Ekonomia

Miratohet projekt-buxheti i 2021-shit: Nga rritja e pagave, vaksina tek rrugët, ja se ku do të shpenzohen paratë

Miratohet projekt-buxheti i 2021-shit: Nga rritja e pagave, vaksina tek

Kuvendi miratoi sot me 87 vota pro, 9 kundër dhe 2 abstenim projektbuxhetin e vitit 2021. Në të parashikohet të ketë fondi 6 miliardë lekë për përballimin e situatës së pandemisë, ku përfshihet edhe blerja e vaksinës anti-covid. Ndërkohë që ky projektbuxhet i hap rrugën edhe rritjes së pagave për mësuesit dhe bluzat e bardha, të pagës minimale si dhe heqjes së taksave për karburantin në bujqësi.

"Projektbuxheti i 2021 tregon edhe një herë përgjegjshmërinë e qeverisë për të përballuar krizën", tha Rama në fjalën e tij.

Në shpenzimet buxhetore të vitit të ardhshëm që pritet të kapin vlerën e 587.6 miliardë lekë, janë përfshirë rreth 8 miliardë lekë për rritjen e pagës së punonjësve të shëndetësisë dhe të arsimit.

Gjithashtu paketa fiskale përfshin lehtësi mbi biznesin e vogël, si heqjen e tatim fitimit për bizneset me të ardhura deri më 14 milionë lekë në vit dhe rritjen e pragut të TVSH-së për biznese me të ardhura deri në 10 milionë lekë xhiro në vit.

Sipas ministres Anila Denaj, buxheti i 2021 parashikon një fond prej 1 miliardë lekë për procesin zgjedhor, që do të mbahet më 25 prill.

Nga ana tjetër rritja e pagës minimale, që nga 26 mijë lekë të vjetra do të ndryshojë në 30 mijë lekë të vjetra, vendim që hyn në fuqi nga janari 2021-shit, do të sjellë rreth 3 miliardë lekë më shumë në arkën e shtetit. Sipas ekspertëve të ekonomisë në vend kjo do të lehtësojë barrën fiskale të biznesit të vogël por do të rëndojë shtresën e mesme, e cila përbën dhe bazën e piramidës, taksapaguesit  dhe kontribuuesit kryesor.

Sipas financave synohet një rritje e të ardhurave me përmirësimin e administrimit fiskal dhe uljen e informalitetit. Në shpërndarjen që është bërë për fondet e buxhetit të shtetit vihet re një rritje  e  shpenzimeve në investimet për infrastrukturë dhe rindërtim, shuma e akorduar është 49.3 miliardë lekë,nga të cilat 28 miliardë leke do të shkojnë për rindërtim të banesave dhe institucioneve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Një pjesë e madhe e këtij fondi është menduar të shkoj për projekte rrugësh të cilat kanë nisur ose janë planifikuar të nisin gjatë vitit të ardhëm. Përmendet kompletimi i Rrugës së Arbrit dhe nisja e projektit të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë; avancimi i punimeve në segmentet rrugore si: Kardhiq – Delvinë, By – Passi Shkodër, By – Pass Tepelenë dhe një pjesë e mirë e Unazës së re të Tiranës.

Vitin e ardhshëm synohet dhe vënia në funksion e Aeroportit të Kukësit si dhe vijimi i punimeve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Ministria e Financave parashikon që rritja ekonomike për vitin e ardhshëm të jetë në nivelin 5.5%, ndërsa për këtë vit tkurrja mbi 6%.