Ekonomia

Kur do rriten pagat? Ministrja Ibrahimaj jep detajet për secilën kategori

Kur do rriten pagat? Ministrja Ibrahimaj jep detajet për secilën

Kryeministri Edi Rama doli vetë sot në Konferencën e përjavshme për mediat pas mbledhjes së qeverisë për të njoftuar se është miratuar tashmë në Këshillin e Ministrave projektligji për rritjen e pagës mesatare që pason atë të rritjes së pagës minimale.

“Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë, se në harkun e një viti paga mesatare e Republikës së Shqipërisë do të shkojë nga 563 euro që është sot në 900 euro,” u shpreh Rama pas mbledhjes së sotme.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka dhënë detaje në lidhje me kohën se ku do të bëhen efektive këto rritje.

Ajo në një intervistë për “Top Channel” deklaroi se fillimisht pagat do të rriten për disa kategori, si arsimtarët, bluzat e bardha dhe punonjësit e institucioneve të sigurisë, si dhe punonjësit që trajtohen me paga të ulëta të administratës të cilët do të marrin pagën e rritur në muajin maj. Ndërsa për pjesën tjetër të administratës rritja do të bëhet efektive në muajin qershor.

Ibrahimaj u shpreh: "Pagat do të fillojnë të rriten që në datën 1 Prill, pra do të bëhen efektive që me pagën e majit për disa kategori. Kategoritë janë: arsimi, shëndetësia, siguria (tek siguria hyjnë të githa kategoritë, Policia e Burgjeve, Policia e Shtetit, Garda e Republikës) dhe ndërkohë do të hyjë në fuqi dhe për nivelet më të ulëta të punonjësve mbështetës në administratën publike.

Nga ana tjetër, në muajin qershor, pra nga maji, presim që të bëjmë efektive dhe rritjen e të gjithë niveleve të pagave të administratës duke qenë se do të presim të miratohet në parlament ligji që është miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe sapo ligji të hyjë në fuqi do të hyjë në fuqi dhe rritja e pagave për të gjithë pjesën tjetër të administratës.

Kjo do të jetë shkalla e parë e rritjes, ndërkohë që është parashikuar edhe një shkallë e dytë, e cila do të hyjë në fuqi në 1 korrik të vitit 2024."