Firmoset marrëveshja për marinën e Durrësit, Rama: Do jetë porti më i madh turistik i Mesdheut

Ditën e sotme u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit për Marinën turistike të Durrësit, midis palës shqiptare dhe shoqërisë “Eagle Hills Real Estate Development”, të përfaqësuar nga Mohamed Ali Rashed Alabbar.
Kryeministri tha se nga kjo marrëveshje do të zhvillohet porti më i madh turistik i Mesdheut.
“Do të ishte e paimagjinueshme, jo 50 vjet përpara, por edhe 5 vjet përpara që do kishim një investim të tillë në turizëm, në një vend që filloi të zhvillohej si vend me vizion për të qenë konkurrues në turizëm, vetëm kur ne filluam të ushtrojmë detyrën,” u shpreh ai.
Kryeministri kujtoi se kompania “Eagle Hills Real Estate Development” po ndërton edhe një investim madhor buzë lumit në Beograd, duke theksuar se në Shqipëri ky investim do të rrisë eksponencialisht vlerën e pasurisë së të gjithë qytetarëve të Durrësit, si dhe të gjitha hoteleve në të gjithë bregdetin e Durrësit.
“Këtu është fjala për imazhin komplet tjetër që do të ketë Shqipëria turistike në botë”, tha Rama.
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se ky është një projekt që finalizohet pas një negociate të gjatë prej tre vitesh. “Kemi të bëjmë me 2 miliardë dollarë investim, një shifër e konsiderueshme jo vetëm për investimet në Shqipëri por edhe për ato në rajon, që do të sjellë një rritje të madhe ekonomike.”
Ndërsa investitori e zhvilluesi me famë botërore Mohamed Ali Rashed Alabbar ka premtuar se do të krijohet diçka madhështore, nga e cila do të mahniten njerëzit e nuk do të duan të largohen.
“Nëse dikush na pyet se për çfarë është e gjitha kjo, është për krijimin e një jete të re. Ne do të krijojmë diçka që njerëzit kur të vijnë, do të duan të mos largohen kurrë. Këtë jua premtoj. Do ta marrim mendjet më të mira që të krijojmë një jetë të bukur”, tha Muhammed El Alabbar.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes do të nisë puna për ndërtimin e fazës së parë sipas Masterplanit të miratuar, pa cenuar volumin e mallrave dhe pasagjerëve në Portin e Durrësit.