BOTA

Një ish-gjeneral i NATO-s president në Çeki

Një ish-gjeneral i NATO-s president në Çeki

Ish-gjenerali i NATO-s, Petr Pavel është presidenti i ri çek. Petr Pavel ka qenë i panjohur deri para pak vitesh për opinionin publik çek, por në zgjedhjet e fundit në vend ai fitoi rreth 58% të votave kundër oligarkut populist, Andrej Babis i cili arriti të merrte 42% të votave.

Nga ushtar komunist në NATO

61-vjeçari Petr Pavel ishte para ndryshimit anëtar i Partisë Komuniste, si shumica e ushtarëve profesionistë. Në formimin e tij bën pjesë edhe shkollimi për shërbimet informative dhe ushtrinë çekosllovake. Pas 1990-s, Pavl vazhdoi shkollimin dhe bëri karrierë. Ai studioi në shkollat amerikane dhe britanike, mes të tjerash edhe marrëdhënie ndërkombëtare. Pavl u bë i njohur si ushtarak gjatë shërbimit në trupat e NATO-s në ish-Jugosllavi. Ai drejtoi në vitin 1993 një operacion në të cilin u shpëtuan 50 ushtarë francezë nga një zonë luftarake mes serbëve dhe kroatëve në lindjen e Kroacisë. Pas kësaj Pavel u nderua me Urdhrin e Legjionit të Nderit në Francë dhe Medaljen e Heronjve të Çekisë. Karriera e tij vazhdoi me emërimin si shef i përgjithshëm i shtabit të ushtrisë çeke. Në vitin 2018 Pavel doli në pension si ushtarak.

Një ish-gjeneral i NATO-s president në Çeki

Tre vite përgatitje

Në vitin 2019 Pavel filloi me përgatitjet për fushatën presidenciale, para se të shpallte kandidaturën. Ai filloi të udhëtojë në vend dhe të flasë me qytetarët për përvojën e tij në ushtri, çështjet e mbrojtjes dhe jetën e tij duke dhënë shumë intervista. Gjatë pandemisë së Covidit, gjatë së cilës Çekia ishte ndër vendet me numrin më të lartë të vdekjeve për numër popullsie, Pavel krijoi një ekip ekspertësh që u përpoq të konsultojë qeverinë me këshilla shkencore. Këtë kohë filloi të flitej, se Petr Pavel dëshiron të kandidojë si president. Në sondazhe ai ishte i favorizuar deri para shpalljes së kandidaturës nga Andrej Babis.

Gjatë fushatës Pavel u përpoq të paraqitej si kandidat i pavarur, jopolitik, dhe tregonte vëmendje për çëshjet ushtarake dhe ndërkombëtare. "Kam mësuar diplomacinë në krye të NATO-s, kur më duhej të arrija ujdi mes 30 vendeve", tha Pavel në një duel televiziv në televizionin Nova. Ai u paraqit me dinjitet, qetësi dhe bindi shumë çekë me sigurinë e paraqitjes dhe preferencën për motorë të fortë. Dhe jo pak edhe për shkak të ngjashmërisë së tij me themeluesin dhe presidentin e parë çekosllovak, Tomas Garrique Masaryk (1850-1937).

Në raundin e dytë ai u mbështet edhe kandidatja që doli në vend të tretë, ekonomistja 44-vjeçare, Danuse Nedrudova dhe kandidatë të tjerë properëndimorë. Por disa votues kishin probleme me të shkuarën komuniste të ish-gjeneralit. "Kjo është një goditje për të gjithë viktimat e regjimit komunist", tha muzikanti i njohur, disidenti dhe ish-ministër për të Drejtat e njeriut, Michael Kocab për radion çeke. Por nuk u vërtetua frika se kjo do të trembte shumë votues prodemokratikë të shkonin në zgjedhjet e balotazhit. Ashtu si edhe përpjekja e Babis, që para raundit të balotazhit pretendonte, se Pavel do ta çojë vendin në luftë, në një kohë që Babis përpiqet për paqen në Ukrainë. Pavel siguroi shumicën në zgjedhje që patën një pjesëmarrje shumë të lartë të votuesve, rreth 70%.

Një ish-gjeneral i NATO-s president në Çeki

Pavel: "Nuk shoh humbës dhe fitues"

Pavel deklaroi, se detyra e tij e parë është të bashkoj vendin e përçarë nga zgjedhjet. "Nuk shoh në këtë vend elektorat që humb ose fiton. Vlera si e vërteta, dinjiteti, respekti dhe devocioni kanë fituar. Jam i gatshëm që këto vlera të mos i kthej vetëm në presidencë por t'ia kthej edhe republikës përmes shërbimit tim." Presidentja çeke, Zuzana Caputova erdhi në shtabin zgjedhor që të shtunën në mbrëmje dhe uroi presidentin e ri. "Me ju ka fituar shpresa, se dinjiteti dhe e vërteta mund të jenë të fortë", tha ajo. Caputova dhe Pavel kanë bërë të ditur, se do të vizitojnë së bashku Kievin shpejt.

Pavel ishte i preferuar i votuesve të rinj. "Një nga arsyet për suksesin e Petr Pavel ishte se ai ia doli të çojë shumë votues në kutitë e votimit, edhe ata që kishin votuar më parë parë për Danusa Nerudovan", u shpreh Pavel Maskarinec, politolog në Universitetin Jan-Evangelista-Purkyne në Usti nad Labem. Me Pavel ka fituar një politikan proeuropian, properëndimor, proatlantik, megjithë të shkuarën e tij të largët komuniste për një kohë të shkurtër.

Një ish-gjeneral i NATO-s president në Çeki

Andrej Babis

68-vjeçari Andrej Babis e uroi Pavel për fitoren. Në lidhje me të ardhmen e tij politike si deputet dhe kryetar i lëvizjes opozitare ANO ai nuk u shpreh qartë. Ekspertët nuk mendojnë se miliarderi do të tërhiqet nga politika. Lëvizja ANO është në sondazhe partia më e fortë aktualisht dhe ka shanse të fitojë zgjedhjet parlamentare pas tre vjetësh./DW