Rreth Europës… për 24 orë; tendenca e re e udhëtimit të shqiptarëve
Pasi kaloi kontrollin e pasaportave në Aeroportin e Rinasit, Anila Miraku mendoi se ka ende kohë për një kafe, gjersa të hapej imbarkimi në avionin e saj.
Ora shënonte 05:30 dhe ajo do të nisej në 06:10 për në Pisa, Itali. Së bashku me shoqen e saj, do të përjetonin aventurën e udhëtimit brenda ditës, pasi kthimi do të ishte në orën 9:00 të mbrëmjes.
Anila nuk është as e para dhe as e fundit që po përqafon tendencën e udhëtimit brenda ditës në destinacione të ndryshme europiane, të afërta, ku çmimi i lirë i biletave dhe rritja e aksesit në fluturime me disa orare, e ka bërë më të prekshme.
Në vitet e fundit, ka nisur të shfaqet një tendencë e re midis shqiptarëve: udhëtimet ditore në qytetet kryesore të Europës. Ndërsa fluturimet drejt destinacioneve europiane janë shtuar ndjeshëm, shqiptarët po bëhen pjesë e një lëvizjeje të re turistike, duke shmangur kostot e larta të akomodimit hotelier.
Fenomeni tregon për një ndryshim në perceptimin e udhëtimit, duke e bërë atë më të arritshëm dhe më të pranueshëm për më shumë njerëz.
Në vend që të planifikojnë një qëndrim të gjatë në një destinacion, ata zgjedhin të shfrytëzojnë përfitimet e fluturimeve të shkurtra drejt qyteteve të ndryshme.
Kjo tendencë është një përgjigje ndaj shtimit të numrit të fluturimeve drejt metropoleve të njohura europiane. Për shqiptarët, një udhëtim ditor është bërë i mundur, falë kohës së shkurtër të tij, sidomos në qytetet italiane dhe kostos më të ulët, për shkak të shmangies së akomodimit.
Ata mund të eksplorojnë kulturën, arkitekturën dhe gastronominë e një qyteti në vetëm disa orë, për t’u kthyer në shtëpi të njëjtën ditë.
Ndërkohë që hotelet mund të ofrojnë luksin dhe komoditetin, udhëtimet ditore japin lirinë për të eksploruar pa kufij, duke bërë që secili moment të ketë vlerën e tij unike.
Në këtë valë të re të udhëtimeve ditore në Europë, agjencitë dhe guidat turistike të vogla po luajnë rol kyç në rritjen e kërkesës.
Këto agjenci, duke i përqendruar shërbimet e tyre në përvoja unike dhe të personalizuara, kanë bërë të mundur për udhëtarët të shijojnë një udhëtim të pasur dhe të ndryshëm, ndërsa zvogëlojnë shpenzimet.
Guidat e specializuara ofrojnë informacione të vlefshme dhe këshilla për qytetet e caktuara, duke bërë që udhëtimi të jetë jo vetëm i bukur, por edhe me vlera kulturore.
Nga Ilirida Travel na bëhet e ditur se kërkesa për udhëtime të tilla është rritur. Sipas tyre, arsyeja kryesore lidhet me faktin se kompanitë e udhëtimit ajrore low cost kanë sjellë disa orare brenda një dite.
Gjithashtu sipas tyre, fleksibiliteti për qytetet e afërta me një orë fluturim bën të mundur që të shijosh disa orë në një destinacion të caktuar.
Për më tepër, që çmimet e biletave kanë qenë tejet të lira. Për një person, bileta vajtje-ardhje në disa nga qytetet kryesore italiane kushton rreth 30 euro, ose edhe më pak.
Për shqiptarët, zgjedhja e agjencive dhe guidave të vogla është një mënyrë e sigurt për të eksploruar destinacionet e tyre të dëshiruara me një ndihmë profesionale.
Këto agjenci ofrojnë paketa të personalizuara dhe të përshtatshme, duke përfshirë propozime të detajuara për rrugëtimin e udhëtimit, sugjerime në atraksionet kryesore dhe zgjidhje të shpejta për nevojat e ndryshme të udhëtarëve.
Në këtë mënyrë, udhëtarët ndihen më komodë dhe të sigurt për të eksploruar këndvështrimet më të bukura të qyteteve europiane në një kohë të shkurtër.
Sokol Dodbiba, nga agjencia Union Travel, thotë për “Monitor” se kanë nisur të aplikojnë udhëtime të tilla, si dhe kanë pasur kërkesa nga shumë persona. Sipas tij, çmimi i ulët i fluturimeve është një nga avantazhet më të mëdha që shqiptarëve u ka munguar për vite me radhë, të cilin po e shfrytëzojnë tani.
Një avantazh i rëndësishëm i agjencive dhe guidave të vogla është aftësia e tyre për të përdorur njohuritë e thella lokale dhe për të sjellë në vëmendje skenat më të padukshme të një qyteti. Në këtë përvojë të personalizuar, udhëtarët mund të zbulojnë restorante autentike, ngjarje lokale dhe histori interesante, duke bërë që secili udhëtim të jetë një aventurë e vërtetë.
