Ekonomia

Paratë nga emigrantët në nivelin më të lartë në 11 vjet, ndihmuan familjarët për Covid

Paratë nga emigrantët në nivelin më të lartë

Të ardhurat që emigrantët dërguan në Shqipëri arritën në 169 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, duke shënuar kështu nivelin më të lartë që nga viti 2010. Këtë e tregojnë statistikat e publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur sapo kishin filluar të ndiheshin pasojat e krizës pandemike, remitancat u rritën me 11.2%. edhe në raport me janar-mars 2019, zgjerimi është pothuajse në të njëjtat nivele (+12.5%).

Një prej faktorëve që ka ndikuar lidhet me ndihmën që emigrantët u kanë dhënë familjarëve për të përballuar Covid-in dhe pasojat e saj, duke bërë që të dërgojnë më shumë para se zakonisht.

Në analizën e publikuar nga Monitor, thuhet se një tjetër dukuri e konstatuar pas pandemisë është rritja e kanaleve informale, pasi mbyllja e kufijve ka ndikuar në orientimin drejt operatorëve zyrtarë.

Që prej vitit 2014, remitancat kishin nisur sërish trendin rritës, duke reflektuar valën e re të emigracionit. Ato u prekën lehtë në 2020-n nga kriza e shkaktuar nga pandemia, sidomos në tremujorin e dytë kur Europa hyri në karantinë, por arritën të rimëkëmben shpejt, me hapjen graduale të ekonomive.

Në vitin pandemik 2020, të ardhurat nga emigrantët në vitin 2020 ishin 673 milionë euro, me një tkurrje të lehtë prej 4%. Kjo rënie erdhi si rrjedhojë e reduktimit të fortë të prurje në tremujorin e dytë të karantinës (-35% me bazë vjetore). Por në periudhën në vijim, rritja ka qenë e fortë, përkatësisht 6.5% në të tretin dhe 11.5% në të katërtin, duke kompensuar pothuajse tërësisht rënien në periudhën e bllokimit.

Dy vendet kryesore sa i përket dërgimit të parave në vend nga emigrantët shqiptarë mbeten Italia dhe Greqia, kjo për shkak edhe numrit të lartë të shqiptarëve që jetojnë në këto dy shtete fqinje.

Vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Britania dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.

Trendi i remitancave ka ndjekur në tri dekadat e fundit një tendencë ciklike, duke kulmuar në vitin 2008 dhe më pas filloi rënia, teksa me kalimin e më shumë se një dekade, emigrantët filluan të shkëpusin lidhjet me vendin mëmë, të krijonin familjet e tyre dhe të dërgonin më pak para. Por vitet e fundit, vendi po përjeton një valë të re emigracioni, që solli sërish një rritje të remitancave, që pas vitit 2013.

Paratë nga emigrantët në nivelin më të lartë

*Tiranapost.al.