BOTA

Salman Rushdie në gjendje të rëndë, rrezikon të humbë dhe njërin sy

Salman Rushdie në gjendje të rëndë, rrezikon të

Shkrimtari i njohur Salman Rushdie një ditë pas sulmit është ende në gjendje të rëndë shëndetësore dhe madje rrezikon të humbë edhe njërin sy. Agjenti i shkrimtarit, Andrew Wylie është shprehur se klienti i tij ndodhet në frymëmarrje të drejtuar dhe e ka të pamundur të fliste.

“Lajmet nuk janë të mira”, tha ai. “Salman ka gjasa të humbasë njërin sy. Nervat e njërës dorë i ka të dëmtuara. Mëlçia e tij gjithashtu është prekur nga thika dhe për pasojë është dëmtuar”, shtoi ai.

Rushdie u dërgua me urgjencë dje në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi u sulmua me thikë gjatë një aktiviteti letrar në Nju Jork. Shkrimtari 75-vjeçar u transportua me helikopter drejt spitalit për një ndërhyrje kirurgjikale, por gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet e mirë. Ai është goditur të paktën një herë me thikë në qafë dhe në bark, sipas burimeve zyrtare të policisë nju jorkeze.

Autori i sulmit fizik u hodh në skenën e aktivitetit, që po ndiqej nga qindra njerëz dhe e goditi me thikë shkrimtarin e njohur. Organizatorë të aktivitetit dhe pjesëmarrës ndërhynë dhe e neutralizuan autorin e sulmit, një 24-vjeçar, i cili u arrestua më pas nga policia. Rushdie u ndihmua fillimisht nga një mjek i pranishëm në audiencën e aktivitetit dhe më pas u dërgua në spital me helikopter. Autori i ngjarjes mendohet se ka vepruar i vetëm.

Vepra e Rushdies e titulluar “Vargje Satanike” është e ndaluar në Republikën Islamike të Iranit që prej vitit 1988, pasi myslimanët e konsiderojnë blasfemi. Udhëheqësi i atëhershëm i Iranit, Ajatollah Ayatollah Ruhollah Khomeini lëshoi një dekret për vdekjen e Rushdie. Një shpërblim prej më shumë se 3 milionë dollarësh është premtuar për këdo që do të vriste shkrimtarin. Qeveria e Iranit është distancuar prej kohësh nga dekreti i Khomeinit, por ndjenja urrejtjes ndaj Rushdie vazhdon.