Ekonomia

Majlinda Bregu: 1 Maji i dytë në kushte të pazakonta dhe ç’duhet bërë për të “shëruar” papunësinë e Rinisë në Ballkanin Perëndimor

Çfarë bënë parukierët nëse flokët me model nuk ishin më të rëndësishme për njerëzit që qëndruan mbyllur në shtëpitë e tyre, kur klientët u izoluan? Apo kur sallonet e tyre thjesht u mbyllën? Çfarë do bëjnë ofruesit e shërbimeve të turizmit, nëse udhëtimet shndërrohen në të rrezikshme për shëndetin? Duhet të gjejnë modele të reja për bizneset e tyre për të mbijetuar.

Majlinda Bregu: 1 Maji i dytë në kushte të pazakonta dhe

Është viti i dytë që 1 maji, dita e punëtorëve kujtohet në kushtet e pandemisë, jo vetëm kërcënohet shëndeti, por tanimë me vaksinën, shëndeti duket se po menaxhohet dhe po shihen pasojat në vendet e punës.

Majlinda Bregu në një Op-Ed tregon se ka një lajm që mund të quhet i mirë: Stabilizimi i kurbës së papunësisë, që do të thotë se rajoni s’ka njohur rritje. Por, pyetja e rendësishme është si do bëjmë për të gjetur punët që ende rrezikoje nga pandemia, dhe janë shumë, si mund të orientohemi drejt profesioneve që kanë kohë që po vinë drejt fundit, por pandmeia i përshpejtoi.

Cila është mbijetesa që duhet të sigurojmë (lexo të plotë):

Rreth një e katërta e të rinjve në Ballkanin Perëndimor janë NEET – pra as të punësuar, as në proces arsimimi apo trajnimi (të dhënat e vitit 2019). Për më tepër, nga totali i të papunëve të regjistruar në fund të shkurtit 2021, 173,031 janë të rinj, nën moshën 24 vjeç, që përbën më shumë se 12% të të gjithë të papunëve të regjistruar.

“Unë besoj shumë në fat dhe e shoh sa më shumë punoj, aq më me fat ndihem”.

Bregu në Op-Ed, shkruan se pandemia ka nxjerrë në pah rëndësinë e sektorëve strategjikë të ekonomisë publike si shëndetësia, por edhe sa të rrezikuara janë sipërmarrjet e tjera të shërbimeve nga ngjarje të paparashikueshme si kjo pandemi, por edhe nga zhvillimi teknologjik dhe progresi shoqëror që sjell ndryshime të mëdha në atë çfarë zgjedhim të konsumojmë dhe në shërbimet që marrim:

"Të gjithëve na pëlqen ta shikojmë 1 Majin - Ditën e Punës si një festë e rëndësishme mbi të drejtat e punës, por gjithashtu si një ditë argëtuese për të shijuar natyrën, dhe të gjithë shpresuan vitin e kaluar që kjo ditë do të rikthehej e lavdishme. Por ja që ky është viti i 2-të radhazi që 1 Maji vjen nën rrethana krejtësisht të pazakonta, të diktuara nga pandemia e COVID-19. E kush e di, a e kemi parë ende gjithçka që kemi për të parë…

Ajo që kemi parë dhe kuptuar deri tani është rëndësia e sektorit shëndetësor dhe puna e madhe që po kryejnë punonjësit e shëndetësisë në të gjithë botën për të përballuar pandeminë dhe për të shpëtuar jetën tonë. Po kaq shpejt, kuptuam gjithashtu se mund të rregullojmë dhe ndryshojmë zakonet tona me shpejtësinë e erës për t'iu përgjigjur më së miri krizës. Për ata fatlumë, të cilët ishin në gjendje të mbanin punën e tyre, thjesht duke ndërruar zyrën me shtëpinë, ose thënë ndryshe ‘jetuan në punë’, do të thoshte një mënyrë jetese e re e përzierë mes punës dhe shtëpisë në të njëjtën kohë. Për disa pozicione pune ishte shumë e vështirë të përshtateshin me realitetin e ri të distancimit fizik, të punuarit në distancë, izolimeve, etj. Me këtë nënkuptoj - çfarë bënë parukierët nëse flokët me model nuk ishin më të rëndësishme për njerëzit që qëndruan mbyllur në shtëpitë e tyre, kur klientët u izoluan? Apo kur sallonet e tyre thjesht u mbyllën? Çfarë do bëjnë ofruesit e shërbimeve të turizmit, nëse udhëtimet shndërrohen në të rrezikshme për shëndetin? Duhet të gjejnë modele të reja për bizneset e tyre për të mbijetuar."- shkruan Bregu e cila tregon sesi Koronavirusi ka ndikuar në papunësinë e rajonit tonë, veçanërisht tek të rinjtë:

