Ekonomia

Publikohet vendimi: Bizneset me fitim deri në 10 milionë lekë s'do paguajnë TVSH, për sa kohë?

Publikohet vendimi: Bizneset me fitim deri në 10 milionë lekë

Me një vendim të Këshillit të Ministrave, është vendosur që të rritet pragu i tatimit mbi vlerën e shtuar nga 2 milionë lekë në 10 milionë lekë. Kjo do të thotë se bizneset me fitime nën 10 milionë lekë në vit nuk do të paguajnë TVSH.  Për këtë vendim ka thënë më herët ministrja e Financave Anila Denaj, që deri në vitin 2029, biznesi i vogël me fitime nën 10 milionë lekë në vit nuk do të paguajë TVSH.

Por kur do të hyjë në fuqi ky vendim? Në dokumentin zyrtar thuhet nga 1 janari 2021.

Më poshtë keni vendimin e plotë:

Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Neni 10/1 shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:

Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.”.

Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
Neni 3

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1.1.2021.