Ekonomia

Drejtoria e Tatimeve paralajmëron me shkrim bizneset: Keni kohë deri në 20 nëntor për të deklaruar pagat reale

Drejtoria e Tatimeve paralajmëron me shkrim bizneset: Keni kohë deri

Drejtoria e Tatimeve, në një shkresë dërguar tatimpaguesve në sistemin e tyre E-filing i ka paralajmëruar subjektet që janë konsideruar me risk, pasi dyshohet që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre, që të reflektojnë deri në datën 20 nëntor.

Në të kundërt, subjektet me risk do të jenë objekt kontrolli dhe monitorimi të vazhdueshëm në periudhën në vijim. Shkresa u është dërguar 37.331 tatimpagues të identifikuar me risk në fushën e informalitetit të pagave pasi ata kanë një përqindje të lartë të punonjësve me pagë minimale dhe të profesioneve të specializuara me paga që nuk përputhen me tregun. Këta tatimpaguese pavarësisht njoftimit të pare të dërguar në fillim të muajit tetor nuk kanë reaguar ende.

“Nga analiza e të dhënave që Administrata Tatimore ka kryer bazuar në vetëdeklarimin që keni bërë në muajin shtator 2024, rezulton se në listëpagesën tuaj ka përqindje të lartë të punonjësve me pagë minimale dhe të profesioneve të specializuara me paga që nuk përputhen me tregun.

Për këtë arsye, Administrata Tatimore ju konsideron subjekt me risk në fushën e informalitetit të pagave!

Në datën 1 tetor 2024, Administrata Tatimore ju është drejtuar me një mesazh të personalizuar, në llogarinë tuaj në e-Filing, nëpërmjet të cilit ju inkurajonte të deklaronit me saktësi dhe vërtetësi pagat e punonjësve tuaj brenda 20 tetorit 2024, por ju nuk keni reflektuar pavarësisht njoftimit.

Sa më lart, Administrata Tatimore falë qasjes këshilluese, në zbatim të fushatës ndërgjegjësuese që ka ndërmarrë ju jep një mundësi të dytë për të deklaruar me saktësi dhe vërtetësi në listëpagesën e radhës, datë 20 nëntor, për të korrigjuar situatën tuaj.

Nëse kjo nuk ndodh edhe pas njoftimit të dytë, ju bëjmë me dije se ju do të jeni objekt kontrolli dhe monitorimi të vazhdueshëm në periudhën në vijim.

Ju kujtojmë se: “Deklarimi i pavërtetë i këtyre të dhënave përbën shmangie tatimore dhe si i tillë përbën kundërvajtje administrative dhe penale, sipas Ligjit 9920/2008, ‘Për Procedurat Tatimore në RSH’, i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqiperisë’ i ndryshuar”!

Besimplotë se kjo përpjekje e përbashkët do të gjejë mirëkuptimin dhe vlerësimin tuaj për të vendosur barazi sociale për punonjësit dhe do të ulë informalitetin e pagave”, thuhet në letrën e firmosur nga drejtori i tatimeve, Ilir Bina.

Në fillim të muajit tetor Administrata Tatimore u nisi subjekteve një mesazh sensibilizues, në kuadër të nismës së Qeverisë Shqiptare, për hartimin e një Plani Kombëtar që garanton pagesën e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore për pension të sigurt në të ardhmen.

Tatimet njoftuan se, do të vlerësojnë, analizojnë, evidentojnë dhe trajtojnë të gjitha rastet e fenomeneve dhe tatimpaguesve me risk në këtë fushë. Ajo do të monitorojë të dhënat që vetë subjektet deklarojnë, do të kryqëzojnë informacionin nëpërmjet sistemeve informatike që disponon, si dhe me palë të treta për çdo informacion që lidhet me punonjësit.

Drejtoria e Tatimeve bëri të ditur një ditë më parë se pas njoftimit të përgjithshëm (pop up) 130 mijë tatimpaguesve në Republikën e Shqipërisë, të regjistruar deri në fund të shtatorit 2024, rreth 9.000 tatimpagues kanë reaguar pozitivisht duke reflektuar saktësi në deklaratatat e listëpagesave të tyre, pas njoftimit të parë të Administratës Tatimore, duke rritur fondin e deklaruar të pagave me një total prej 1.25 miliard lekësh.

*Ky shkrim u publikua nga Revista Monitor dhe u publikua nga Tiranapost.al