BOTA

Shpërbëhet njësia speciale “Scorpion” pas videos së vrasjes brutale të të riut në SHBA

Shpërbëhet njësia speciale “Scorpion” pas videos

Departamenti i Policisë së Memphisit, SHBA, ka shpërbërë njësinë speciale “Scorpion”, pjesëtarët e së cilës u akuzuan për vrasjen e Tire Nichols.

Në një komunikatë për media, policia shkruan se është në interesin më të mirë të të gjithëve që të shpërbëhet përgjithmonë ajo njësi.

Njësia u themelua në tetor 2021 me fokus krimet e rënda, si vjedhjet dhe veprat penale të lidhura me bandat, por siç raportuan mediat amerikane, ndaj saj kishte shumë ankesa për mënyrë e trajtimit të rasteve.

Pesë policët, Tadarrius Bean, Demetrius Haley, Desmond Mills Jr, Emmitt Martin III dhe Justin Smith u pushuan nga puna javën e kaluar.

Ata janë dërguar në paraburgim të enjten dhe secili përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë.

Policia ka publikuar pamjet e rënda të videos ku policët e kësaj njësie rrahin brutalisht për vdekje një të ri të prangosur. Pas kësaj ngjarje në ShBA kanë shpërthyer protesta të shumta.