Ekonomia

Tatimi mbi fitimin, Denaj: Është ngritur grupi që po punon për ndryshimin e fashove, pse s'mund të zbresë në 9%?

Tatimi mbi fitimin, Denaj: Është ngritur grupi që po punon

Formula e taksimit mbi të ardhurat mund të ndryshojë me dhe për këtë po punojnë një grup ekspertësh. Këtë thotë ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj në ‘Ilva Now’ e cila u pyet për taksën progresive të tatimit mbi të ardhurat që arrin në 23%.

A ka në plan qeveria ta ulë në 10 apo 15%? Ministrja tha se shumica në Shqipëri ka të ardhura të pakta dhe sot 94% paguajnë shumë më pak taksa se sa 10%.

Por ajo sqaroi se po diskutohet me grupin e teknikëve për taksën progresive, por duke shtuar se ka gjithmonë një risk: Që përtej frymës së një politike që pjesa me më pak të ardhura paguan më pak dhe pjesa që merr më shumë të ardhura paguan më shumë, jemi duke parë në raport me disa fasha akomodimi por që nuk mund ta bëj të ditur sot.

E pyetur nga Ilva Tare nëse kjo mund të zbresë në 9%, Denaj e përjashtoi në mënyrë kategorike duke thënë se me këtë nivel do të kishte mungesë të të ardhurave për buxhetin e shtetit. Kjo përqindje është premtuar nga kreu i PD-së Lulzim Basha, por Denaj thotë se diferenca është shumë e vogël duke dhënë disa shembuj konkretë:

 “Një pagë 34 mijë lekë në diferencën mes taksës progresive dhe paketës ‘Basha’ me 9% do të kursente 160 lekë. Një pagë 54 mijë lekë do të kursente 960 lekë. Një pagë 89 mijë lekë do të kursente 2 360 lekë. Një pagë 180 mijë lekë do të kursente 9 mijë lekë”, tha ministrja.