Ekonomia

Shqiptarët paguajnë më pak taksa në rajon, malazezët më shumë

Shqiptarët paguajnë më pak taksa në rajon, malazezët

Shqiptarët paguajnë më pak taksa sesa qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Një raport i publikuar nga ALTAX në kuadër të Ditës së Lirisë Fiskale (2 prill) sjell në vëmendje se shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë barrën më të ulët fiskale. Tatimet gjithsej që paguhen për banor në Shqipëri janë 1119 euro, ndërsa në Kosovë, 1093 euro. Në Mal të Zi, i njëjti tregues është 2444 euro.

“Barra më e ulët fiskale për vitin 2020 është në Shqipëri. Barra më e lartë fiskale është në Bosnjë-Hercegovinë. Ndryshimi i niveleve të barrës fiskale është si efekt i tatimeve, taksave, tarifave dhe kontributeve të sigurimeve të mbledhura nga administratat tatimore në një nivel të caktuar në raport me PBB-në. Nëse krahasojmë Shqipërinë me Serbinë, me të cilën ka ngjashmëri të shkallëve dhe skemave të tatimit për konsumin dhe kapitalin e punën, është për t’u theksuar se adresimi për përmirësime nuk është për politikën, por për administrimin fiskal, duke rritur fokusin dhe forcimin e kapaciteteve të saj” thuhet në raport.

I njëjti sqaron se në mënyrë që të analizohen edhe më tej nivelin e barrës fiskale mesatare edhe për banorët e vendeve ballkanike, pasi janë marrë informacionet më të fundit lidhur me numrin e banorëve rezidentë ne secilin nga vendet ballkanike shikohet se nga raporti midis tatimeve gjithsej të paguara me numrin e banorëve ka një nivel pagueshmërie mesatare të tatimeve dhe kontributeve që ndryshon.

“Në rezultatet që dalin sipas raportit, Mali i Zi është vendi ballkanik ku banorët e saj janë më të ngarkuarit me detyrime dhe menjëherë mbas tyre vijnë banorët e Serbisë. Shqipëria është në vend të parafundit për ngarkesën e tatimeve për banor dhe në vend të fundit janë banorët e Kosovës. Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë në nivele të afërta të ngarkesës fiskale mesatare për banorët respektivë të tyre” thuhet në raport.

Lidhur me pagat, raporti sqaron se për barrën fiskale të qytetarëve janë përzgjedhur nivele pagash që përfaqësojnë grupe të ndryshme sociale dhe nivele përfaqësimi të shtresave shoqërore.

Në analizë janë zgjedhur paga minmale për vitin 2020 prej 26 mijë lekë/muaj, paga e nivelit të mesëm të poshtëm prej 100 mijë lekë/muaj, paga e nivelit të mesëm të lartë prej 250 mijë lekë/muaj, si dhe paga që përfaqëson nivelet e larta prej 500 mijë lekë/muaj.

“Për qytetarët dhe familjet e tyre që përfitojnë të ardhura nga puna, raporti evidenton se ndryshimi midis qytetarëve që kanë paga mbi 500 mijë lekë/muaj me ata që kanë paga minimale, 26 mijë lekë/muaj (përjashtuar Tiranën) del në një raport 1.9 : 1.

Kjo do të thotë se barra fiskale për qytetarin me pagë minimale është 1.9 herë më e vogël në raport me qytetarin që merr pagë mujore shumë të lartë. Teorikisht, qytetari me nivelin e lartë të pagës bruto mban një barrë fiskale sa 30.6% e pagës së tij, në krahasim me barrën fiskale prej 15.8%, që mban qytetari që ka pagë minimale. Në fakt, pagueshmëria e taksave nga niveli i pagave varet edhe nga madhësia e bazës tatimore” thuhet në dokument.

*Marrë nga Monitor.al