"Në Ballkanin Perëndimor (BP) shumë njerëz, ashtu si në pjesën tjetër të botës e kanë kaluar vitin e shkuar e pak më tepër, duke mësuar se si të mbrojnë punën dhe jetën e tyre. Para krizës së COVID-19, tregjet e punës në Ballkan karakterizoheshin nga nivele relativisht të larta të papunësisë (midis 10.9% në Serbi dhe 25.2% në Kosovë * në 2019-ën), veçanërisht i krahasojmë me BE; Pasiviteti i lartë (varion midis 59.5% në Kosovë * dhe 39.4% në Shqipëri në 2019); Nivele të ulëta të punësimit me një pjesë të konsiderueshme të kontratave të përkohshme dhe punësimit joformal (midis 18% dhe 30%, në varësi të ekonomisë së BP dhe një burimi). Gjithashtu, një nga karakteristikat dalluese të papunësisë në rajonin tonë ishte një numër i lartë i papunësisë afatgjatë. Ja kështu na goditi Korona…"

Pikërisht për të rinjtë, Bregu nënvizon nevojën urgjente për t'i trajnuar me qëllim përshtatjen e tyre në tregun e punës dhe garantimin se do të kenë mundësi t'i shërbejnë ekonomisë së rë që do të lindte gjithsesi, por që pandemia e ka përshpejtuar mbërritjen e saj:

"Rreth një e katërta e të rinjve në Ballkanin Perëndimor janë NEET - as të punësuar, as në proces arsimimi ose trajnimi (të dhënat e vitit 2019). Për më tepër, nga totali i të papunëve të regjistruar në fund të shkurtit 2021, 173,031 janë të rinj, nën 24 vjeç, që përbëjnë më shumë se 12% e të gjithë të papunëve të regjistruar. Dhe së fundmi, ekziston edhe ‘ikja e trurit’ të të rinjve - një sfidë e njohur demografike për rajonin tonë. A ka dikush nevojë të bindet më tepër që duhet të veprojmë për t`u dhënë të rinjve një mundësi për një punë?

Duke pasur parasysh nevojën e dukshme për të vepruar, ne duhet të synojmë shumë - për Garancinë e Të Rinjve në BP. Garancia e të Rinjve nënkupton mundësitë për punësim, arsimim, trajnim ose praktikë për ta. Konkretisht, në Ballkanin Perëndimor, projekti RCC ESAP 2 ka kryer një studim analitik, gjithëpërfshirës mbi punësimin e të rinjve në gjashtë ekonomi të Ballkanit Perëndimor, me 6 harta udhërrëfyese individuale për secilin vend; Ky raport dhe gjashtë udhërrëfyes politikash u ndanë me 6 qeveritë e BP, së fundmi. Ne në RCC jemi të gatshëm të mbështesim partnerët tanë qeveritarë që të kenë Garancinë e Të Rinjve për rajonin tonë dhe programe të tjera rinore, duke gjeneruar mundësi më të mira pune për të rinjtë.

Le të mësojmë nga kjo krizë dhe le ta përdorim këtë si një mundësi për procesin e rimëkëmbjes, për të ndërtuar një botë më të mirë të punës. Të krijojmë një treg pune si mjedis i dialogut, mundësive të barabarta, vendit të sigurt dhe të mbrojtur në të cilin lulëzojmë duke siguruar të ardhura për veten tonë, familjet tona, komunitetet dhe shoqërinë tonë. Thënë thjesht - punë të denjë!

Le të punojmë të gjithë së bashku për të mposhtur kërcënimin e përbashkët shëndetësor dhe të rimëkëmbim vendet e punës!

Qëndroni të shëndetshëm, mbroni veten dhe të tjerët!

tiranapost.al