4 miliardë dollarë! Si do të ndahet buxheti 2025 sipas ministrive
Në buxhetin e vitit 2025, 11 ministritë kryesore të qeverisë do të menaxhojnë së bashku 4 mld euro. Nga këto, pjesa më e madhe do të shkojë për shëndetësinë, infrastrukturën dhe arsimin.
Për vitin 2025, qeveria ka parashikuar të mbledhë 7.55 mld euro dhe të shpenzojë 8.2 mld, në përmbushje të programit buxhetor. Për 11 ministri, nga arka e shtetit do të shpërndahen 4 mld euro.
Pjesa më e madhe e parave, 810 mln euro, do të shkojnë për shëndetësinë, në shërbimet e shëndetit publik, por edhe për kujdesin social dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve.
Edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ketë në dispozicion rreth 740 mln euro, fond i cili do të shkojë për transportin, furnizimin me ujë dhe rrjetin energjetik.
Planifikimi i buxhetit 2025
Edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të ketë në dispozicion një fond prej 620 mln euro, gjysma e të cilit do të investohet për arsimin bazë, në programe që përmirësojnë kushtet e shkollave.
Ndryshimet në strukturën e ministrive i japin Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit 560 mln euro vitin e ardhshëm, nga të cilat 400 mln janë sigurime shoqërore dhe pjesa tjetër do të shpërndahet për tregun e punës, artin, kulturën dhe strehimin.
Në fokus të buxhetit do të jetë edhe mbrojtja, e cila, për shkak të gjeopolitikës dhe kërkesave që ka shpallur NATO, do të marrë 526 mln euro. Këto para do të shkojnë kryesisht për forcat e armatosura dhe emergjencat civile.
Ministria e Brendshme do të ketë 310 mln euro, ku 90% të këtij fondi do të dedikohet për Policinë e Shtetit.
Në nivel më të ulët, bujqësia, e cila siguron rreth 20% të Produktit të Brendshëm Bruto, do të marrë 146 mln euro. Edhe vitin e ardhshëm, praktika për menaxhimin e këtij fondi do të vazhdojë me mbështetjen për fermerët në masën 72 mln euro, dhe pjesa tjetër për infrastrukturën e tokave, sigurinë ushqimore dhe këshillimin bujqësor.
Në buxhetin e vitit 2025, të gjitha ministritë marrin rritje të fondeve, me përjashtim të Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të menaxhojë 143 mln euro, ose 3% më pak se këtë vit.