Ekonomia

Nga pandemia u humbën 50 mijë vende punë! Guvernatori Gent Sejko tregon kur pritet të rigjallërohet ekonomia

Nga pandemia u humbën 50 mijë vende punë! Guvernatori Gent Sejko

Ndërsa bëri një analizë të impaktit të krizës në ekonominë shqiptare, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se ekonomia shqiptare është goditur fort si pasojë e pandemisë. Kjo ka bërë sipas të dhënave të publikuara prej tij që 50 mijë vende pune të humbasin, sipas tij e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%.

“Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020. Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlefshme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni, në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar”, tha guvernatori Sejko.

Për Bankën e Shqipërisë, pasiguria mbetet mjaft e lartë në kushte të tilla, por nga ana tjetër Sejko shprehet se ka vend për optimizëm brenda 2 viteve të ardhshme.  

“Ne jemi optimistë se aktiviteti ekonomik pritet të rigjallërohet në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, parashikimi ekonomik për të ardhmen shoqërohet nga një nivel i lartë pasigurie dhe rreziqe të kahut të poshtëm. Në periudhën afatshkurtër, këto rreziqe lidhen më së shumti me pasigurinë e vetë pandemisë, ashpërsinë e saj, kohëzgjatjen dhe rikthimin e mundshëm të masave kufizuese. Në periudhën afatgjatë, rreziqet lidhen me dëmtimin afatgjatë mbështetur nga kapacitetet prodhuese dhe kërkesa e brendshme, si dhe nga ndryshimi i mundshëm strukturor në ekonomi, si rezultat i sjelljes së ndryshuar të agjentëve ekonomikë. Ne jemi të sigurt se evidencat, analizat dhe parashikimet e bazuara në punën kërkimore do të ofrojnë informacionin e saktë dhe në kohë për orientimin dhe koordinimin e politikës.  Sistemi bankar shqiptar mbetet i shëndetshëm, pavarësisht sfidave me të cilat po e përball pandemia. Masat operacionale të menjëhershme të ndërmarra nga bankat, si dhe masat mikro dhe makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, siguruan jo vetëm vazhdimësinë e kryerjes së funksioneve kritike të bankave, por gjithashtu ndërmjetësim financiar të kënaqshëm, pavarësisht goditjes së rëndë që pësoi ekonomia,” tha Sejko.

Sipas Guvernatorit, kredia për ekonominë po rritet, kapitali është i mjaftueshëm dhe bilancet e bankave mbeten të shëndetshme, duke sinjalizuar aftësinë e tyre për t’i përballuar goditjet e raundit të parë.