, ajo do të jetë e lirë nga angazhimet e saj.  

Në një kontratë të firmosur me një kompani që do të prodhojë vaksinën e saj, AstraZeneca tregoi se mund të deklarojë të mbyllur pandeminë në korrik, teksa vaksinat fillojnë të shiten globalisht”.  

Dhe në fund, lind një sfidë e madhe logjistike: “Vaksina e Pfizer mund të ruhet në –70 ° C në frigoriferë që kushtojnë rreth dhjetë mijë euro”. Nuk është rastësi që më 12 nëntor, shkruan El País, qeveria meksikane njoftoi se nuk do ta blejë, “sepse nuk ka infrastrukturën e nevojshme për të ruajtur dozat dhe për t’i shpërndarë ato”.

*Marrë nga Bota.al