BOTA

Pamjet e sulmit në shkollën e Teksasit irritojnë prindërit: Të gjithë policët me mjete dhe armë, por nuk reagonin

Pamjet e sulmit në shkollën e Teksasit irritojnë prindërit:

Asaj të cilës i druheshin prindërit dhe i gjithë komuniteti i zonës pranë shkollës fillore në Uvalde të Teksasit ku dy muaj më parë ndodhi masakra e rëndë ku një adoleshent vrau 19 fëmijë dhe dy mësues, sot u vërtetua publikisht.

Një gazetë në shtetin juglindor amerikan të Teksasit “Austin American Statesman”, publikoi pamjet nga kamerat e sigurisë ku të gjithë panë dështimin e policisë për të ndërhyrë, ku për 77 minuta oficerët nuk kanë reaguar ndonëse kanë mbërritur në shkollë 3 minuta pas nisjes së sulmit.

Në pamjet shqetëuese 90 minutëshe shihet sulmuesi 18 vjeçar, Salvador Ramos duke hyrë në shkollën fillore në Uvalde, para se të fillojë të qëllojë me armë zjarri në drejtim të fëmijëve. Policia futet në shkollë vetëm pak minuta më vonë. Fillimisht disa oficerë nxituan drejt klasës, por u tërhoqën pasi dëgjuan të shtëna të tjera.

Të tjerë oficerë policie futen në shkollë, disa prej të cilëve kishin edhe pajisjet e duhura mbrojtëse. Por, në pamjet e redaktuara shihet se oficerët vazhdojnë të qëndrojnë në fund të korridorit për 77 minuta pa ndërhyrë, edhe pasi kishin dëgjuar të shtëna të tjera. Dy oficerë të Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara më në fund futen në klasë, duke qëlluar dhe vrarë sulmuesin Ramos.

Dështimi i agjencive për zbatimin e ligjit në Uvalde për të ndërhyrë menjëherë, si dhe hetimet mbi sulmin, kanë shkaktuar zemërim tek prindërit dhe në përgjithësi tek komuniteti në Uvalde. Ata e shprehën zemërimin e tyre edhe në një mbledhje të Këshillit Bashkiak në Uvalde, pak orë pas publikimit të pamjeve.

“Të gjithë këta oficerë kishin armët dhe pajisjet e duhura mbrojtëse, ndërsa qëndronin, thjesht qëndronin atje”, flet me zemërim pastori Daniel Myers.

Departamenti i Sigurisë Publike në Teksas publikoi një raport në fillim të këtij muaji, ku thotë se një oficer policie në Uvalde humbi mundësinë për ta qëlluar sulmuesin Ramos para se të futej në shkollë, sepse po priste leje nga eprorët e tij.