BOTA

Si u ngjit në krye të opozitës italiane Giorgia Meloni

Si u ngjit në krye të opozitës italiane Giorgia Meloni

“E djathta italiane ia ka lënë fashizmin historisë”. Me këto fjalë Giorgia Meloni u përgjigjet akuzave të shtypit të huaj, që e portretizon atë si një kërcënim për demokracinë italiane, evropiane dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Në pikun e konsensusit, fjala kyçe e Melonit është garancia: një shëmbëlltyrë politike që paraqitet jo shumë ndryshe nga ajo e Gianfranco Finit dhe eksponentëve të tjerë të atij grupimi që në Itali është quajtur “e djathta post-fashiste”, ku kryetarja e Vëllezërve të Italisë ka aderuar që në fillesat politike të saj. Në moshën 15-vjeçare, në vitin 1992, ajo militoi në Frontin e Rinisë, dega rinore e Lëvizjes Socialiste Italiane, me të cilën ajo mori pjesë në protestat kundër reformës në arsim.

Që atëherë, karriera e saj politike ka qenë e pandalshme. Nga 1998-a në 2002-shin ajo ishte këshilltare bashkiake e Romës me partinë Aleanca Kombëtare, e cila në 2008-n u bashkua me Popullin e Lirisë të Silvio Berlusconit, lëvizje që asokohe i lejoi të bëhej ministrja më e re në historinë e Italisë.

Si u ngjit në krye të opozitës italiane Giorgia Meloni

2013-a është viti i ndarjes. Meloni braktis Popullin e Lirisë për të themeluar Vëllezërit e Italisë, parti, tiparet e të cilës janë ato të një nacionalizmi konservator, me një konotacion të fortë sovranist. Flaka trengjyrëshe rishfaqet në simbolin e partisë dhe brenda pak vitesh shfaqen edhe inicialet e Lëvizjes Socialiste Italiane.

Meloni e nisi me rreth 3 për qind të mbështetjes në zgjedhjet e 2013-s, por gjatë 9 viteve në opozitë, rritja e saj ka qenë konstante. Hovi erdhi me qeverinë Conte II dhe mbi të gjitha me ekzekutivin e Mario Draghit, ku Vëllezërit e Italisë ishin partia më e madhe italiane që zgjodhi të qëndronte në opozitë.

Liderja provoi se ishte shumë e aftë në kanalizimin e konsensusit të monopolizuar nga Liga e Veriut ndër vite; me kundërshtimin për gjithçka që konsiderohej progres, por Meloni është e kujdesshme të mos i kalojë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për të kundërshtuar sistemet.

Ndaj, ndërsa në Evropë ajo vijon të kultivojë prirje bashkëpunuese me grupet euroskeptike, si ai spanjoll VOX, në shtëpi dhe përtej Atlantikut Meloni duhet të tregojë fytyrën e saj institucionale dhe të moderuar, pa të cilën është e vështirë të mendohet qeverisja e një vendi si Italia.