Aktualitet

Bulqizë/ Ekspertët shkojnë në shtëpinë ku vdiq nëna me dy fëmijët: Bombola e gazit ishte e mbyllur me siguresë

Bulqizë/ Ekspertët shkojnë në shtëpinë ku vdiq

Ndërkohë që pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes së tre pjesëtarëve të familjes Tola në Ostren të Bulqizës, ekspertë nga Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) kanë shkuar në banesën ku ndodhi tragjedia për të bërë verifikimet.

Grupi i ekspertëve ka konstatuar një bombol gatimi me gaz në ballkonin e shtëpisë, e cila ishte me siguresë të mbyllur, ndërsa në banesë nuk është ndjerë erë gazi, çka heq poshtë dyshimet e tyre se familja mund të jetë asfiksuar nga gazi. Por në banesë, familja Tola ngrohej me sobë me dru dhe dyshimet janë që familja të jenë asfiksuar nga tymi i përhapur në dhomë.

Sipas burimeve nga ISHTI, në një dhomë të vogël grupi i ekspertëve ka evidentuar një sobë drush çka ka bërë që të dyshojnë se vdekja e anëtarëve të familjes Tola të ketë ardhur si pasoje e sasisë së madhe të druve dhe mbushjes së dhomës me sasi të madhe tymi. Por arsyen përfundimtare pritet ta japë vetëm ekspertiza. Ndërkohë një dyshim tjetër lidhej me një helmim nga ushqimi dhe sipas burimeve për TCH janë marrë mostrat e ushqimit për të bërë analizat përkatëse.

Rajmonda Tola, 45 vjeçe, u gjet e pajetë në banesën e saj në fshatin Ostren nga kunata e saj, së bashku me vajzën 22-vjeçare Rudina dhe djalin Fatjonin 15 vjeç. Ndërkohë vajza tjetër e shtëpisë, 16-vjeçarja Merita, u gjet me shenja jete dhe arriti të mbijetonte.

Ishte kunata e së ndjerës që paraditen e kësaj të premteje shkoi në banesën e viktimës por kur nuk i hapi derën njoftoi komshinjtë, të cilët pasi hapën me forcë derën e jashtme gjetën trupat e pajetë në dhomë.

Kryefamiljari Ylber Tola, ndodhet në Greqi, ku bën punë sezonale./ Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/tragjedia-ne-bulqize-mister-vdekja-e-nenes-me-dy-femijet-dy-dyshimet-e-hetuesve/

http://www.tiranapost.al/meta-viziton-ne-spital-16-vjecaren-e-mbijetuar-nga-tragjedia-ne-bulqize-do-jem-gjithmone-prane-tyre/