Ekonomia

Tirana më e pasura e Shqipërisë, po qyteti më i varfër cili është?

Tirana më e pasura e Shqipërisë, po qyteti më i varfër

Qarku më i varfër në vend, Kukësi e thelloi me tej hendekun e mirëqenies në raport me mesataren kombëtare në vitin 2019.

Sipas INSTAT PBB-ja për frymë në Kukës ishte sa 61 për qind e mesatares kombëtare dhe sa 26 për qind e nivelit të kryeqytetit. Treguesi u përkeqësua më tej në raport me vitin 2018, ku PBB për frymë në qarkun e Kukësit ishte 64 për qind e mesatares kombëtare.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga 12 qarqe të vendit, 8 prej tyre e kanë PBB-në për frymë poshtë mesatares kombëtare. Në këtë grup bëjnë pjesë Kukësi me 61 %, Elbasani me 70%, Lezha me 72%, Shkodra me 72%, Dibra me 73%, Korça me 75%, Berati me 79%, Vlora me 83 % të mesatares kombëtare.

Në të kundërt vetëm katër qarqe e kanë PBB për frymë në mesatare ose mbi mesataren kombëtare. PBB-ja për frymë e Durrësit ishte e njëjtë me mesataren kombëtare, Gjirokastra me 104%, Fieri 108% dhe Tirana e ka PBB-në për frymë sa 135% e mesatares kombëtare.

Zhvillimet në PBB-në e rajoneve tregojnë për një polarizim në rritje të zhvillimit ne raport me qendrën e vendit.

Zhvillimet tregojnë se konvergjenca e rajoneve të vendit (ritmet e rritjes ekonomike) për të arritur nivelin e qendrës janë përkeqësuar me tej për rajonet e varfra. Për rrjedhojë rajoni i Veriut të vendit renditet ndër rajonet më të varfra të Europës dhe në vend që të përmirësohet po përkeqësohet me tej.

PBB me çmime korente në Rajonin e Veriut (qarqet e Kukësit, Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit dhe Dibrës) më 2019 arriti në 389,6 miliardë Lekë ose 23,03 % ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2018, në rajonin Veri, PBB në terma reale shënoi një rritje me 2,16 %. Në këtë rajon rritjen më të madhe të PBB për frymë e kishte qarku i Durrësit me 5.6 %, ndërsa uljen më të madhe qarku i Kukësit me rreth 1%.

PBB me çmime korente në rajonin Qendër (qarqet e Elbasanit dhe Tiranës) me 2019, ishte 835,1 miliardë Lekë ose 49,36 % ndaj totalit të PBB-së. Krahasuar me vitin 2018, për rajonin Qendër, PBB në terma reale shënoi një rritje prej 2,28 %.

PBB me çmime korente në rajonin Jug (Berati, Fieri, Gjirokastra, Korça dhe Vlora) më 2019 ishte 467,1 miliardë Lekë ose 27,61 % ndaj totalit të vendit. Krahasuar me vitin 2018, në rajonin Jug, PBB në terma reale shënoi një rritje me 1,78 % . Rritjen më të madhe të PBB-së për frymë e kishte Gjirokastra me rreth 8% në raport me vitin 2018, ndërsa ritmet më të ulëta i kishte Vlora me vetëm 1.31%.

*Marrë nga Monitor.al