Ekonomia

Guvernatori Sejko: Optimizëm në rimëkëmbjen ekonomike, gjatë 2021 dhe 2022-shit

Guvernatori Sejko: Optimizëm në rimëkëmbjen ekonomike,

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të shtyjë me të paktën edhe tre muaj të tjerë stimulin monetar nëpërmjet formës aktuale të injektimit të likuiditetit me çmim fiks dhe sasi të pakufizuara në sektorin bankar.

Në orientimin e mëparshëm, të muajit shkurt, Këshilli Mbikëqyrës pati sinjalizuar se kjo formë e stimulit monetar do të vazhdonte deri në mesin e këtij viti, por në mbledhjen e sotme vendosi ta shtyjë atë me të paktën tre muaj të tjerë.

Forma aktuale e injektimit të likuditetit nisi të aplikohej në marsin e vitit të kaluar, menjëherë pas shpërthimit të pandemisë. Kjo formë e stimulit monetar deri tani ka rezultuar mjaft efikase në shtimin e likuiditetit dhe në ruajtjen e normave të ulëta të interesit, në të gjitha segmentet e tregut finaciar.

Guvernatori, Gent Sejko, tha pas mbledhjes së sotme se Këshilli Mbikëqyrës e lexon me një optimizëm më të madh perspektivën e rimëkëmbjes ekonomike, sidomos në afatin e mesëm. Megjithatë, ai theksoi se pandemia shtron ende rreziqe të konsiderueshme në afatin e shkurtër.

“Këshilli Mbikëqyrës konstaton se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm në afatin e shkurtër, por ajo shfaqet më e balancuar në afatin e mesëm. Në veçanti, rreziqet në afatin e shkurtër burojnë nga një përmirësim më i ngadaltë se pritjet i situatës epidemiologjike, në vend dhe në botë, nga vështirësi të mundshme në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së ngadaltë të kredisë bankare, si dhe nga,një reagim më i ngadaltë i biznesit dhe i familjeve ndaj kushteve të përmirësuara financiare. Për këto arsye, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm,” tha ai.

Sejko theksoi se çdo normalizim në kohë i politikës monetare do të jetë i kujdesshëm, duke mos cenuar qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike dhe duke mos dëmtuar premisat e kthimit të inflacionit në objektiv. Guvernatori tha se projeksionet për të ardhmen mbeten pozitive. Banka e Shqipërisë gjykon se vijimi i procesit të vaksinimit në vend dhe në botë, stimuli monetar dhe fiskal, si dhe rikthimi i besimit në nivelet historike, do t’i hapin rrugë zgjerimit progresiv të aktivitetit ekonomik gjatë viteve në vazhdim.

“Skenari bazë i parashikimeve projekton një rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme të ekonomisë gjatë viteve 2021 dhe 2022, pas kontraktimit të përjetuar në vitin 2020. Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022,” tha Sejko.

Këshilli Mbikëqyrës riktheu sot apelin që, me normalizimin gradual të situatës ekonomike dhe forcimin e qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes, nevojën e përshpejtimit të axhendës së reformave strukturore duhet të kthehet në fokus të vendimmarrësve.

“Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike. Ato janë të vetmet instrumente që do të mundësojë një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë shqiptare,” u shpreh Guvernatori.

Në mbledhje e të mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.

*Referuar Monitor

*Tiranapost.al.