Sigurisht edhe siguria që një guidë të ofron, duke të garantuar që mund të shijosh një qytet europian brenda një dite, pa u shqetësuar që nuk do arrish të kapësh oraret, ka bërë që agjencitë dhe guidat e vogla të jenë një partner i parapëlqyer për ata që dëshirojnë më shumë se thjesht një vizitë turistike të zakonshme.
Erjan Guxha, nga Travel Media, thotë se, tendencat e udhëtimeve ditore janë rritur shumë kohët e fundit, për disa arsye.
“Kryesorja janë biletat e lira. Nëse dikur duheshin 500 euro për të vizituar një vend, tani me 50 euro mund të shikoni një nga 7 mrekullitë e botës, Koloseun dhe pjesën tjetër të Romës.
Gjithashtu një arsye është shfrytëzimi i fundjavës në mënyrë të shkëlqyer dhe janë shmangur disi vizitat brenda Shqipërisë. Një arsye tjetër e nxitjes së kësaj tendence, është fakti që bëhet shumë më lehtë bashkë gjithë shoqërinë”, – thotë z. Guxha.
I pyetur të ndajë me ne një nga udhëtimet e fundit që ka realizuar si guidë, ai tregon që sapo përfundoi udhëtimin e radhës ditor në liqenin e Komos, trenin Bernina Express dhe St. Moritz, dy shtete në një ditë.
“Konsumuam një briosh në Itali, hëngrëm drekën në Zvicër dhe u kthyem të hamë darkën në Shqipëri, brenda një dite”, – tregon ai më tej.
Sipas tij, muajt e fundit, destinacionet më të preferuara janë Roma, Milano dhe liqeni i Komos, Bernina Express.
“Jo të gjithë e mendojnë të mundur të udhëtosh brenda ditës dhe shumë njerëzve u duket e pamundur, por çdo ditë e më shumë, shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë se sa brenda vendit. Ky mund të jetë një lajm i keq për ekonominë, por i mirë për kulturën që të jep udhëtimi jashtë”, – thotë z. Guxha.
Sipas tij, po vijojnë të përfitojnë nga çmimet e biletave, pasi janë shumë të lira dhe kërkesat për udhëtimet ditore janë kryesisht nga të rinjtë, pasi kërkon më shumë energji dhe ecje më të gjata.
“Kjo tendencë do të vazhdojë për aq kohë sa Wizz dhe Ryanair kanë fluturime në Shqipëri dhe të përshtatshme, pra në mëngjes dhe në darkë”, – përfundon ai.
Jo vetëm ne
Në të gjithë Europën, tendenca e udhëtimeve ditore ka fituar një prani të rëndësishme, duke treguar për një ndryshim në perceptimin e udhëtimit. Shumë udhëtarë europianë po kthehen drejt eksperiencave të shkurtra dhe të intensifikuara në destinacione të ndryshme të vendeve të tyre.
Ky model i udhëtimit ka shpërfaqur një preferencë për shfrytëzimin e kohës së shkurtër për të eksploruar qytetet kryesore, duke shmangur nevojën për qëndrime të gjata dhe shpenzime të larta për akomodim.
Arsyet e kësaj tendence janë të shumta dhe komplekse. Një ndikim i rëndësishëm është shtimi i numrit të fluturimeve të shkurtra dhe më të lira në të gjithë Europën. Kjo ka bërë që të jetë e mundur për udhëtarët të planifikojnë dhe realizojnë udhëtime të shpejta dhe efikase në destinacione të ndryshme, pa dëshiruar një qëndrim të gjatë.
Tendenca reflekton një ndryshim kulturor ku udhëtarët janë më të interesuar në përjetimet e momentit dhe shpërndarjen e aktiviteteve të tyre gjatë një dite. Edhe rrjetet sociale mendohen si një faktor për nxitjen e kësaj tendence, pasi jo vetëm guidat lokale, por edhe individë të ndryshëm e ‘reklamojnë’ gjithnjë e më shumë këtë lehtësi të kohëve të fundit.
Një tjetër arsye e rëndësishme është nevoja për fleksibilitet dhe pavarësi. Sipas ekspertëve të udhëtimit, udhëtimet ditore ofrojnë mundësinë për të krijuar kujtime të paharrueshme edhe në një periudhë shumë të shkurtër.
Për shumë njerëz, ky model udhëtimi është një mënyrë e përshtatshme për të përjetuar përvoja të ndryshme, pa u ngarkuar me organizime të gjata dhe komplekse.
Kjo tendencë po reflekton kërkesën e përgjithshme për një formë të re të turizmit, ku shpejtësia dhe liria e lëvizjes janë vlerësuar më shumë se qëndrimi i gjatë në një vend të vetëm.
Publikuar fillimisht te monitor.al