Ekonomia

Guvernatori Sejko: Kartëmonedha 10 mijë lekëshe me elementë shtesë sigurie. Ç’duhet të dinë qytetarët

Guvernatori Sejko: Kartëmonedha 10 mijë lekëshe me elementë

Dalja në treg nga 30 qershori e kartëmonedhës së re 10 mijë lekë, më e madhja deri më tani në Shqipëri është diktim i zhvillimeve ekonomike të vendit dhe rritjes së inflacionit në vite. Në një intervistë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko thotë se prerja e re vjen 1 dekadë e gjysmë pasi u hodh në treg kartëmonedha 5 mijë lekë, e cila daton prej vitit 1996. Sipas guvernatorit, vlera 10 mijë lekë do t’u shërbejë qytetarëve me paga më të larta, strukturës së çmimeve të cilat kanë ndryshuar por edhe sistemit bankar që do të ketë lehtësime në qarkullimin e parave përmes kësaj prerje.

Guvernatori Sejko: Kartëmonedha 10 mijë lekëshe me elementë

Guvernatori Sejko: Kartëmonedha 10 mijë lekëshe me elementë

Për Klan ai thotë:

“Që prej hedhjes në qarkullim të monedhës 5 mijë lekë kanë ndryshuar shumë niveli i inflacionit, çmimet janë rritur, pagat janë rritur dhe ekonomia është rritur. Për qytetarët do të jetë më e lehtë mbajtja dhe përdorimi i kartëmonedhës 10 mijë lekë, por lehtësi do të ketë dhe për sistemin bankar dhe vetë ne si Bankë Qendrore për të menaxhuar depozitat e parasë dhe hedhjen në qarkullim të parave.”

Megjithatë, guvernatori thekson se hedhja në qarkullim e 10 mijë lekëshit dhe 1 mijë lekëshit të ri nuk do të nxjerrin automatikisht nga skema prerjet e vjetra. Kjo pasi do të jetë vetë Banka që do të tërheqë gradualisht nga tregu kartëmonedhat e vjetra.

“Është e rëndësishme që qytetarët të dinë se hedhja në qarkullim e dy prerjeve të kartëmonedhave të reja nuk do të thotë se do të qarkullojnë vetëm ato. Në treg do të jetë dhe prerja e vjetër, ndërsa ne do ta tërheqim gradualisht nga tregu.”

Me prerjet e reja nuk pritet të ketë rreizk falsifikimi, thotë guvernatori duke shtuar se edhe pse fokusi mbetet në rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare digjitale, nevoja për para cash ose fizike do të mbetet për një kohë të gjatë.

“Prerjet e reja kanë elementë shtesë sigurie të cilat e bëjnë paranë më të mbrojtur. Nevojat për paranë fizike do të mbeten për një kohë të gjatë, edhe pse ne si Bankë Qendrore kemi në fokus rritjen e përfshirjes financiare të qytetarëve dhe bizneseve, kjo nuk do të thotë që të lemë pas dore një tjetër aspekt të rëndësishëm.”

Ndërkaq, në fillim të vitit të ardhshëm pritet që të dalin në treg dy prerjet e reja të kartëmonedhave 500 dhe 2 mijë lekë.

*Tiranapost.al.