Aktualitet

Çfarë është teknologjia që po revolucionalizon botën e biznesit dhe që quhet “Blockchain”

Çfarë është teknologjia që po revolucionalizon

Si do ta revolucionalizojë teknologjia “blockchain” (teknologjia me blloqe zinxhir) mënyrën e operimit të kompanive të biznesit? Përgjigjet e kësaj pyetjeje janë prezantuar të martën e 13 Nëntorit në Milano përmes studimit “Blockchain në Biznese”, nga kompania “Casaleggio Associati”. Metodat e reja të aplikimit, mjetet inovative për të mbështetur kompanitë dhe historitë e suksesit janë fokusi i këtij studimi. Sot shifrat konfirmojnë impaktin e jashtëzakonshëm të kësaj teknologjie mbi bizneset private. Tregu global i teknologjisë me blloqe zinxhir, në vitin 2017 arriti 339.5 milionë dollarë dhe pritet të arrijë 2.3 miliardë për vitin 2021. Deri në vitin 2027, 10% e PBB-së botërore do të gjenerohet nga produktet dhe shërbimet e ofruara përmes kësaj teknologjie, veçanërisht në sektorin financiar dhe prodhues, me rritjen e sektorit publik, komunikimit dhe kujdesit shëndetësor.

Presidenti i “Casaleggio Associati”, Davide Casaleggio tha gjatë prezantimit të studimit se “sot kompanitë janë në gjendje të përdorin këtë teknologji për t’i dhënë jetë modeleve të reja të biznesit, duke fituar një rol parësor dhe mundësi të jashtëzakonshme”. “Sot kemi parë sesi Block Chain mund të krijojë impaktin e një teknologjie të re, si një nga 4 shtyllat e revolucionit të katërt industrial. Por edhe se si mund të ndikojë ajo në 10 % të GDP-së botërore brenda 2027. Një erë e re po fryn”, theksoi ai.

“Blockchain” njihet si teknologjia që qëndron pas monedhës virtuale Bitcoin. Ajo është ndërtuar për t’ju lejuar që të aksesoni pasuritë dixhitale dhe të kryeni transaksione me to, duke ofruar një regjistër rezistent e të sigurt ndaj mashtrimeve online.