Ekonomia

Saimir Bali, emigranti i parë rezident në Gjermani që i njihet patenta shqiptare

Saimir Bali, emigranti i parë rezident në Gjermani që i njihet

Njohja e ndërsjelltë e lejeve të drejtimit të automjeteve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, marrëveshje e cila u firmos në Tiranë paralelisht me vizitën zyrtare të Kryeministrit Edi Rama në Berlin, ka nisur të aplikohet te emigrantët e parë.

Saimir Bali, një emigrant rezident në Gjermani ka pasur fatin të jetë ndër të parët që ka përfituar nga kjo marrëveshje e rëndësishme, duke e bërë patentën e tij shqiptare të vlefshme në vendin ku jeton dhe punon.

“Saimiri, rezident në landin e Bavarisë, në Ingolstadt, kreu procedurat e konvertimit të lejes së drejtimit në qytetin ku jeton. DPSHTRR i nisi palës gjermane konfirmimin e vlefshmërisë së lejes shqiptare të drejtimit dhe mbi këtë bazë ai ka tërhequr lejen gjermane të drejtimit,” njofton vetë Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Sekretarin Parlamentar të Shtetit pranë Ministrisë Federale për Zhvillimin Digjital dhe Infrastrukturën, Oliver Luksic, nënshkruan në Tiranë marrëveshjen që i hap rrugë njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve.

DPSHTRR ka nisur menjëherë punën me Automotorizimin Gjerman për zbatimin e marrëveshjes, sipas aplikimeve që vijnë nga gjithë Landet e Republikës Federale Gjermane!

Për të lehtësuar këtë proces, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor asiston online çdo qytetar që kërkon informacion apo ndihmë mbi problematika në konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në Gjermani.