Ekonomia

Ulet çmimi i naftës për të dytën ditë radhazi

Ulet çmimi i naftës për të dytën ditë radhazi

Çmimet e naftës kanë shënuar një ulje për të dytën ditë radhazi. Një litër naftë tregtohet aktualisht për 223 lekë në vend, nga 243 lekë një ditë më parë.

Revista Monitor pasqyron edhe situatën në bursat ndërkombëtare ku çmimet e naftës kanë zbritur këtë të premte në 109 dollarë për fuçi, 4 dollarë më pak nga e enjtja (113$).

Shoqata e Hidrokarbureve e ka shpjeguar rritjen e shpejtë të naftës me faktin që “çmimet nga bazat grosiste dalin çdo ditë me bursën korente dhe marrin rritje graduale te koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqesisht rritja e cmimeve në bursë javen e fundit ka qenë galopante (sqarojmë se rezerva tre mujore që mbahen si mbas ligjit është gjithnjë ne depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund te mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum)”.

Ndonëse rritja e kaburanteve në tregjet ndërkombëtare reflektohet shumë shpejt, përvoja ka treguar se ulja e tyre në tregun vendas është më e ngadaltë, kur e njëjta gje ndodh në bursa.

Kryeministri Rama njoftoi një ditë më parë ngritjen e një bordi të administrimit të karburanteve për të kontrolluar rritjen e lartë të çmimit të naftës, duke paralajmeruar masa drastike për spekuluesit e çmimeve.

“Do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bord dhe të ketë masa ndëshkuese”, tha Rama, i cili sot pritet të zhvillojë një takim me furnizuesit e naftës për pasojat e luftës në çmimet e karburantit dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë.

*Ky shkrim i referohet Revistës Monitor