Ekonomia

Raporti i Bankës së Shqipërisë: Çmimet e apartamenteve janë rritur me 40% krahasuar me 2021

Raporti i Bankës së Shqipërisë: Çmimet e

Inflacioni dhe rritja e kërkesës kanë sjellë dhe rritjen e çmimeve të apartamenteve dhe paralelisht të qerave. Banka e Shqipërisë raporton për çmime stratosferike në gjashtëmujorin e parë të vitit. Nga janari në qershor ka pasur një rritje të çmimeve me 39% në rang kombëtar dhe vetëm në Tiranë janë rritur me 40%.

“Rritja e kërkesës dhe e kostove të ndërtimit, ka bërë që agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme të raportojnë çmime shitjeje më të larta ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Sipas indeksit Fischer12 , çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës është rritur me 28.4% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 39% në krahasim me një vit më parë. Kjo ecuri u përcaktua sidomos nga rritja e vëllimit të shitjeve të kryera në zonën e Tiranës, e cila përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit. Indeksi i çmimeve për shitjet në kryeqytet regjistroi një rritje prej 28.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe rreth 40% ndaj një viti më parë. Mbi bazën e të dhënave të vrojtimit për gjendjen e tregut të pasurive të paluajtshme dhe ecurinë e çmimit të banesave, të dhënave të raportuara nga bankat dhe të dhënave të tjera administrative, vlerësohet që gjatë periudhës, kërkesa, oferta dhe kostot e ndërtimit në tregun e pasurive të paluajtshme janë rritur dukshëm. Rritja e kërkesës dëshmohet nga rritja e vëllimit të shitjeve, rënia e numrit të pronave të pashitura dhe rritja e kredisë për blerje banese. Rritja e ofertës lidhet me rritjen e qëndrueshme të numrit të lejeve të ndërtimit, e shoqëruar këtë herë edhe me rritjen e dukshme të kostove të ndërtimit. Ecuria e këtyre të fundit ka reflektuar rritjen e fortë në shpenzimet për energji, materiale ndërtimi dhe makineri”, thuhet në raport.