Shqipëria ndihmon Kosovën, rikthehet furnizimi me energji

Kosova nisi ditën e sotme kufizimet e energjisë elektrike me qëllim kursimin për shkak të krizës së çmimeve që ka prekur sektorin. Mirëpo po ditën e sotme Shqipëria i ka ardhur në ndihmë bashkëkombasve tanë, duke eksportuar energji drejt Prishtinës dhe duke shmangur kështu ndërprerjet disa orëshe të energjisë elektrike të planifikuara prej Qeverisë atje.
Lajmi është bërë publik nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës, e cila përmes një deklarate për mediat thotë se falë bashkëpunimit me Shqipërinë, konkretisht mes KEK-ut dhe KESH-it, është arritur që të evitohen reduktimet e programuara dhe do të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji.
“Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike”, thuhet në njoftim.
Sipas kësaj Ministrie-së, Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim. Ndërsa, bëjnë thirrje për kursim të energjisë.
Këto kufizime në bazë të planit të mëparshëm ishin përcaktuar të jenë deri në 2 orë në ditë për të gjithë konsumatorët. Opozita në Prishtinë ka kritikuar ashpër qeverinë Kurti pas këtij vendimi, duke e quajtur atë si pasojë e keqmenaxhimit.