Ekonomia

Pandemia rriti çmimet e ushqimeve, uli të veshjeve

Pandemia rriti çmimet e ushqimeve, uli të veshjeve

Pandemia ka ndryshuar sjelljen konsumatore, duke i përqendruar blerjet tek ushqimet dhe komoditeti në shtëpi dhe duke anashkaluar shpenzimet për veshje dhe udhëtime.

Kjo tendencë është reflektuar edhe tek çmimet e produkteve, ku ushqimet kanë vijuar rritjen edhe në shkurt në raport me një vit më parë bashkë me furniturën për shtëpinë, teksa çmimet e veshjeve dhe shërbimeve të transportit kanë pësuar rënie.

INSTAT raportoi se në shkurt inflacioni shënoi rritje vjetore me 1,1 %. Krahasuar me muajin shkurt 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,2 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,4 %, “Shëndeti” me 1,1 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,0 %, “Komunikimi” me 0,7 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,6 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,4 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3,9 %, pasuar nga grupi “Veshje dhe këpucë” me 0,6 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u rritën me 5,1 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 4,6 %, “peshk” me 3,8 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3,6 %, “mish” me 1,6 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, dhe ëmbëlsira” me 1,4 %, etj.

Ndërsa krahasuar me janar 2021, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,0 %, pasuar nga grupet “Transporti” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,4 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 % secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,6 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,4 % dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 %.

Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,06 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,15 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,04 pikë secili.

Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,25 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,02 pikë përqindje.

*Marrë nga Monitor.al