BOTA

Çfarë ndodh nëse Johnson humb votëbesimin?

Çfarë ndodh nëse Johnson humb votëbesimin?

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, po lufton për të ardhmen e tij politike, pasi brenda dy ditësh, dy nga ministrat kryesorë dhe një mori zyrtarësh më pak të rëndësishëm të kabinetit të tij, dhanë dorëheqje.

Dorëheqjet pasojnë muaj të tërë të kaosit politik. Shumë kundërshtarë, përfshirë edhe ata brenda Partisë së tij Konservatore, kanë bërë thirrje që zoti Johnson të largohet. Por, ai ka thënë se nuk do të japë dorëheqje dhe tani është në dorën e një grupi të fuqishëm konservator, i njohur si Komiteti i 1922-shit, që ta rrëzojë atë përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Sipas rregullave aktuale të partisë, duhet të kalojë një vit përpara se të kërkohet një mocion tjetër për t’i hequr votëbesimin kryeministrit. Por, komiteti ka fuqinë të ndryshojë rregullat për të lejuar një votëbesim të ri më shpejt.

A mund të mbahet votim për rrëzimin e qeverisë?

Teknikisht mund të zhvillohet pas 11 muajsh.

15% e ligjvënësve konservatorë, aktualisht 54 deputetë, duhet t’i kërkojnë kreut të “Komitetit 1922”, Graham Brady, të kërkojë votë-besimin e qeverisë.

Boris Johnson i mbijetoi një votëbesimi më 6 qershor, megjithëse 41% e ligjvënësve konservatorë votuan kundër tij, duke e vënë në dyshim të ardhmen e tij.

Sipas rregullave aktuale të partisë, duhet të kalojë një vit përpara se të ndodhë një sfidë tjetër formale ndaj kreut të partisë.

Por, “Komiteti 1922” ka fuqinë të ndryshojë rregullat për të lejuar një votëbesim të ri më shpejt.

Çfarë është Komiteti i 1922-shit?

“Komiteti 1922” është një grup prej mbi 10 deputetësh konservatorë të cilët nuk mbajnë asnjë post qeveritar. Ata takohen rregullisht për të diskutuar çështjet e partisë. Komiteti takohet me udhëheqësin e partisë çdo muaj për të këmbyer pikëpamjet rreth partisë.

Pjesa më e rëndësishme e punës së këtij komiteti është përcaktimi i rregullave se si mund të ndryshohet kreu i partisë.

Komiteti u themelua në vitin 1923 nga një grup ligjvënësish, që morën mandatin e deputetit në vitin 1922, prej nga e ka marë edhe emrin.

Anëtarët e tij zgjidhen nga rradhët e deputetëve konservatorë. Brenda pak javësh pritet të zgjidhet komiteti i ri ekzekutiv.

Sa është e mundur të ndryshojnë rregullat?

Kjo i takon ekzekutivit të Komitetit 1922. Disa media raportojnë se një vendim mund të merret mbrëmjen e së mërkurës, kur të mblidhet ekzekutivi.

Një tjetër mundësi është që komiteti të presë disa javë derisa të zgjidhet ekzekutivi i ri. Disa ligjvënës konservatorë kanë thënë se do të kandidojnë për t’u bërë anëtarë të komitetit dhe nëse zgjidhen do të votojnë për ndryshim rregulli.

Bob Blackman, sekretari i përbashkët ekzekutiv i komitetit, tha të mërkurën se duhet të kalohet një "prag shumë i lartë" për të garantuar një votëbesim të ri kaq shpejt pas votimit në muajin qershor.

“Ajo që duhet të bëjmë është sigurisht të kemi mendje të qetë , sepse një nga sugjerimet e tjera që po bëhen ... është që afati të shkurtohet në gjashtë muaj. Kjo do të thotë që data më e afërt të jetë dhjetori”, tha ai për TalkTV.


Çfarë ndodh nëse Johnson humb votëbesimin?

Boris Johnson do të ketë nevojë për mbështetjen e 180 nga 359 ligjvënës konservatorë që janë në parlamentin britanik, nëse bëhet një votëbesim i ri.

Nëse humbet, ai duhet të japë dorëheqjen dhe në parti zhvillohet një garë për udhëheqësin e ri, por ai nuk mund të kandidojë sërish. Ai do të mbetet udhëheqës i partisë dhe kryeministër derisa të zgjidhet një zëvendësues.

Çdo ligjvënës konservator ka të drejtë të kandidojë për të zëvendësuar zotin Johnson si udhëheqës partie. Fituesi i garës bëhet udhëheqës i Partisë Konservatore dhe kryeministër, pa pasur nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme./AP