BOTA

Sërf në ujërat e Venecias, kryebashkiaku ofron darkë për këdo që zbulon vendndodhjen e dy turistëve

Sërf në ujërat e Venecias, kryebashkiaku ofron darkë

Dy turistë të huaj janë gjobitur me 1500 euro pasi kanë dëmtuar rëndë imazhin e Venecias e cila po përpiqet të ripërtërijë humbjet pas dy vitesh izolim për shkak të pandemisë. Ndaj pamjet që po qarkullojnë tashmë kudo dhe janë kthyer në virale të dy të rinjve që sfidojnë rregullat dhe bëjnë sërf në ujërat e Kanalit të Madh në Venecia kanë zemëruar më së tepërmi kryebashkiakun e qytetit.

“Shikoni këta dy budallenj arrogantë që po bëjnë budallallëqe me qytetin! Iu kërkoj të gjithëve të na ndihmojnë t’i gjejmë ata që të mund t’i ndëshkojnë,” shkruajti ai.

Luigi Brugnaro ofron një darkë këdo që zbulon vendndodhjen e dy turistëve të cilët tashmë janë identifikuar e madje u janë sekuestruar dhe pajisjet e tyre të notit me vlerë 25 mijë euro.

Në maj, Brugnaro u hodh me motor në Kanalin e Madh për t’u përballur me një notar të cilit Policia më vonë i vendosi një gjobë prej 400 eurosh.