Ekonomia

Blerjet online pa TVSH deri në 22 euro. Pse nuk do të rritet pragu?

Blerjet online pa TVSH deri në 22 euro. Pse nuk do të rritet pragu?

Pragu i blerjeve online pa TVSH nuk do të ndryshojë edhe për 2021, pavarësisht kërkesës së Postës Shqiptare për ta rritur atë, duke vijuar të penalizojë konsumatorët që duhet të paguajnë taksa për çdo blerje që e kalon kufirin 22 euro.

Nga 2019 kufiri i lejuar për blerjet online pa TVSH është 22 euro. Çdo person që bën një blerje online me vlerë më shumë më të lartë se ky kufi paguan 20% tatim mbi vlerën e shtuar, si dhe një tarifë doganore në varësi të origjinës së mallit. Para ndryshimeve të miratuara nga TVSH-ja dhe taksa doganore përjashtoheshin blerjet dhe dërgesat deri në 150 euro. Më herët në projektvendimin për shërbimet postare të Ministrisë të Infrastrukturës është kërkuar rritja e pragut të lejuar për blerje online pa TVSH, pasi niveli prej 22 eurosh rrit kostot administrative të operatorëve postarë dhe tarifat e dërgesave në doganë.

Pavarësisht se pandemia shtoi eksperiencën e shqiptarëve në blerjet online, Ministria e Financave nuk pritet të rrisë pragun për blerjet pa TVSh. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera shpjegoi për Monitor se ndryshimet do të penalizonin biznesin vendas, që tashmë është i prekur nga kriza e Covid-19. “Nuk parashikohet të ketë ndryshime në pragun e blerjeve online pa TVSH, pasi rritje e kufirit të lejuar jo vetëm që do të penalizonte bizneset vendase, por do të ndikonin edhe të arkëtimi i TVSH-së”, pohoi z. Lera.

Për shkak të krizës nga Covid-19 dhe rënies të xhiros në 2020 sipas të dhënave të Drejtorisë të Tatimeve për subjektet që kanë kaluar pasiv për periudhën nga 1 Maj deri më 31 Dhjetor u rritën 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s. Gjithsej ishin rreth 6,600 subjekte që rezultojnë të shtuara në listën e subjekteve pasive në periudhën në fjalë, nga rreth 4800 për maj-dhjetor 2019. Numri më i lartë i bizneseve të mbyllura i përkasin atyre subjekteve që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre me sezonin turistik.

Arsyet pse Posta Shqiptare kërkoi ndryshimin e pragut të lejuar për blerje online pa TVSH ishte kosto e larta të përpunimit të dërgesave. Në projektvendimin e hedhur për konsultim në janar të këtij nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës propozohej që të krijohej një one-stop-shop online për pagesën e TVSH dhe rritjen e tarifës “de minimis” prej 22 eurosh për detyrimet e importit, apo eliminimi i tarifave të skanimit për dërgesat me vlerë të ulët.

“Tregtarët e autorizuar që përpunojnë një numër të madh pakosh postare ndërkufitare (të tilla si kompanitë e logjistikës që trajtojnë një numër të madh pakosh postare në emër të shitësve online ndërkufitarë) mund të plotësojnë deklarata të thjeshtuara për secilin artikull, që do të ndiqen më pas nga plotësimi i një deklarate shtesë përmbledhëse brenda 24 orëve”, rekomandohej në draft.

*Marrë nga Monitor.al