Ekonomia

Kjo është gruaja më e pasur në botë për vitin 2022, sipas Forbes

Kjo është gruaja më e pasur në botë për vitin

Nuk është e panjohur, as ajo dhe as statusi i saj. Për të dytin vit radhazi është në krye të listës së miliarderëve të botës nga Forbes, si gruaja më e pasur e planetit. Ajo është trashëgimtarja e L'Oréal Françoise Bettencourt Meyers, nga Franca.

Me vlerë rreth 74.8 miliardë dollarë, Bettencourt Meyers është rreth 1.2 miliardë dollarë më e pasur se një vit më parë, duke e bërë atë personin e katërmbëdhjetë më të pasur në botë.

68-vjeçarja është nënkryetare e bordit të L'Oréal, kompania më e madhe në botë e kozmetikës dhe bukurisë, të cilën gjyshi i saj kimisti Eugène Paul Louis Schueller e themeloi në vitin 1909. Bettencourt Meyers u rendit për herë të parë në listën e miliarderëve të Forbes në 2018-ën, pasi nëna e saj, Liliane Bettencourt – në atë kohë gruaja më e pasur e planetit – vdiq në vitin 2017 në moshën 94 vjeçare. Në vitin 2007, Bettencourt Meyers paditi në mënyrë të famshme François-Marie Banier, një mik i ngushtë i nënës së saj, për dyshimin se kishte marrë dhurata në vlerën e më shumë se 1 miliard dollarëve nga e moshuara. Banier më vonë u dënua me tre vjet burg dhe u urdhërua të paguante 16.5 milionë dollarë për Betencourt dhe familjen e saj.

Bettencourt Meyers dhe familja e saj zotërojnë rreth 33% të aksioneve të L'Oréal. Ajo ka qenë anëtare e bordit të kompanisë që nga viti 1997. Dy djemtë e saj, Jean-Victor Meyers dhe Nicolas Meyers, janë gjithashtu në bord. Si prodhuesi më i madh në botë i bukurisë, L'Oréal zotëron më shumë se 35 marka kozmetike, të kujdesit për lëkurën dhe të kujdesit personal. Kompanitë kryesore të portofolit të saj përfshijnë Maybelline, Garnier dhe NYX.

Kompania 100-vjeçare ka qëndruar e freskët nëpërmjet teknologjisë dhe blerjeve. Kohët e fundit ka lançuar një pajisje për të ndihmuar njerëzit të bëjnë zgjedhje të sakta aromash.

Në përgjithësi, grupi i kompanive të L'Oréal gjeneroi më shumë se 35 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2021 dhe kompania punëson 85,000 njerëz në mbarë botën.